Hiqeshin si Brad Pitt, marrin qindra mijë Euro nëpërmjet skemës së mashtrimit

Hiqeshin si Brad Pitt, marrin qindra mijë Euro nëpërmjet skemës së mashtrimit

10:36, 24/09/2024
A+ Aa A-

Policia spanjolle ka arrestuar pesë persona për mashtrimin e dy grave duke u hequr sikur ishin ylli i Hollivudit, Brad Pitt.

Të dyshuarit kontaktuan me dy viktimat e tyre nëpërmjet një faqeje interneti për fansat e aktorit. Ata i bënë gratë të besonin se “kishin një lidhje sentimentale me të (aktorin)”, tha policia spanjolle.

Duke u hequr si Pitt, anëtarët e bandës së mashtruesve i shtynë ato që të investonin në disa projekte që nuk ekzistojnë. Njëra prej të mashtruarave, nga jugu i rajonit të Andaluzisë, dha 175 mijë Euro, ndërsa tjetra nga rajoni Bask, humbi 150 mijë Euro.

“Autorët kanë studiuar sjelljen e tyre sociale dhe kanë bërë një profil psikologjik për viktimat e tyre, duke zbuluar se të dyja gratë janë vulnerabël, u mungon afeksioni dhe ndodhen në një gjendje depresioni. Mashtruesit përdorën platforma për të shkëmbyer mesazhe dhe email-e me dy gratë derisa arritën një pikë ku ato besonin se po shkruanin në WhatsApp me Brad Pitt dora vetë, i cili u kishte premtuar një lidhje romantike dhe një të ardhme së bashku”, njoftoi policia.

Policia i arrestoi të pestë personat në një rajon jugor në Andaluzi, duke përfshirë edhe udhëheqësin e dyshuar të grupit.

Ata mësynë në disa shtëpi si pjesë e operacionit, duke sekuestruar disa celularë, karta bankare, dy kompjutera dhe një ditar ku ishin shkruar fraza që përdornin të arrestuarit për të mashtruar viktimat e tyre.

Autoritetet deri më tani kanë qenë në gjendje të shpëtojnë vetëm 85 mijë euro nga paratë e dy grave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco