Borxhi publik në rritje tregon se inflacioni do të vazhdojë

Borxhi publik në rritje tregon se inflacioni do të vazhdojë

07:11, 06/03/2022
A+ Aa A-

Nga Mihai Macovei.

Përballë një makthi fiskal nga rritja e deficiteve buxhetore dhe borxheve publike vitet e fundit, si mund të pritet që Rezerva Federale ose Banka Qëndrore Europiane të vihen menjëherë në lëvizje për të normalizuar normat e interesit?

Pas më shumë se një dekade inflacioni të ulët të çmimeve të konsumit, pavarësisht stimujve të mëdhenj monetarë dhe fiskalë, rritja e çmimeve të konsumit vitin e kaluar, befasoi shumicën e bankave qendrore.

Në fillim, ato u përpoqën ta shpërfillin atë si “kalimtar”, duke pretenduar se ishte shkaktuar thjesht nga pengesat e furnizimit të lidhura me pandeminë.

Por, brenda pak muajsh, kur pagat filluan të rriteshin me shpejtësi, kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, ishte i detyruar të pranonte se “faktorët që e nxisin rritjen e inflacionit do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm”. Ai ka thënë se Rezerva Federale do të ndërmarrë veprimet e duhura për të zgjidhur problemin e inflacionit, por këto fjalë nuk janë aspak bindëse.

Si Rezerva Federale, ashtu edhe Banka Qendrore Europiane (BQE), duket se po marrin vetëm hapa të vegjël nëpërmjet rritjes së normave të interesit, duke treguar se nuk duan të rrezikojnë një recesion, duke u përpjekur të zbusin inflacionin.

Rritja e normave të interesit ka shumë të ngjarë që të shpërthejë flluskat aktuale të tregut të aksioneve, pasurive të paluajtshme dhe borxhit të korporatave, duke nxjerrë në pah keqinvestimet e nxitura nga stimujt e rritjes ekonomike.

Rezerva Federale është mjaft e vetëdijshme për këtë rrezik, sepse kështu ndodhi në vitin 2019, kur tregjet financiare ranë, pasi normat e interesit u rritën katër herë në vitin 2018. Në vend që të vazhdonte me normalizimin e politikës monetare, Rezerva Federale hyri në një gjendje paniku dhe ndryshoi menjëherë drejtim. Kjo është arsyeja pse shumë analistë dyshojnë në vendosmërinë e Rezervës Federale për të kundërshtuar tani drejtpërsëdrejti inflacionin.

Një tjetër pengesë për uljen e inflacionit është stoku i madh i borxhit publik të akumuluar që nga kriza financiare globale (KFG) dhe një rritje shqetësuese e shpenzimeve publike edhe në ekonomitë më të kursyera. Për më tepër, kjo prirje mbështetet nga thirrjet në rritje për tolerime fiskale nga ekspertët kryesorë.

Përkeqësim i rëndë i pozicioneve fiskale

Ndryshimet në qëndrimin fiskal kanë qenë një shtytës i rëndësishëm i inflacionit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit në SHBA, gjatë 70 viteve të fundit.

Kur deficitet buxhetore janë zgjeruar, inflacioni vjetor është rritur afër ose mbi shifrën 5 për qind, veçanërisht pasi SHBA-ja hoqi dorë nga Standardi i Arit në vitin 1971 (grafiku 1). Ka edhe faktorë të tjerë që kontribuojnë në një rritje artificiale të mjeteve që shihen si zëvendësuese të parasë. Por pothuajse sa herë që ka zhbalancime fiskale, bankat qendrore përfundojnë duke monetizuar një sasi më të madhe të borxhit të qeverisë.

Në dy dekadat e fundit, ka pasur rritje të borxhit publik në mbarë botën. Në ekonomitë e zhvilluara, barra e borxhit publik u rrit nga rreth 70 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2001, në mbi 120 për qind të PBB-së në vitin 2021 (shihni Bazën e të Dhënave të Perspektivës Ekonomike Botërore të Fondit Monetar Ndërkombëtar [FMN]).

Megjithatë, pagesat e interesit ranë ndjeshëm për shkak të normave të ulëta të interesit. Për shembull, si Franca ashtu edhe SHBA-ja, e nisën mijëvjeçarin e ri me raporte të borxhit publik prej më pak se 60 për qind e PBB-së, një shifër që u dyfishua vitin e kaluar në të dyja vendet, duke arritur në afërsisht 120 për qind të PBB-së në Francë dhe mbi 130 për qind të PBB-së në SHBA (grafiku 2).

Në të njëjtën periudhë, kostoja vjetore e borxhit publik ra nga 2.5 për qind, në 1 për qind të PBB-së në Francë dhe nga 3 për qind, në 2 për qind të PBB-së në SHBA. Borxhi publik i Italisë u rrit me rreth 45 pikë përqindje të PBB-së, ndërsa pagesat e interesit u përgjysmuan nga rreth 6, në 3 për qind të PBB-së.

Një përllogaritje na tregon se me normat e interesit që mbizotëronin para vitit 2001, kostoja vjetore e borxhit publik aktual, do të ishte rreth 5.5 për qind e PBB-së më e lartë në Itali dhe SHBA dhe 4 për qind e PBB-së më e lartë në Francë, në krahasim me vitin e kaluar.

Për më tepër, deficitet buxhetore në të tre vendet janë fryrë duke arritur në ose mbi 10 për qind të PBB-së në vitin 2021 dhe, sipas FMN-së, në rastin më të mirë, ato mund të bien në 3-4 për qind të PBB-së në Itali dhe Francë dhe 5 për qind të PBB-së në SHBA, pas pandemisë. Përballë një makthi të tillë fiskal, si mund të pritet që Rezerva Federale ose BQE-ja të vihen menjëherë në lëvizje për të normalizuar normat e interesit?

Shthurja fiskale duket se po përhapet më shpejt se pandemia

Edhe më keq, shthurja fiskale duket se po përhapet më shpejt se pandemia. Megjithëse Italia dhe Franca nuk kanë shkëlqyer ndonjëherë në disiplinën fiskale, vende të tjera si Australia, Koreja e Jugut, Gjermania dhe Holanda, dikur ishin të njohura për kufizimin e tyre fiskal. Kjo nuk është më e vërtetë tani.

Për shkak të stimujve fiskalë të përsëritur, borxhi publik i Australisë u rrit nga një nivel shumë i ulët prej 10 për qind e PBB-së përpara krizës financiare globale, në 62 për qind të PBB-së në vitin 2021 (shih Bazën e të Dhënave të Perspektivës Ekonomike Botërore). Korrigjimi i deficiteve dhe i borxhit, tani është bërë një sfidë serioze, e cila është ndërlikuar edhe më tepër nga një flluskë kërcënuese e pasurive të paluajtshme.

Që nga viti 2017, kur presidenti Moon Jae erdhi në pushtet në Korenë e Jugut, strategjia e tij e rritjes ekonomike, e bazuar në rritjen e konsumit dhe rishpërndarjen e të ardhurave, çoi në një zgjerim të konsiderueshëm fiskal. Vargu i gjatë i suficiteve të mëdha fiskale të Koresë përfundoi pak para pandemisë dhe kështu buxheti kishte një deficit prej 3 për qind të PBB-së në vitin 2021 (grafiku 3).

Shpenzimet buxhetore të këtij viti parashikohen të rriten edhe me 8 për qind, me qëllim për të zgjeruar rrjetin e sigurisë sociale të Koresë, për të subvencionuar bizneset e vogla dhe për të investuar në tranzicionin e gjelbër.

Edhe kursimtarët u “dorëzuan”

Gjermania dhe Holanda kanë qenë “kursimtarët” më të shquar të Eurozonës, duke drejtuar buxhete të balancuara për vite me radhë dhe duke u përpjekur të frenojnë ekstravagancën fiskale të anëtarëve të tjerë dhe buxhetin e përbashkët të BE-së.

Tani, të dyja vendet kanë qeveri të mëdha koalicioni që kanë premtuar një rritje të jashtëzakonshme të shpenzimeve publike, përveç zgjerimit të parë që u bë gjatë pandemisë. Pozicioni fiskal i Holandës u përkeqësua nga një suficit prej 2.5 për qind e PBB-së në vitin 2019, në një deficit mbi 6 për qind të PBB-së në vitin 2021 (grafiku 3).

Buxheti pritet të mbetet në një nivel të rrezikshëm edhe gjatë viteve të ardhshme, pasi qeveria po planifikon të shpenzojë më shumë për strehimin, arsimin, kujdesin për fëmijët dhe tranzicionin e gjelbër. Gjermania e mbylli vitin 2021 me një deficit buxhetor prej afërsisht 7 për qind të PBB-së dhe qeveria e saj e re ka axhenda të gjelbra dhe sociale mjaft ambicioze.

Koalicioni i ri qeveritar dëshiron të përshpejtojë me tetë vjet eliminimin e energjisë së prodhuar nga qymyri, duke e arritur atë në vitin 2030, të vendosë 15 milionë makina elektrike në rrugë, të ndërtojë 400,000 banesa sociale dhe të rrisë pagën minimale në 12 euro në orë, ndërkohë që ende zotohet të rivendosë të ashtuquajturën “frenë borxhi” deri në vitin 2023 dhe të mos rrisë taksat.

Prirja e Gjermanisë drejt zbutjes fiskale është e dukshme jo vetëm në planet e shpenzimeve më të larta, por edhe në një qëndrim më të butë ndaj lehtësimit të rregullave fiskale të BE-së.

Këto të fundit u pezulluan gjatë pandemisë dhe vendet me borxhe të mëdha, si Italia, Franca dhe Greqia, kërkojnë që t’i zbusin ato në mënyrë që të plotësojnë nevojën e madhe për investime të gjelbra. Objektivat klimatike jashtëzakonisht ambicioze të BE-së, vlerësohen se kushtojnë deri në 1 për qind të PBB-së në investime publike çdo vit gjatë kësaj dekade, duke e ndërlikuar edhe më tepër sfidën e konsolidimit fiskal.

Me më pak kundërshtime ndaj lehtësimit të rregullave fiskale nga ana e Holandës dhe Gjermanisë dhe rritjes së divergjencave fiskale midis anëtarëve të Eurozonës, ka shumë të ngjarë që konsideratat e stabilitetit financiar dhe rritjes afatshkurtër, të kenë përparësi ndaj disiplinës fiskale.

Thirrjet për të ulur borxhin

Të njëjtët zëra që kërkojnë stimuj të mëdhenj ekonomikë si pasojë e krizës financiare globale, po argumentojnë përsëri, sipas një stili kejnesian, se masat shtrënguese janë një rrugë drejt dështimit, ndërsa “investimi” publik do të nxisë rritjen dhe përfundimisht do të përmirësojë stabilitetin fiskal, duke reduktuar raportin e borxhit ndaj PBB-së.

Sipas tyre, Europa nuk duhet t’i rikthehet rregullave fiskale parapandemike, ndonëse ato thuajse nuk respektoheshin as në atë kohë. Argumentet kryesore janë të ashtuquajturat suksese të dukshme të shpenzimeve masive të deficitit gjatë pandemisë dhe performanca më e mirë e rritjes së Shteteve të Bashkuara gjatë Recesionit të Madh.

Por, së bashku me “dekadat e humbura” të Japonisë, këta janë në fakt shembuj shumë të mirë që tregojnë se stimujt e rritjes ekonomike nuk funksionojnë.

Rimëkëmbja ekonomike ka mbetur e ndrydhur jo vetëm në SHBA, por në të gjitha ekonomitë e përparuara që zgjodhën të kryejnë shpenzime të mëdha për të dalë nga Recesioni i Madh. Nivelet e borxhit publik dhe privat vazhduan të rriten paralelisht, ndërkohë që flluskat e bursës dhe të pasurive të paluajtshme u rritën në nivele të reja.

Me stimujt monetarë dhe fiskalë ende në fuqi, “rimëkëmbja” është kryesisht një fryrës artificial i PBB-së, që ka të ngjarë të shpërthejë kur të tërhiqet stimuli. Strategjia e investimeve dhe e rritjes, e mbrojtur nga ekonomistët e zakonshëm, nuk është gjë tjetër veçse një thirrje për të fryrë borxhin nëpërmjet shpenzimeve publike.

Këto pretendime janë krejt të pavëmendshme ndaj efekteve katastrofike që do të kishte një përshpejtim i shtypjes së parave – duke përkeqësuar erozionin e kapitalit dhe pengesat në strukturën e prodhimit.

Disa përkrahës të inflacionit përpiqen gjithashtu të përdorin modelimin ekonometrik për të treguar se politika monetare nuk ka qenë mjaft ekspansioniste deri tani, duke u kufizuar nga kufiri i poshtëm zero. Sipas këndvështrimit të tyre, lehtësimi sasior mund të ndihmojë në arritjen e objektivave të inflacionit dhe në uljen e kostove të borxhit, që politika fiskale të mund të ndërhyjë në mënyrë më agresive për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të stabilizuar kështu pozicionin fiskal.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse nivelet e borxhit nuk janë stabilizuar tashmë, pas dekadash stimujsh bujarë fiskalë? Dhe si shpjegohen flluskat e aseteve që janë rritur gjatë dy dekadave të fundit, nëse politika monetare ka qenë shumë e shtrënguar?

Në realitet, sinergjia “virtuoze” midis relaksimit monetar dhe atij fiskal, mund të përfundojë vetëm në një spirale të rritjes së pakontrollueshme të borxhit dhe inflacionit. Shembujt historikë të Argjentinës dhe Gjermanisë, ilustrojnë shumë mirë rreziqet e monetizimit të borxhit që çojnë në hiperinflacion dhe kolaps ekonomik. E gjithë kjo propagandë në favor të inflacionit, tregon se qeveritë nuk kanë ndër mend t’i pezullojnë politikat inflacioniste në një të ardhme të afërt.

Dilemat
Në realitet, sinergjia “virtuoze” midis relaksimit monetar dhe atij fiskal, mund të përfundojë vetëm në një spirale të rritjes së pakontrollueshme të borxhit dhe inflacionit. Shembujt historikë të Argjentinës dhe Gjermanisë, ilustrojnë shumë mirë rreziqet e monetizimit të borxhit që çojnë në hiperinflacion dhe kolaps ekonomik.
E gjithë kjo propagandë në favor të inflacionit, tregon se qeveritë nuk kanë ndër mend t’i pezullojnë politikat inflacioniste në një të ardhme të afërt.

Pritshmëritë për inflacion më të lartë

Sondazhet tregojnë se njerëzit kanë filluar ta kuptojnë se inflacioni ka të ngjarë të rritet më tej dhe jo të zbehet. Kjo po nxit gradualisht kërkesat për paga më të larta dhe tendencën për t’ju shmangur parave të gatshme. Sapo të të bëhen të qëndrueshme pritshmëritë e inflacionit, hapësira e bankës qendrore për të kontrolluar inflacionin dhe për ta përdorur atë për të ulur borxhin, do të ngushtohet ndjeshëm.

Thorsten Polleit argumenton se Rezerva Federale mund të synojë një inflacion paksa më të lartë, në një interval prej 4 deri në 6 për qind në vit, pa e lënë atë të dalë jashtë kontrollit. Por duke pasur parasysh nivelet tashmë shumë të larta të borxhit dhe pritshmëritë për rritje të inflacionit, planet e bankave qendrore mund të prishen lehtësisht.

Buimi: https://mises.org/wire/growing-pile-public-debt-shows-inflation-here-stay/ Përktheu: Lira Muça/MONITOR

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco