Gjermania sulmon Trumpin në mënyrë të paprecedentë

Gjermania sulmon Trumpin në mënyrë të paprecedentë

15:13, 12/09/2024
A+ Aa A-

Ministria e Jashtme e Gjermanisë sulmoi të mërkurën ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, pasi ai kritikoi politikën energjetike të vendit në debatin presidencial kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris.

Trump kritikoi Gjermaninë në fjalën e tij përmbyllëse, duke pretenduar se Berlini ishte bërë pishman për vendimin e tij për kalimin në energjinë e rinovueshme.

“Ju besoni në gjëra të tilla si ne nuk do të ndahemi, ne nuk do të marrim lëndë djegëse fosile, ne nuk do të bëjmë gjëra që do të jenë të forta, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo.

Gjermania e provoi këtë dhe brenda një viti ata u kthyen në ndërtimin e termocentraleve normale të energjisë,” tha ai duke iu drejtuar Harrisit.

Por Ministria e Jashtme gjermane u zemërua me këtë, duke shpërthyer ndaj Trump në një deklaratë jashtëzakonisht të paprecedentë dhe të fortë në mediat sociale, edhe duke u tallur me të.

“Të pëlqen apo jo: sistemi energjetik i Gjermanisë është plotësisht funksional, me më shumë se 50 për qind burime të rinovueshme. Dhe ne po mbyllim, nuk po ndërtojmë impiante qymyri dhe bërthamore. Qymyri do të jetë jashtë rrjetit më së shumti deri në vitin 2038.

PS: Ne gjithashtu nuk hamë mace dhe qen.”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar Trump që përsëriti një pretendim se emigrantët pa dokumente po hanin kafshët shtëpiake të njerëzve në Ohajo.

Gjermania, e cila kishte thelluar varësinë e saj nga nafta dhe gazi i lirë rus për dekada, u përball me një krizë të madhe energjetike në fillim të luftës së Kremlinit kundër Ukrainës dhe u detyrua të mbante në linjë disa termocentrale me qymyr për më gjatë se sa ishte planifikuar dhe disa termocentrale të tjerë i riktheu në punë.

Berlini është përballur gjithashtu me kritika për vendimin e tij të diskutueshëm për mbylljen e reaktorëve bërthamorë pas katastrofës së Fukushimës në Japoni të vitit 2011, një lëvizje e cila u shty nga koalicioni konservator-liberal i kancelares Angela Merkel.

Kundërshtarët, përfshirë partitë e tjera qeverisëse, ishin të shpejtë për të paralajmëruar se vendimi do të çonte në djegien e më shumë lëndëve djegëse fosile për energji dhe se termocentralet bërthamore gjermane nuk kishin gjasa të përballeshin me kërcënimin e një cunami.

Fillimisht, Gjermania dogji pothuajse 10 për qind më shumë qymyr për të kompensuar mungesën në prodhimin e energjisë elektrike, me rritjen e çmimeve të gazit natyror në vazhdën e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia duke e bërë atë një alternativë të lirë. Por situata ka ndryshuar dhe përdorimi i termocentraleve me qymyr në Gjermani vitin e kaluar ra në nivelin më të ulët në dekada.

Ndërsa nuk është e qartë se çfarë do të thotë Trump me një “central normal energjie”, nuk po ndërtohen termocentrale të reja me qymyr në Gjermani, megjithëse qeveria ka braktisur afatin e saj origjinal të vitit 2030 për heqjen graduale të qymyrit në mënyrë që të mbështesë nevojat e saj të energjisë.

Megjithatë, në një vendim të denoncuar nga aktivistët mjedisorë, Berlini në shkurt nënshkroi një plan për të ndërtuar katër impiante të reja të reja të gazit natyror që sipas tij nevojiteshin për të plotësuar furnizimet e tij me energji të rinovueshme. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco