Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ ‘Der Spiegel’: Rama dhe Shqipëria janë narkoshtet

Rreziku i rifinancimet të borxhit të brendshëm, në nivelet më të larta të shtatë viteve të fundit

Rreziku i rifinancimet të borxhit të brendshëm, në nivelet më të larta të shtatë viteve të fundit

12:32, 31/08/2023
A+ Aa A-

Rreziku i rifinancimit të borxhit të brendshëm publik këtë vit paraqitet në nivelet më të larta të shtatë viteve të fundit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, vlera e borxhit të brendshëm që maturohet brenda një viti në fund të 6-mujorit përbënte 50.9% të të totalit të borxhit të brendshëm. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2016, kur borxhi i maturuar brenda një vitit përbënte 53.5% të totalit të portofolit të borxhit të brendshëm.

Pas vitit 2017, ky tregues shënoi një tendencë në rënie, duke reflektuar strategjinë e MFE për të rritur huamarrjen afatgjatë. Kjo lëvizje kishte si qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit, duke shfrytëzuar njëkohësisht edhe normat e ulëta historike të interesit. Nga viti 2018 e në vazhdim, pesha e borxhit me maturim afatshkurtër në strukturën totale të borxhit të brendshëm publik ka qenë vazhdimisht poshtë nivelit të 50%.

Megjithatë, sinjale të qarta të rritjes së këtij treguesi u shfaqën qysh vitin e kaluar. Rritja e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë shkaktoi pasiguri të lartë në tregun financiarë dhe sidomos investitorët institucionalë, kryesisht bankat, ishin hezitues në investimet në instrumente afatgjata.

Në këtë situatë, MFE u detyrua të përshtatej dhe ta orientonte më shumë huamarrjen e brendshme drejt bonove të thesarit. Në fund të vitit 2022, borxhi me maturim brenda një viti arriti në 47.9% të totalit të borxhit të brendshëm, ndërsa piku u shënua në fund të tremujorit të parë 2023, me 51.9% të totalit.

Duke filluar nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, tregu i bonove dhe obligacioneve filloi të qetësohej, falë sinjaleve rënëse të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Këtë vit, MFE i është rikthyer strategjisë së rritjes graduale të maturitetit të borxhit. Në mesin e këtij viti, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 814 ditë, nga 780 ditë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

Kjo rritje dëshmon pikërisht përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Por, megjithatë, pasojat e vitit të kaluar vazhdojnë të ndihen dhe në mesin e këtij viti treguesi i rrezikut të rifinancimit ngelet pranë niveleve më të larta të shtatë viteve të fundit.

Borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare në mesin e këtij viti arriti në rreth 745 miliardë lekë, në rritje me 4.5% ose rreth 32 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Huamarrja e brendshme është e realizuar e gjitha nëpërmjet letrave me vlerë të borxhit.

Në dy tremujorët e parë, huamarrja e brendshme kishte vlera më të larta se parashikimet e planit të huamarrjes, kryesisht për të shfrytëzuar kushtet e favorshme të tregut dhe tendencën afatshkurtër rënëse të yield-eve në këtë periudhë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco