Rritja pa mirëqenie, Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhurat dhe konsumin për frymë

Rritja pa mirëqenie, Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhurat dhe konsumin për frymë

12:28, 19/06/2024
A+ Aa A-

Ndonëse ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë pas pandemisë dhe turizmi ka arritur rekorde, kjo nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetaret e vendit.

Të dhënat e fundit të Eurostat, të përditësuara për vitin 2023 e vendosin sërish Shqipërinë në fund të Europës për të ardhurat për frymë me 35% të mesatares europiane, nga 34% që ishte në vitin 2022. Shqipëria është në të njëjtat nivele me Bosnjën, ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë.

Rritja ekonomike e nxitur kryesisht nga fluksi i lartë i ndërtimeve dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme, apo dhe numri i lartë i turistëve nuk duket që të jenë përmirësuar mirëqenien e shqiptarëve në dy vitet e fundit.

Maqedonia e Veriut kishte të ardhura sa 41% e BE-së, me rënie me një pikë përqindje nga viti i mëparshëm. Serbia e kishte këtë tregues 46%, nga 44% vitin e mëparshëm. Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 52%, nga 50% vitin e mëparshëm.

Edhe në tregues tjetër, atë të konsumit individual për frymë (AIC), i cili mat fuqinë blerëse të mallrave e shërbimeve, Shqipëria renditet e fundit, me 42% të mesatares europiane, nga 41% vitin e mëparshëm, duke u renditur e fundit në Europe, 2 pikë përqindje më pak se Bosnjë Hercegovina që e ka rritur këtë tregues në 44% (në 2022 ishim në të njëjtat nivele). Nivelin më të lartë e ka Mali i Zi me 65% (nga 63% në 2022), e ndjekur nga Serbia me 54%, me rritje me 1 pikë përqindje dhe Maqedonia e Veriut me 52%, nga 50% në 2022.

Sipas shpjegimit të Eurostat, megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme.

Gjatë vitit 2023, ekonomia shqiptare u rrit me 3.4%, duke u ngadalësuar në krahasim me zgjerimin prej 4.86% të 2022-t. Rreth gjysma e kësaj rritjeje erdhi nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që u zgjeruan përkatësisht me 9.7% dhe 11.3%. Duket se kjo rritje që po vjen nga ndërtimi nuk po arrin të përmirësojë mirëqenien e shqiptarëve, që vijojnë të mbeten më të varfrit e Europës.

Europa

Në vitin 2023, konsumi aktual individual (Actual Individual Consumption, AIC për frymë i shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) varionte nga 70% në 138% të mesatares së BE-së në 27 vendet e BE-së. AIC përfshin të gjitha mallrat dhe shërbimet që përdorin familjet, pavarësisht nëse ato janë blerë dhe paguar nga familjet drejtpërdrejt, nga qeveria ose nga organizata jofitimprurëse. Mund të konsiderohet si një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Në vitin 2023, 10 vende të BE-së regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së. Nivelet më të larta u regjistruan në Luksemburg (38% mbi mesataren e BE-së), Austri dhe Holandë (të dyja 17%).

Ndërkohë, 17 vende të BE-së shënuan AIC për frymë nën mesataren e BE-së, me nivelet më të ulëta të regjistruara në Hungari (30% nën mesataren e BE), Bullgari (27%), Sllovaki dhe Letoni (të dyja 25%).

Luksemburgu dhe Irlanda shënojnë PBB-në më të lartë për frymë

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, një masë e aktivitetit ekonomik, tregoi gjithashtu dallime thelbësore midis anëtarëve të BE-së.

PBB-ja për frymë mbi mesataren e BE-së u regjistrua në 11 vende të BE-së. Ai ishte më i lartë në Luksemburg (139% më i lartë se mesatarja e BE-së), Irlandë (111%) dhe Holandë (30%). Në anën tjetër, PBB-ja më e ulët për frymë u regjistrua në Bullgari (36% nën mesataren e BE-së), Greqi (33%) dhe Letoni (29%)./MONITOR

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco