Zelensky i viziton trupat ukrainase në kufi me rajonin rus

Zelensky i viziton trupat ukrainase në kufi me rajonin rus

21:07, 04/10/2024
A+ Aa A-

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka vizituar të premten trupat ukrainase në rajonin verilindor të vendit, Sumi, ku foli me komandantë dhe ushtarë të cilët janë duke luftuar përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë dhe në rajonin Kursk të Rusisë.

Ukraina e nisi inkursionin befasues në Kursk pikërisht nga Sumi, para gati dy muajve.

Zelensky theksoi se operacion është “strategjik” për t’i motivuar partnerët e Kievit të jenë “më vendimtarë dhe për t’i bërë trysni Rusisë”.

Forcat ukrainase thuhet se i kanë zënë rreth 1.300 kilometra katrorë tokë ruse në rajonin e Kurskit. Megjithëse ritmi i inkursionit është ngadalësuar, Zelensky tha se “e ka ndihmuar shumë” Kievin për ta siguruar paketën më të re me ndihma ushtarake nga Perëndimi.

“Ne duhet ta motivojmë tërë botën dhe t’i bindim ata se ukrainasit mund të jenë më të fuqishëm sesa armiku”, u tha Zelensky ushtarëve ukrainas.

Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Ndërkohë, zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë raportuan të premten më herët se ushtria ruse vrau së paku tre civilë gjatë sulmeve në katër rajone ukrainase.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia e sulmoi Ukrainën me 19 dronë, nëntë prej të cilëve u rrëzuan nga kundërajrorët ukrainase mbi katër rajone, Kiev, Çerkasi, Kirovohaard dhe Herson.

Ndërkohë, një sulm ukrainas me dronë ia vuri flakën një depoje nafte në rajonin jugperëndimor të Rusisë, Voronezh, mëngjesin e së premtes, tha guvernatori rajonal Aleksandr Gusev, në Telegram.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco