Shtrenjtimi i energjisë elektrike në Kosovë, vendimi pritet brenda 20 shkurtit

Shtrenjtimi i energjisë elektrike në Kosovë, vendimi pritet brenda 20 shkurtit

07:15, 08/02/2022
A+ Aa A-

Prishtinë - Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë ka shqyrtuar të gjitha propozim-komentet për ndryshimin e strukturës së re tarifore, e që pritet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike të merret para 20 shkurtit. Kurse, Qeveria është zotuar se ka ndarë 90 milionë për subvencionim e energjisë.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka aprovuar të ardhurat maksimale për KEDS dhe KESCO, ndërsa në mbledhjen e ardhshme pritet të vendoset për çështjen e tarifave të reja të energjisë elektrike, që parashihet të ketë ngritje.

Pas mbledhjes në të cilën u shqyrtuan të hyrat e lejuara maksimale për KOSTT, KEDS dhe KESCO, kryetari Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu theksoi se muajin e kaluar kanë vërejtur ndryshime esenciale në parashikimet që i kishin bërë në janar, kur e kishin publikuar raportin konsultativ ku përfshihej propozimi për shtrenjtim të rrymës.

Fejzullahu tha se këto ndryshime do t’i publikojnë, ndërsa njoftoi se tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të miratohen në mbledhjen e radhës të ZRRE-së.

“Nëse i shikojmë edhe raportet besoj, që sot do t’i publikojmë, por ndryshimi esencial është që ne kemi marrë për bazë edhe kostot aktuale të muajit janar, për informimin e publikut edhe në vlerësimin e parë meqenëse ka qenë parashikim gjatë vlerësimit tonë të muajit janar, kemi një diferencë të madhe mes atyre që kanë qenë të parashikuara dhe të realizuara që në realitet kostot e realizuara për muajin janar kanë qenë më të larta se ato që kemi parashikuar në raportin konsultativ. Mirëpo kemi pasur edhe disa komponentë të tjerë të cilat kanë qenë shumë më të ulëta se që kemi parashikuar në raportin fillestar”.

Për të hyrë vendimi në fuqi nga 1 shkurti, kryetari i bordit të ZRRE, tha se po përpiqen që vendimin për shtrenjtim të rrymës ta marrin para 20 shkurtit, derisa nuk përjashtoi mundësinë që mbledhja për shtrenjtimin e rrymës të mbahet gjatë kësaj jave.

“Ne jemi duke bërë përpjekje që kjo të ndodhë më herët (para 20 shkurtit), është shqyrtim i jashtëzakonshëm, jemi duke u munduar që maksimalisht që si proces të përfundojë sa më parë, duke pasur parasysh që kemi një kosto shtesë në sistem për të cilën domosdoshmërish duhet të marrim një vendim që këto kosto të mbulohen sa më shpejt prej konsumatorëve, në këtë rast edhe prej subvencionit të qeverisë, të cilën ata e kanë ndarë në mbledhjen e fundit”, theksoi ai.

Bordi i ZRRE-së në mbledhjen e fundit i ka aprovuar 179.56 milionë euro të hyra për KEDS dhe 347 milionë euro për KESCO. Kësaj të fundit i janë zvogëluar të hyrat për rreth 100 milionë euro, pasi që këto mjete do të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar. Ndërsa, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) janë aprovuar në vlerë prej 38.84 milionë.

Kurse, gjatë ditës së shtunë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim me të cilin ka ngritur vlerën e zotuar për subvencionim së energjisë në vlerë prej 90 milionë eurosh, nga 75 milionë sa ishte në një vendim të mëhershëm.

Vendimi ka dalë nga mbledhja e 60-të e Qeverisë Kurti, që është mbajtur online.

“Në mbledhjen e sotme është miratuar propozimi i Ministrisë së Ekonomisë për zotimin e Qeverisë për subvencionimin e pagesës së energjisë nga konsumatorët. Sipas vendimit të miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për subvencionim të energjisë në shumën prej 90.000.000.00 € (nëntëdhjetë milionë euro)”, thuhet në njoftim.

Sipas Qeverisë, vendimi synon të ulë ndikimin e tarifave të energjisë për konsumatorët.

“Ky vendim është marrë pas rritjes enorme të çmimeve të importit, që ka shkaktuar krizën e furnizimit me energji elektrike në vend”.

Rritje e çmimit të rrymës me të njëjtën përqindje është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj. Për këtë propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

Bazuar në të dhënat e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), konsumi mesatar nga viti 2012 – 2020 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh në muaj është rreth 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar gjatë 2021-së për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh. Gjatë vitit, 44 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj.

Konsumatori me konsum 600 kWh në muaj paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit dhe 79 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës./ F.Shala/MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco