Kriza/ Shtigjet e reja të mbijetesës së prodhuesve

Kriza/ Shtigjet e reja të mbijetesës së prodhuesve

08:51, 23/06/2024
A+ Aa A-

 
Të gjendur pa mbështetje me politika dhe fonde, fabrikat janë duke gjetur mënyra për t’u përshtatur me krizën e krijuar nga rënia e Euros dhe rritja e pagave. Kalimi në import, reduktimi i aktivitetit, ikja në sektorë të tjerë, mbyllja e ciklit, prodhimi me vlerë të lartë, zhvendosja nga eksporti në tregun vendas dhe investimet në teknologji janë disa nga mënyrat e reja të prodhuesve për të mbijetuar

Blerina Hoxha

Rënia e vazhdueshme e Euros, rritja e kostove të fuqisë punëtore dhe kërkesa e dobët në tregjet e jashtme i kanë vënë në vështirësi fabrikat shqiptare në të gjithë sektorët.

Më të voglat po falimentojnë dhe shumë të tjera kanë ndryshuar strategjitë, duke u përshtatur me situatën e re.

Prodhimi për zinxhirët më të lartë të vlerës po aplikohet nga shumë njësi prodhimi, për të mbajtur të ardhurat nën kontroll.

Disa prodhues po diversifikohen në sektorë të tjerë, sidomos në turizëm dhe disa po investojnë në teknologji për të ulur varësinë nga fuqia punëtore që prej vitesh është problemi më shqetësues i industrisë.

Për të ulur humbjet nga kursi i këmbimit po bëhen përpjekje për të kaluar një pjesë të eksportit në tregun vendas dhe disa po mbyllin ciklin e prodhimit. Disa biznese po kthehen nga eksportues në importues.

Në dy vitet e fundit, prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku ndërthurja e shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën. Nënçmimi i Euros ka pasur ndikimin më të lartë në përkeqësimin e prodhimit vendas.

Sipas të dhënave zyrtare nga qershori 2023 deri në qershor 2024 vlera e Euros në këmbim me Lekun ka rënë me 5.6%. Euro u këmbye afër vlerës së 100 lekëve javën e kaluar, duke pësuar rënie me 3.2% në krahasim me fillimin e vitit.

Me afrimin e kulmit të sezonit turistik dhe ardhjes së emigrantëve, Euro rrezikon të nënçmohet edhe më tej.

Rënia e saj po dekurajon prodhimin dhe po ul të ardhurat nga eksportet muaj pas muaji. INSTAT raportoi se në 4-mujorin e parë të vitit 2024, eksportet e mallrave arritën vlerën 130 mld lekë, duke u ulur me 17,1% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 284 mld lekë, duke u rritur me 0,4%, krahasuar me një vit më parë.

Deficiti tregtar i mallrave u përkeqësua më tej duke arritur vlerën 154 mld lekë, me rrije me 22,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Pa mbështetje me politika dhe fonde, fabrikat po gjejnë mënyra për t’u përshtatur me konditat e reja.

Image

Burimi: Banka e Shqipërisë

Prodhim për vlerë të lartë të tregut, “Prada” vjen në Shqipëri

Shumë njësi prodhimi në vendin tonë që nga fabrikat e këpucëve, veshjeve dhe tullave, madje dhe bujqësia, po tentojnë të prodhojnë mallra për një kategori të lartë të tregut, në mënyrë që të sigurojnë të ardhura që të mbulojnë kostot e larta të prodhimit dhe humbjet nga kursi i këmbimit.

Kjo përshtatje po vërehet më së shumti në industrinë e tekstilit dhe këpucëve, të cilat me përvojë 30-vjeçare, tashmë po synojnë të qepin mallra për markat më prestigjioze të modës në Europë.

Eva Laro, me fabrikën e këpucëve “ProDyn”, që më parë prodhonte për nivelin e mesëm të konsumit, tani ka kaluar në prodhimin në nivelin e luksit.

Prej vitit të kaluar, ajo siguroi një kontratë me markën italiane të veshjeve luksoze “Prada”.

“Fillimisht ishte shumë e vështirë të prodhoje për këpucë të nivelit ‘Prada’. E nisëm me pak porosi dhe vetëm me disa procese. Por po ecim shumë mirë dhe këtë vit porositë janë shtuar.

Kontrata me ‘Prada’ më ka ndihmuar të mbaj në këmbë aktivitetin dhe mendoj se, të ardhurat janë përmirësuar lehtë në krahasim me vitin e kaluar”, tha znj. Laro.

Ajo siguroi edhe një kontratë me markën e “Gant” nga e cila ka marrë më shumë porosi. Para se të niste kriza kursit të këmbimit, “ProDyn” prodhonte për nivelin e mesëm me markat “Clarks” dhe “Josef Seibel”.

Të njëjtën strategji po zbatojnë edhe shumë kompani në prodhimin e veshjeve dhe këpucëve në vendin tonë, por edhe prodhues në sektorë të tjerë.

Ilda Bare, e cila drejton fabrikën e prodhimit të tullave në vend, “Kid-Alb”, tha se me ndryshimet e fundit që ka bërë në teknologji ofrojnë një cilësi me të cilën synon të zgjerohet në Europë dhe në tregje jashtë Ballkanit.

Një strategji të ngjashme po ndjek edhe kompania e prodhimit të veshjeve “AM Tekstil” në Cërrik, e cila prodhon veshje pune të cilësisë së lartë për hotelet dhe restorantet në vend.

Prodhimi për markat e luksit është një pozicionim i mirë, pasi kërkesa për këtë kategori artikujsh është rritur këtë vit, ndryshe nga kategoritë e tjera të konsumit të veshjeve dhe këpucëve që kanë pësuar rënie vitin e fundit. Fabrikat shqiptare po përpiqen të përshtaten në një ndryshim radikal të gjeografisë së prodhimit në kërkim të kostove të lira.

Në këtë kontekst, harta globale e prodhimit të modës po ndryshon. Prodhuesit, veçanërisht nga qendrat tradicionale si India, po zgjerojnë operacionet e tyre në rajone të reja si Afrika, Lindja e Mesme, Turqia dhe Amerika Latine.

Kjo lëvizje synon të kapërcejë kufizimet gjeografike dhe të përfitojë përfitime si kosto më të ulëta të punës, akses në lëndët e para dhe afërsi me tregjet e konsumit në Europë, Britaninë e Madhe dhe Amerikë.

Gështenjat, boronicat e Tropojës tani po bëhen gliko dhe reçel nga biznesmeni Ardian Çitozi, i cili në të njëjtën kohë është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës dhe frutave që rriten në gjendje të egër.

Nisur nga përvojat e vendeve të tjera, por edhe për të rritur të ardhurat, ai ka nisur prodhimin e së paku 18 lloje glikosh dhe reçelrash, që kanë si bazë frutat e egra të pyllit. Prodhimi do të certifikohet si organik, pasi do të sigurohet edhe sheqeri si i tillë.

Vlera e një kilogrami gështenjë të freskët së paku 10-fishohet kur ajo bëhet gliko. Po kështu rritet edhe vlera e boronicës, mjedrës, fikut të egër etj.

Shqipëria e ka shumë pak të zhvilluar zinxhirin e përpunimit të ushqimeve, teksa për shkak të natyrës ka shumëllojshmëri prodhimesh tërësisht organike. Por bizneset e sektorit pohojnë se duhet ende shumë punë për të nxitur konsumatorët shqiptarë të zgjedhin prodhimet shqiptare në raftet e supermarketeve.

Image

Burimi: INSTAT

Mbyllja e ciklit, nga tekstili te fermat e kafshëve

Lënda e parë autentike, profilizimi i lartë i burimeve njerëzore në disa sektorë po nxit mbylljen e ciklit në disa industri, që nga fasoni, bimët mjekësore dhe blegtoria, si një mënyrë për të përballuar krizën në sektorin e prodhimit.

AM GRUP, një kompani e prodhimit të veshjeve të punës, këtë vit ka mbyllur ciklin e prodhimit, si një përgjigje ndaj ndryshimeve që kanë sjellë rënia e Euros dhe rritja e kostove të brendshme. Kompania i kryen të gjitha proceset e punës vetë, që nga prodhimi i copës, ngjyrosja, qepja dhe gjetja e tregut.

Produktet finale janë veshje pune të një cilësie të lartë. Kompania ka nënshkruar kontrata me markat e nivelit të lartë të hoteleve dhe restoranteve në vend për veshjet e stafeve. Zoti Adrian Meshaj, i cili drejton kompaninë prej vitesh, tha se mbyllja e ciklit ka ardhur pas një përvoje të gjatë të prodhimit të veshjeve me porosi.

“Çdo hap i hedhur në mbylljen ciklit është ndërmarrë pas studimesh të thelluara dhe një pune kolosale”, tha z. Meshaj. Kompania e tij prodhon një lino dhe pambuk të nivelit të lartë, e cila më pas shndërrohet në këmisha dhe pantallona që kryesisht kanë treg marka të njohura restorantesh në vend.

Z. Meshaj tha se e gjithë kjo ecuri ka shumë sfida, pasi tregjet dhe kërkesa aktualisht kanë dinamika të jashtëzakonshme, në një kohë që mbështetja me grante dhe politika favorizuese mungon.

Deri tani, strategjia e re po ecën mirë dhe ka një kërkesë të admirueshme për veshje dhe tapiceri që u nevojitet hoteleve dhe restoranteve në vend. Strategjitë e reja të biznesit u shtynë nga kushtet e reja të tregut.

Rënia e Euros dhe rritja e kostove të fuqisë punëtore nxiti mbylljen e ciklit, i cili siguroi normë më të lartë të fitmeve, pasi krijohet ekonomia e shkallës brenda kompanisë.

Integrimi vertikal i kompanive të prodhimit është duke u zbatuar edhe në sektorë të tjerë. P.sh. fermat e blegtorëve janë duke mbyllur ciklin për t’i bërë ballë falimentit që po sjell ulja e çmimeve nga grumbulluesit.

Ervin Resuli, i cili ka një fermë lopësh me shumë krerë në Fier, tha se tani ka blerë pajisjet për një baxho që do të përpunojë prodhimet e fermës së tij.

Vendimi erdhi pas uljes së çmimeve nga fabrikat e mëdha të vendit me gati 50% këtë sezon në krahasim me vitin e kaluar. Blegtorët shqiptarë nuk kanë mundësi t’i përballojnë çmimet e ulëta të grumbullimit, pasi nuk subvencionohen nga qeveria dhe aksesi i tyre në kredimarrje është i kufizuar dhe me interesa të larta.

Image

Burimi: INSTAT

Zhvendosje në tregun vendas                                                       

Disa fabrika po tentojnë të diversifikohen në tregun vendas për të mbyllur humbjen nga rënia eksportit. Zonja Ilda, Bare e cila drejton fabrikën e prodhimit të tullave “Kid-Alb” në zonën e Vorës, tha se dy vitet fundit ka një zhvendosje nga eksporti në tregun vendas.

“Para dy vitesh kemi çuar mbi 40% të prodhimit në eksport, por për shkak të rënies së Euros tani çojmë vetëm 5% të prodhimit në eksport për klientët me besnikë ndaj nesh”, tha znj. Bare.

Për të shmangur humbjet nga rënia e Euros, znj. Bare tha se po zgjerohen në tregun vendas. “Po tentojmë të rrisin klientelën në tregun e brendshëm, duke përdorur forma kleringu dhe pagesa me këste. Para tre vitesh ne punonim në eksport dhe me kontrata të cilat parapaguheshin”, – tha ajo.

Nga ana tjetër, kostot në tregun e brendshëm janë rritur kryesisht nga pagat e punonjësve dhe çmimet më të larta të lëndëve të para. Znj. Bare tha se fabrika ka humbur edhe disa përfitime që vinin nga përjashtimi i akcizës në përdorimin e lëndës së parë për djegie.

Kompania e prodhimit të veshjeve “AM tekstil” në Cërrik nga prodhimi me porosi për italianët tani ka mbyllur ciklin dhe prodhon për tregun vendas.

Kompania “AZ-Group”, e cila deri vitin e kaluar e kishte bazuar prodhimin në eksport te produktet ushqimore të përpunuara, tani është zhvendosur në prodhimin e lëndëve të para për bujqësinë në tregun vendas.

Alban Zusi, zotëruesi i “AZ-Group”, tha se aktiviteti i tij i prodhimit është tkurrur ndjeshëm me rënien e Euros.

Image

Kalim nga eksporti në import

Shumë biznese me profil prodhimi janë duke kaluar në import. Kostot e larta dhe tani humbjet e shumëfishuara nga kursi i këmbimit e bëjnë më tërheqës kalimin e aktiviteteve në import.

Një nga kompanitë prodhuese në vend, që nuk pranoi të identifikohet, pohoi se rinisi importin të cilin e kishte zhvilluar si aktivitet 15 vite më parë.

Tani më shumë se 30% e të ardhurave bazohet nga rinisja e importit. Rritja e kërkesës nga turizmi dhe mungesa e prodhimit vendas bujqësor po gjallërojnë sërish kanalet e importit.

Të dhënat tregojnë se importet e mallrave arritën vlerën 75 mld lekë, duke u rritur me 0,6%, në krahasim me një vit më parë dhe me 0,6%, në krahasim me mars 2024.

Rritja në sasi ishte shumë më e lartë. Në të gjithë 4-mujorin e parë, vlera e importeve në sasi shënoi rritje vjetore me mbi 16% në 2024.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se importi i zarzavateve në vlerë u rrit në 73% në 4-mujorin e parë të vitit 2024, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritje me 25% kishte edhe importi i frutave në të njëjtën periudhë.

Pavarësisht se efekti në ekonominë e vendit nuk është pozitiv për kompanitë, importi është më i lehtë se prodhimi. E njëjta xhiro realizohet me pak punonjës dhe me kosto shumë të ulëta.

Xhiroja e një prodhuesi me 100 punonjës realizohet nga importues me jo më shumë se 10-15 punonjës, mësohet nga krahasimi i të dhënave që një nga kompanitë e prodhimit bëri për “Monitor”.

Image

Burimi: INSTAT

Reduktohen aktivitetet prodhuese

Fabrikat kanë ulur ndjeshëm prodhimin për eksport për të mënjanuar humbjen që vjen nga Euro, teksa shumë njësi të vogla të prodhimit për eksport janë mbyllur.

Z. Zusi tha se ka përgjysmuar prodhimin për eksport dhe ka ulur me tre herë grumbullimin e lëndës së parë brenda vendit.

Ai kishte ngritur një rrjet grumbullimit të të brendshmeve të bagëtive në thertore, të cilat pastroheshin dhe eksportoheshin si një produkt paketimi për industrinë e sallamerisë në Austri.

Rënia e Euros krijoi humbje të mëdha vit pas viti dhe tani, i gjithë rrjeti i grumbullimit të lëndës së parë që gjeneronte të ardhura shtesë për thertoret dhe eksporti po shkon drejt shuarjes.

Ilda Bare tha se pothuajse ka zhvendosur të gjitha eksportet në tregun vendas, pasi prodhimet shqiptare nuk ishin më konkurruese në tregjet e rajonit, për shkak të transferimit në kosto të rënies së Euros.

Shumë njësi të prodhimit po mbyllen dhe po reduktojnë punën.

“Njësitë e vogla po mbyllen dhe ato më të mëdhatë po përpiqen të përshtaten”, – tha Florian Zekja nga Shoqata Pro-Eksport. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vitin e kaluar, kontributi i sektorit të industrisë në punësimin me pagë u ul me 7%.

Sektori i industrisë është kontribuuesi më i madh në punësimin me pagë pas tregtisë. Në vitin 2023, në industri ishin të punësuar 19.9% të të punësuarve me pagë nga 20.6% në vitin 2022.

Problematikat e prodhimit u thelluan më tej në këtë fillimvit, ku përveç rënies së Euros, kërkesa nga jashtë për prodhimet shqiptare ra edhe më shumë nga pasiguritë e lidhura me inflacionin dhe luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Image

Investime në teknologji

Përparimi teknologjik ul kostot dhe rrit konkurrueshmërinë e produkteve. “Tre muaj më parë bëmë një remont total të impianteve të fabrikës, duke ndryshuar teknologjinë. Këto investime ulin kostot dhe varësinë nga njerëzit”, tha Ilda Bare. Mungesa e fuqisë punëtore ka rritur ndjeshëm kostot në fabrikat shqiptare.

Zonja Bare tha se për dy vjet ka rritur pagat e stafit me mbi 35%, teksa ka nevojë për punonjës, të cilët po tenton t’i marrë nga tregu i huaj.

Në total ka 125 punonjës në fabrikë ku rreth 20% e tyre janë të huaj. Ajo tha se investimet në teknologji e kanë ulur varësinë nga punonjësit, por ky proces kërkon njerëz shumë të kualifikuar, që është shumë vështirë të gjenden.

“Nëse nuk ka punonjës që të përdorin teknologjinë e re, atëherë kostot do të jenë edhe më të larta”, tha ajo. Industria është një nga përfitueset e mëdha të teknologjisë, pasi njësitë e prodhimit, të cilat e kanë ndier më së shumti mungesën e fuqisë punëtore, kanë investuar vitet e fundit si në teknologji robotike, teksa përdorin edhe Inteligjencën Artificiale për marketing dhe për rritur produktivitetin.

Shpëtim Oseku, ish-ndërtues që ka zhvendosur aktivitetin në bujqësi, është nga rastet unike në botë që po shndërron një tokë të kripur në pjellore.

Pasi ka kultivuar gati 100 hektarë shegë në tokat e kripura të Divjakës, ai po planifikon të mbjellë rreth 400 hektarë me ullinj.

Zoti Oseku tha se çdo proces në kultivimin e ullirit do të udhëhiqet nga mekanika dhe teknologjia. “Ullinjtë do të jenë një lloj kultivari me largësi një metër nga njëri-tjetri, të projektuara për t’u punuar dhe makineri të pavarura ndërmjet tyre.

Gjithashtu po mendohen format e spërkatjes me dron”, tha z. Oseku. Projekti i tij po vëzhgohet nga Bashkimi Europian si më i rralli në botë, ku toka e kripur po rikthehet në prodhuese nëpërmjet njohurive dhe teknologjisë.

Zoti Oseku tha se përpjekjet e tij po bëhen në një mjedis të vështirë, ku mungon mbështetja dhe infrastruktura vendase.

Fermerët shqiptarë, edhe nëse kanë mundësi të investojnë në mekanikë dhe teknologji, e kanë të vështirë, pasi mungon zinxhiri mbështetës si p.sh. nuk ka servis për makineritë bujqësore dhe kostoja për riparimin e tyre është e lartë.

Image

Burimi: INSTAT

Ulja e kostove

Bizneset që aktualisht operojnë në sektorin e prodhimit janë duke gjetur mënyra që të ulin kostot për të amortizuar efektet nga rritja e pagave dhe nënçmimi i Euros. Zonja Bare tha se ka instaluar sistemet fotovoltaike për të furnizuar me energji fabrikën e saj.

Por kursimet që mori nga prodhimi i energjisë shkuan për të mbuluar humbjet që krijoi heqja e rimbursimit të akcizës për lëndët djegëse.

Në zbatim të një strategjie të re fiskale, qeveria shqiptare vit pas viti po heq përjashtimet fiskale në TVSH dhe akcizë, teksa disa aktivitete janë vënë në vështirësi nga ky fakt. “Kemi kosto nga lëndët e para, pasi nuk rimbursohet akciza për gazin dhe qymyrin që shërben për djegie”, tha zonja Bare.

Pothuajse të gjitha fabrikat e mëdha kanë instaluar panele diellore për prodhimin e energjisë, e nxitur nga dalja e tyre në tregun e lirë. Luhatja e çmimeve të energjisë i ka detyruar shumë fabrika ta prodhojnë vetë energjinë.

Për të ulur kostot është aplikuar shkurtimi i punonjësve për të mbajtur nën kontroll shpenzimet për pagat. Gjithashtu është tentuar rritja e produktivitetit në procesin prodhimit, duke reduktuar skarcot./Monitor/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco