Na furnizon Rusia e Serbia, importi i grurit u rrit vitin e shkuar, bashkë me të edhe çmimi

Na furnizon Rusia e Serbia, importi i grurit u rrit vitin e shkuar, bashkë me të edhe çmimi

11:59, 02/02/2022
A+ Aa A-

Shqipëria është ndër shtetet me varësinë më të lartë për sa i përket importit të grurit, dhe ky hendek u thellua edhe më tej vitin e shkuar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë 2021-shit u ble nga jashtë një sasi prej 272 mijë kuintalë drithëra, niveli më i lartë i gjashtë viteve të fundit.

Rreth 70 për qind e drithit vitin e shkuar rezulton të ketë ardhur nga Rusia, ndërsa pjesa tjetër nga Serbia.

Po pse kjo varësi e lartë nga jashtë për një ndër vendet më bujqësorë në Europë?

“Kjo ndodh për shumë arsye, por këto 30 vite bujqësia është lënë jashtë vëmendjes së qeverisë nga financimet. Nuk ka financime. Reformat që bëhen nuk janë të studiuara. Në këtë situatë ne jemi të pajustifikuar të kultivojmë misër e grurë”, u shpreh agronomi Zef Gjeta.  

Bashkë me sasinë më të lartë të importuar në vitet e fundit, Shqipëria pagoi më shtrenjtë se kurdoherë për drithin e blerë. Nga të dhënat, rezulton se gjatë vitit të shkuar një kilogram u ble me 37 lekë, niveli më i lartë në 6 vitet e fundit.

“Çmimi ndryshon në varësi edhe të tregut. Por kur je i varur nga jashtë e pëson më shumë dhe e dyta cilësia. Ne marrim grurë, miell e misër të një cilësie jo të mirë. Kjo dëshmohet si nga çmimi referencat ndërkombëtare dhe nga analizat për përmbajtjen e proteinës dhe amflatoksinës”, theksoi Gjeta.

Referuar të dhënave të INSTAT, Shqipëria arrin të prodhojë drithëra sa për të përmbushur 45 për qind të nevojave. Kultura bujqësore kultivohet kryesisht në Lushnjë, Maliq, Divjakë, Korçë dhe Elbasan.

Sikur të mos mjaftonte edhe kjo sasi po vjen duke u tkurrur nga viti në vit për shkak se tokat po lihen djerrë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në vitin 2016 u mboll një sipërfaqe prej 70 511 hektarë, e cila u reduktua në më pak se 54 mijë në 2020-n./A2CNN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco