Rënia e euros fut bizneset në konflikt për tregjet

Rënia e euros fut bizneset në konflikt për tregjet

08:35, 20/07/2024
A+ Aa A-

Hallkat e zinxhirit të vlerës janë përfshirë në konfliktin më të ashpër të regjistruar ndonjëherë në tregjet tona. Rënia e paprecedentë e Euros dhe ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare janë bërë shkak për përfshirjen në konflikt të eksportuesve me prodhuesit e serrave, të fabrikave me fermat blegtorale, bimët mjekësore me kultivuesit, fasonët me nënkontraktorët etj. Në fund të betejës, prodhuesit do të mbajnë peshën më të madhe të humbjeve. Si po ndikohet e gjithë ekonomia tregon Blerina Hoxha në Monitor.

Rënia e qëndrueshme e Euros në këmbim me Lekun vitet e fundit ka rritur konfliktin në tregje si asnjëherë tjetër.

Hallkat e zinxhirit të vlerës, në vend të bashkëpunimit për të rritur fitimet që nga prodhimi, grumbullimi, shpwrndarja, eksporti dhe tregjet e pakicës, këtë vit janë përfshirë në një konflikt të ashpër që rrezikon të çojë në ulje pa kthim prodhimin vendas dhe të dëmtojë më së shumti ata që nxjerrin lëndën e parë për sektorin e përpunimit.

Rënia e kërkesës dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, mungesa e subvencioneve për sektorin e prodhimit dhe sidomos në bujqësi, po shkëput zinxhirin e hallkave të vlerës. Që nga fillimi i vitit 2021 e deri më tani, vlera e Euros ka rënë nga rreth 124 lekë në 100.3 lekë.

Nënçmimi i Euros ndaj Lekut, bashkë me uljen e çmimeve të eksporteve në tregjet ndërkombëtare kanë tkurrur fitimet e eksportuesve. Për shkak të kësaj situate, eksportuesit po ofrojnë çmime më të ulëta për prodhuesit, të cilët në mungesë të subvencioneve, nuk kanë mundësi të shesin lëndën e parë me çmimet e reja, pasi rrezikojnë të falimentojnë.

Eksportuesit pohojnë se nuk e kanë kaluar kurrë më parë një situatë konfliktuale me prodhuesit si këtë vit.

Për të shmangur kostot, shumë prej eksportuesve kanë nisur të furnizohen me lëndë të parë nga importi. Kjo tendencë po reflektohet në tregtinë e jashtme ku në 5-mujorin e parë, importet në sasi u rritën me 15.5%, ky ishte niveli më i lartë në 6 vitet e fundit, tregojnë të dhënat zyrtare.

Lufta mes hallkave të industrisë

Kompania INCA, pak vite më parë, investoi në një rrjet grumbullimi të të brendshmeve të bagëtive, të cilat përdoreshin si lëndë e parë për industrinë e sallamerisë.

Zoti Alban Zusi, i cili drejton INCA, i dha vlerë një malli që hidhej dhe po krijonte ndotje të mjedisit. Duke aplikuar modelin e ekonomisë qarkulluese, ai injektonte te thertoret rreth 2 milionë euro në vit, duke grumbulluar të ashtuquajturat mbetje ushqimore para këtij procesi.

Ulja e vlerës së Euros dhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare e detyroi z. Zusi të reduktojë çmimet ndaj thertoreve.

Të mësuara me një çmim mbi 100 lekë për kilogram, ata nuk pranuan të shesin me çmime të reja 50 lekë për kilogram. Konflikti mes tij dhe thertoreve u thellua deri në atë pikë sa vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me furnitorët vendas.

Tani ai po merr një pjesë të konsiderueshme të lëndës së parë nga importi dhe nga tregu vendas merr vetëm një të katërtën e vitit të kaluar.

Bashkëpunimi me furnitorët po shkon drejt fundit, shpjegoi ai. Humbjet që krijoi rënia e Euros kanë rritur presionin në hallkat e brendshme.

Eksportuesit po përpiqen të mbajnë në këmbë aktivitetin, duke ulur çmimet, por ky mekanizëm ka acaruar shumë prodhuesit duke bërë që kontratat të prishen në dëm të prodhimit vendas.

Në situatë të ngjashme janë të gjitha njësitë e përpunimit të ushqimeve për eksport. Njësitë e prodhimit të pijeve, përpunimit të frutave dhe perimeve, si dhe mishit janë në të njëjtat kushte dhe konflikt me furnitorët./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco