Paris-Soir (1938)/ Motrat e mbretit Zog në Paris ‘jashtëzakonisht elegante’ para dasmës, ja ç’thonë

Paris-Soir (1938)/ Motrat e mbretit Zog në Paris ‘jashtëzakonisht elegante’ para dasmës, ja ç’thonë

20:47, 13/08/2018
A+ Aa A-

Gazeta franceze, “Paris-Soir”, ka botuar të shtunën e 9 prillit 1938, në faqen n°5, një intervistë të veçantë të motrave të mbretit Zog (Myzejenit, Ruhijes dhe Maxhides), të cilat gjendeshin në kryeqytetin francez, në mënyrë krejt anonime, për të bërë blerjet e fundit me rastin e dasmës së vëllait të tyre, të parashikuar në fund të muajit prill të po atij viti.

Çfarë kanë rrëfyer ato asokohe për median franceze? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë.

“Ato blejnë tualete për dasmën e vëllait të tyre.

Ndërsa mendonim se ato ishin në Londër, princeshat mbretërore të Shqipërisë janë në Paris. Një hotel luksoz i qetë, pranë “Etoile”, është streha e tyre që prej javës së shkuar; ato kanë marrë dy apartamente me pamje nga rruga. Një ministër i ceremonive, z. Martini, i shoqëron ato.

Si është e mundur që tri gra të reja, ku disa fotografi të kohëve të fundit u kanë popullarizuar siluetën, të kenë qenë në gjendje të lëvizin në mënyrë anonime?

Ky është sekreti i Myzejenit, Ruhijes dhe Maxhides. Një gjë është e sigurt se kjo “lojë” e tyre i kënaq ato.

Motrat e mbretit Zog ecin në heshtje nëpër hollin e hotelit. Cila është më e bukur? Ato janë të tria brune, të holla, jashtëzakonisht elegante; ato kanë flokë ngjyrë kafe të lidhura në cep, pak makijazh, pafundësisht të bukura. Kostum të vogël sportiv, çantën nën krah, kapele me një vello përpara.

Image

Myzejen është më e madhja me trup, por edhe në moshë. Oh! fare pak; ajo është 27 vjeç, ndërsa motrat e saj janë 25 dhe 24 vjeç. Të dyja kanë sy të zinj të shkëlqyeshëm, ndërsa fytyra ngjyrë ezmere e Maxhides ndriçohet nga një vështrim i butë dhe i qartë.

Ato flasin frëngjisht.

– Dhe kjo nuk është për t’u habitur, – buzëqesh njëra nga gratë e reja. Ne kemi bërë studimet tona në Lausanne (Lozanë); Kemi përfunduar para katër vitesh dhe që atëherë kemi ardhur shpesh në Paris.

– Sepse ne jemi shpesh këtu! – thotë Ruhija plot gëzim.

– Ne kemi ardhur për të parë motrën tonë, princeshën Senije Habid, e cila, e martuar, jeton në qytetin tuaj. Ajo është këtu në hotel, me ne. Ne kemi ardhur këtu për të blerë rroba, kapele dhe për të parë parfumeritë! Ne shkojmë në teatër, në restorant, sepse ne kemi shije (gusto). Kësaj here, ne do të zgjedhim tualetet tona me rastin e dasmës së vëllait tonë, e cila do të mbahet më 27 të këtij muaji.

– E gjitha kjo për të ju thënë se jemi të zëna, – pëshpërit me ëmbëlsi Maxhidja.

Ne nuk mund të qëndrojmë më gjatë me tri gratë e bukura që rrobaqepësi po i pret. Ato, para se të hynin në makinë, patën një buzëqeshje që na dëshmoi se ato na falën për bezdisjen tonë.

– Dhe ne nuk ëndërrojmë të luajmë në kinema! – bërtasin të tria së bashku, duke qeshur.”

Nga Aurenc Bebja, Francë -13 Gusht 2018

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco