Terapitë reja kundër sëmundjeve të rënda: Europa rimbursoi 160, Shqipëria vetëm 5

Terapitë reja kundër sëmundjeve të rënda: Europa rimbursoi 160, Shqipëria vetëm 5

07:52, 24/09/2022
A+ Aa A-

Kanceri dhe sëmundjet e rralla “vrasin” mijëra persona gjatë një viti, edhe për shkak se, Shqipëria nuk ka akses në terapitë e reja inovative që trajtojnë këto sëmundje. Nga viti 2017 deri në vitin 2020, Shqipëria përfshiu në listën e rimbursimit vetëm 5 barna të reja nga 160 të tilla që hynë në përdorim në vendet Europës. Për trajtimin e sëmundjeve të rralla, në këtë periudhë Shqipëria nuk përfshiu asnjë medikament të ri në listën e rimbursimit, ndërsa vendet në Europë, 57 barna. Statistikat tregojnë për një përhapje të shpejtë të kancerit dhe barrës së sëmundjeve, por fondet për rimbursimin mbeten në vendnumëro, shkruan Blerina Hoxha e Monitor.

Si një vend ku varfëria është e pranishme në 30% të popullsisë dhe buxheti publik ka kapacitete të kufizuara për shëndetësinë, pacientët shqiptarë vuajnë nga mungesa të thella të terapive inovative që do të mund të shpëtonin mijëra jetë, sidomos nga zbulimi dhe trajtimi në kohë i neoplazmave.

Nga viti 2017 deri në vitin 2020, Bashkimi Europian ka miratuar rreth 160 barna të reja që trajtojnë sëmundje të ndryshme, por në Shqipëri, gjatë së njëjtës periudhë janë përfshirë vetëm 5 prej tyre në listat e rimbursimit.

Një studim i fundit i IQVIA (kompani shumëkombëshe që u shërben industrive të kombinuara të teknologjisë së informacionit shëndetësor dhe kërkimit klinik) gjeti se Shqipëria ka praninë më të ulët të medikamenteve të reja, me një diferencë shumë të madhe me fqinjët si Maqedonia e Veriut, Serbia, të cilat kanë miratuar përkatësisht 11 dhe 17 medikamente të reja secila.

Burimet nga Shoqata e Farmacistëve të Shqipërisë thanë se, mungesa në tregun e medikamenteve të reja lidhet me fondet e ulëta buxhetore për rimbursimin e tyre. Zakonisht këto medikamente janë të kushtueshme dhe shtetet i përfshijnë në listën e rimbursimit.

Kompanitë nuk janë të interesuara t’i sjellin këto barna në treg, nëse nuk janë të përfshira në rimbursim, pasi në të gjithë botën, shpërndarja e tyre te pacientët mbulohet nga buxheti publik.

Studimi i IQVIA tregon se nga 160 medikamentet e reja që u miratuan për përdorim, 74 prej tyre, ose rreth 46%, janë në dispozicion të pacientëve në BE, ndërsa në Shqipëri, vetëm 3% e tyre në dispozicion.

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, në një shpjegim të posaçëm evidentoi se, që nga viti 2017 deri në vitin 2020 ka dhënë Autorizim për Tregtimin në Republikën e Shqipërisë, për rreth 194 barna antitumorale, përfshirë këtu edhe 10 barna “Orphan”, nëpërmjet Procedurës së Përshpejtuar, 30 ditë nga data e aplikimit.

Por Shoqata e Farmacistëve të Shqipërisë shpjegoi se regjistrimi i produkteve farmaceutike nuk do të thotë se mund të gjenden në treg. Kostoja e mujore e një medikamenti të ri i kalon 500 euro në muaj dhe aftësia për ta blerë atë në treg të lirë është vetëm për pacientë që numërohen me gishtat e dorës, teksa kanë nevojë mjekimi mijëra persona.

“Bari bëhet i përdorshëm, kur ai përfshihet në listën e rimbursimit. Shqipëria e ka fondin e rimbursimit të medikamenteve vetëm 100 milionë dollarë në muaj, ndërsa vendet e rajonit dhe Europës, deri në 10-fish më të lartë”, sqaroi shoqata.

Më tej, shoqata shpjegoi se, përdorimi i barnave të reja për pacientët shqiptarë mundësohet nga lista e rimbursimit, e cila administrohet nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore (FSDKSH). Por FSDKSH nuk iu përgjigj interesit në lidhje me strukturën e buxhetit të sigurimeve shëndetësore dhe përfshirjen në listë të terapive të reja, deri në momentin kur u shkrua ky artikull.

Për shkak se tregu i ilaçeve të kushtueshme lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me listën e rimbursimit, kompanitë e mëdha të farmaceutikës janë duke rishikuar pozicionin e tyre në Shqipëri, me perspektivë mbylljen e filialeve.

Fondi i rimbursimit të medikamenteve këtë vit është rreth 11 miliardë lekë.

Buxheti i Fondit të Sigurimit Shëndetësor është rritur vit pas viti, por ritmet e rritjes nuk kanë qenë të njëjta për fondin e rimbursimit të medikamenteve. Në vitin 2019, fondet për rimbursimin e barnave zinin 27% të buxhetit total të sigurimeve shëndetësore, ndërsa në vitin 2022, ato janë planifikuar të zënë vetëm 23% të buxhetit total të sigurimeve.

Buxheti i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore (FSDKSH) është rritur vit pas viti, por rritja më së shumti ka shkuar për financimin e kontratave me Partneritet Publik-Privat, si kontrolli mjekësor bazë (check-up, sterilizimi i mjeteve kirurgjikale, dializa dhe së fundmi laboratori). Në vitin 2020, shpenzimet për pagesat e koncesioneve zunë 4.6% të shpenzimeve totale të Fondit të Sigurimeve./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco