Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Edi Rama me polici e SPAK kundër opozitës

Vazhdon situata e rëndë në Karolinën e Veriut pas uraganit 'Helene'

Vazhdon situata e rëndë në Karolinën e Veriut pas uraganit 'Helene'

16:11, 01/10/2024
A+ Aa A-

Numri i viktimave si pasojë e uraganit ‘Helene’ në shtetet juglindore amerikane ka shkuar në të paktën 133. Situatë më e rënduar njoftohet në disa rajone në perëndim të Karolinës së Veriut.  Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e bllokuara po vazhdojnë.

Presidenti amerikan Joe Biden do të shkojë të mërkurën në Karolinën e Veriut për të parë nga afër shkatërrimet si pasojë e uraganit ‘Helene’.

"Dua që ta dini se administrata do të jetë atje, derisa të përfundojmë punën. Do të duhet kohë e gjatë dhe sasi serioze burimesh. Me mbështetjen federale shteti ka rihapur 220 rrugë që do të ndihmojnë ekipet e shpëtimit të shkojnë tek njerëzit që kanë nevojë për ndihmë”, tha zoti Biden.

Ai shtoi se situata në pjesën juglindore të vendit pas goditjes nga uragani ‘Helene’ është “më e rënda ndonjëherë”. Stuhia shkaktoi vdekjen e të paktën 133 personave në Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Xhorxhia, Florida, Tenësi dhe Virxhinia.

Autoritetet paralajmërojnë se ky numër mund të rritet ndërsa ekipet e shpëtimit po fillojnë të hyjnë në qytetet e bllokuara dhe pas rivendosjes së komunikimeve përmes telefonit. Zyrtarët thanë të hënën se rreth 600 persona figurojnë të zhdukur.

"Jemi përballur me situata të ngjashme, por jo si kjo tani. Kjo është më e rënda”, thotë Presidenti Biden, ndërsa pohon se kjo situatë është si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Në Karolinën e Veriut rreth 300 rrugë janë mbyllur dhe më shumë se 7 mijë njerëz janë regjistruar për ndihmë tek Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave, thanë zyrtarët.

Garda Kombëtare ka dërguar me aeroplanë dhe helikopterë rreth 1 mijë ton ushqime, si dhe ujë në zonat e largëta.

Familja Smith është një nga shumë familjet në Karolinën e Veriut që kanë mbetur pa strehë.

“Nuk ka mbetur asgjë. Zjarrfikësit po na thonë se do të duhen të paktën gjashtë muaj që të kthehemi në shtëpinë tonë. Por, unë dyshoj se do të kthehemi kaq shpejt”, thotë Aaron Smith, i mbijetuar i uraganit ‘Helene’.

Guvernatori Roy Cooper tha dje pasi pa zonat më të goditura dhe një spital, se dëmet në perëndim të Karolinës së Veriut janë “të gjera dhe shkatërruese”.

“Ajo ishte një stuhi e pashembullt që goditi rajonet perëndimore të Karolinës së Veriut dhe që kërkon një përgjigje të pashembullt. Kemi të bëjmë me një situatë të paparë”, tha zoti Cooper.

Gati 1.8 milionë shtëpi dhe biznese në shtate shtete nga Florida në Ohajo kanë ngelur pa energji elektrike, sipas faqes së internetit ‘Poweroutage’, nga të cilat 643 mijë në Karolinën e Jugut dhe 480 mijë në Xhorxhia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco