Milionat që Kosova i humbi në heshtje: flasin profesionistët në Syri.net Kosova

Milionat që Kosova i humbi në heshtje: flasin profesionistët në Syri.net Kosova

10:53, 01/03/2022
A+ Aa A-

Prishtina është njohur si bastion i jetës së natës dhe organizimeve të festivale. Në Kosovë, përmes ‘Sunny Hill’ e organizimeve tjera kulturore, kanë përformuar emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare. Por, që nga pandemia e deri sot, kjo lloj jete në kryeqytet është zbehur shumë. Tashmë, krejt ku mund të dilet, janë kafiteritë e vogla, aty ku muzika ndalet në ora 22:00. Si do që të jetë, mungesa e aktivitetit kulturor, ndikon edhe në rënien e ekonomisë. Syri.net Kosova sjell më poshtë opinione e vlerësime rreth kësaj dukurie, që po shkon duke u rënduar

Nga Erdonit Hoxha

Organizimi i një mbrëmje të madhe muzikore, qoftë me emra të mëdhenj të skenës kosovare, apo ndërkombëtare, ka qenë një atraktivitet kulturor që është pritur me ditë, që të ndodhte.

Mirëpo, jo vetëm koncertet e festivalet e këtij lloji, i kanë dhënë frymë kulturës në kryeqytet, vatrës më të madhe dhe përqendrimit më të madh nga gjithë Kosova.

Thuajse çdo organizim tjetër që është bërë, me motive kulturore, ka qenë i mirëseardhur nga qytetarët e Prishtinës, duke gjetur secili veten në këto organizime.

Mirëpo, nga koha kur Kosova u mbyll nga pandemia COVID-19, e deri më sot, përqendrimi më i madh ka qenë në ruajtjen e shëndetit publik nga ky virus dhe qeveritë që kaluan janë munduar që të bëjnë edhe ringjallje ekonomike, duke ‘harruar’ në një formë apo tjetrën, anën kulturore, ani pse kjo e fundit lidhet shumë me ekonominë, duke pasur parasysh se mbyllja e vazhduar, po shkakton edhe probleme psikike te qytetarët, siç është depresioni.

Për këtë lidhshmëri mes këtyre dy fushave, ka folur edhe Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve.

Në një bisedë për Syri.net Kosova, ai tha se ndikimi i masave ka bërë që të ketë zbehje kulturore në kryeqytet, që ka reflektuar edhe në ekonominë e vendit, pasi, pika më e fortë turistike e Kosovës dhe Prishtinës në përgjithësi, është jeta e natës dhe gastronomia, e nëse këto dyja vazhdojnë të goditën në këtë formë, do goditet edhe ekonomia e vendit.

“Nga 13 marsi deri me tash kemi pasur vetëm funksionimin e sallave të dasmave e ahengjeve, një periudhë të shkurtë edhe të klubeve të natës dhe gastronominë, kurse, në shtetet tjera, për shembull në Shqipëri ka pasur jetë kulturore. Ne si vend, strategji turistike më të fortë e kemi jetën e natës, si një lloj oferte për ta. Sa i përket festivaleve, ato nuk janë lejuar të mbahen në Kosovë, e në vendet për-rreth po, e natyrisht se kjo ndikon keq, pasi, ne si ekonomi jemi të fokusuar në konsum dhe po rrezikohet konsumi jonë që qytetarët të shkojnë në vendet tjera, e në kuptimin makro, mbyllja po ndikon shumë keq në dobësimin e kësaj pike shumë të fortë që e kemi, si turizëm e sektor” tha Vranica.

Ai po ashtu tha se në takimet me qytetarët, pyetja që më së shumti marrin ka të bëj pikërisht me riaktualizimin e jetës kulturore dhe jetës së natës në përgjithësi në kryeqytet, si qendra më e madhe e realizimit të këtyre ngjarjeve.

I pyetur se çfarë masa do marrin që zëri i tyre të dëgjohet nga organet kompetente, që sipas Vraincës komunikimi me Qeverinë Kurti lë për të dëshiruar, ai tha se nuk do organizojnë protesta më, por,

“OBSH ka rekomandu që masat të kenë sa më pak stres ekonomik dhe social, e cila është shumë e rëndësishme në shëndetin mendor dhe publik, te ne nuk po trajtohet me seriozitet një gjë e tillë, natyrisht që ne e kemi presionin tonë të vazhduar që e bëjmë ndaj institucioneve relevante, qoftë në aspektin e menaxhimit të pandemisë, qoftë në aspektin e mbështetjes së bizneseve, por bashkëpunimi i sektorit publik lë shumë për të dëshiruar, por shpresoj se s’do ndikoj në rritjen e krizës ekonomike. Ne presionin e bëjmë, për shembull për klube nate e festivale, ne kemi kontakt me organizatorët, pronarët e klubeve të natës dhe këngëtarë të ndryshëm, që së bashku ta rrisim presionin dhe shpresojmë që Qeveria Kurti të marr sinjal e ta liberalizojë ekonominë” përfundoi Vranica.

Kurse, për ekonomistin kosovar, Mustafë Kadrijaj, për jetën e rënduar ekonomike e kulturore në kryeqytet pos pandemisë e ka rënduar edhe udhëheqja e Shpend Ahemtit, i cili ishte i fokusuar vetëm në admisintrimin e kryeyetetit.

Në një bisedë për Syri Kosova, ai tha se me këtë gjendje siç është Prishtina, Përparim Ramën e pret një punë e madhe.

“Vlerësoj që janë dy faktorë që është rënduar jeta e qytetarit, së pari,  pandemia bëri të veten dhe së dyti,  mandati i dytë i ish-kryetarit Shpend Ahmeti, ishte më shumë administrativ, sesa politika zhvillimore, si në aspektin ekonomik dhe kulturor. Këta faktorë kanë bërë që entuziazmi dhe optimizmi tek qytetari i Prishtinës të bie, ku është zbehur motivi për jetë, si rezultat i mosperspektives. Kryetari Përparim Rama ka shumë punë për të bërë, si në politika ekonomike, urbanizëm, ambient të pastër, kulturë dhe arsim, sepse, i gjithë koncentrimi i qytetarëve dhe i ekonomisë është i fokusuar në Prishtinë, pra, Prishtina është mostër për nivelin ekonomik dhe kulturor në vend” tha Kadrijaj.

Për të dal në klube nate, apo, për t’i parë  nga afër yjet e skenës ndërkombëtare në Kosovë, përmes festivaleve, malli e ka marrë edhe Pranvera P., qytetare nga Prishtina.

Ajo i tha Syrit se nëse kjo gjë nuk do ndodh në vend, do shkojë në shtetet tjera, ani pse i duhet të kontribuojë në rritjen e ekonomisë së tyre në këtë rast.

“U bë kohë e gjatë që s’kam dalur ashtu siç jam mësuar të dal. Më mungon ajo energjia, ajo kënaqësia që përjetoja dikur. Tashmë jeta është bërë vetëm punë-shtëpi, pa asnjë atraktivitet. Kosova është vend që ka shumë rini, por, jemi pa perspektive, në shumë aspekte. Uroj që të gjendet një zgjidhje, pasi edhe rastet kanë rënë dhe këto masa janë të pakuptimta. Përndryshe, si shumë moshatarë të mi, do shkoj në Shqipëri apo kudo që ka koncerte e festivale”, tha ajo.

Kujtojmë që shtetet e rajonit, siç është Shqipëria, jeta e natës po vazhdon, madje, muajin tjetër do mbahet edhe koncerti i Malumës, yllit ndërkombëtar, e interesimi për të shkuar atje, është mjaft i madh nga ana e kosovarëve, të paktën kështu shihet ana e kërkesave për t’u pajisur me bileta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco