Tregu vuan për punonjës, por një e katërta e të rinjve 15-29 vjeç, as në punë, as në shkollë më 2023

Tregu vuan për punonjës, por një e katërta e të rinjve 15-29 vjeç, as në punë, as në shkollë më 2023

10:51, 16/07/2024
A+ Aa A-

Tregu i punës shfaqi kërkesë të lartë për punonjës dy vitet e fundit, por ende një e katërta e të rinjve 15-29 vjeç nuk janë as në punë, as në shkollë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se vitin e kaluar 24.6% e të rinjve nga 15-29 vjeç po shpenzonin kohën kot pasi as nuk po punonin dhe as nuk po shkolloheshin, apo po ndiqnin ndonjë trajnim. Treguesi qëndroi i lartë edhe më 2023 me rënie 0.6 pikë për qind në raport me vitin 2022, në një kohë që bizneset po konsiderojnë mungesën e punonjësve si shqetësimin kryesor për ecurinë e aktivitetet.

Të grupuara sipas nivelit arsimor, të rinjtë me arsim të mesëm kanë një nivel të lartë të mungesës së angazhimit. Të dhënat tregojnë se 28.6% e të rinjve deri në 29 vjeç me shkollë të mesme nuk ishin në punë dhe as nuk po ndiqnin ndonjë nivel tjetër të arsimit dhe trajnimit. Në vitin 2023 përqindja e të rinjve me arsim te mesëm as në punë dhe as në shkollë u rrit me tej me 1 pikë %.

Gjithashtu të rinjtë me arsim 8-9-vjeçar të paangazhuar me asgjë pësuan rritje më 2023. Të rinjtë në këtë nivel arsimi, që nuk janë as në punë as në shkollë, ishin 22.9% nga 21.9% që ishim më 2022.

Treguesi i “dembelizmit” duket se shënoi përmirësim të fortë tek të rinjtë deri ne 29 vjeç me arsim të lartë, të cilët në vitin 2023 përbenin 21.2% nga 27% që ishin në vitin 2022.

Në totalin e të rinjve e grup moshës 15-29 vjeç as në punë dhe as në shkollë (24.6%) rreth 49,4 % e tyre janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (2,0 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (13,4 %), ose për arsye të tjera (35,3 %).

Duke analizuar të rinjtë, të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (60.9 % e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 39,0 %).

Gjatë vitit 2023, numri i të papunëve në Shqipëri është 158.801 persona. Shkalla zyrtare e papunësisë është 10,7% dhe u ul me 0,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022. Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 10,5 % dhe për femrat është 10,9 %. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-24 vjeç është shumë me lartë në 25,6 %. Krahasuar me vitin paraardhës, shkalla e papunësisë për këtë grupmoshë u rrit me 0,7 pikë përqindje.

Personat e papunë, prej një viti a më shumë, përbëjnë 71,2% të të papunëve gjithsej. Krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 4,3 pikë përqindje. Duke analizuar shkallën e papunësisë, sipas nivelit arsimor në vitin 2023, vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të mesëm (12,7%), ndjekur nga ata me arsim 8-9-vjeçar (9,6 %)./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco