Ledion Liço: Të qenët i famshëm ka qenë një dëm anësor!

Ledion Liço: Të qenët i famshëm ka qenë një dëm anësor!

08:27, 06/07/2024
A+ Aa A-

I ftuar në podcast-in “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin, Ledion Liço foli së fundmi mbi rrugëtimin e tij në media, nga fillimet e karrierës deri në momentet aktuale si drejtues i Top Albania Radio-s dhe themelues i Top Channel Films. Ledioni tregoi si dashuria për muzikën e udhëhoqi në rrugën e tij drejt medias.

“Unë kam dashur të bëj muzikë në fillim. Muzika ka qenë diçka që më thërriste, më ndryshonte, më jepte forcë, më ngushëllonte më shumë sesa çdo gjë tjetër,” tha Ledioni.

Ledioni u dashurua me median, duke e parë atë si një mjet për të shprehur dhe ndarë pasionet e tij me botën, e duke theksuar se rrugëtimi drejt famës nuk ishte qëllimi i tij kryesor. “Gjithmonë të qenët i famshëm ka qenë një dëm anësor,” thotë ai, duke treguar se si fama erdhi si një pasojë e natyrshme e punës së tij, dhe jo si një qëllim në vetvete. “Jam një njeri introvert dhe për këtë arsye nuk dua të shoh famën si qëllim, por kjo është pjesë e punës që bëjmë.”

Ledioni kujtoi me nostalgji hapat e parë në Top Albania Radio, një vend që do të luante një rol të rëndësishëm në formimin e tij profesional. “Unë kam qenë 16 vjeç kur kam ardhur në Top Albania Radio për herë të parë,” tha ai. Ishte një periudhë kur radioja kërkonte prezantues të rinj për programin “Select”. “E shikon ime më dhe thotë kështu do e nisësh ti me ‘Hej njerëz’. Mamatë në fillim kështu janë... Nuk më morën në punë me këtë...” kujtoi ai me humor.

Një vit më vonë, me hapjen e formatit të talenteve të reja, Ledioni gjeti një mundësi të re. “Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme,” tha ai, duke kujtuar momentet kur punonte me emra të njohur, si Bes Kallaku dhe Nijada Saliasi.

Sot, Ledion Liço është një nga figurat kryesore të Top Media.“Kam qenë me fat që kam gjetur njerëz që kanë besuar në talentin dhe pasionin tim,” tha ai. “Dhe tani, duke drejtuar Top Albania Radio dhe themeluar Top Channel Films, kam mundësinë të ndihmoj të tjerët të realizojnë ëndrrat e tyre, ashtu siç kam bërë unë.

Në fund të ditës, ajo që ka rëndësi është pasioni dhe përkushtimi që vendos në çdo gjë që bën,” tha Ledion Liço. “Dhe për mua, muzika dhe media kanë qenë gjithmonë burimi i këtij pasioni.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco