Ushtria izraelite thotë se me gjasë e ka vrarë pa dashje një aktiviste amerikane

Ushtria izraelite thotë se me gjasë e ka vrarë pa dashje një aktiviste amerikane

15:45, 10/09/2024
A+ Aa A-

Ushtria izraelite tha se një aktiviste amerikane, e cila u vra në Bregun e pushtuar Perëndimor javën e kaluar, me gjasë u qëllua “indirekt dhe pa dashje” nga forcat izraelite, të cilat po synonin të qëllonin dikë tjetër.

Aysenur Ezgi Eygi, aktivistja 26-vjeçare nga Siatëll, u vra të premten pas një proteste kundër vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Jonathan Pollak, një protestues izraelit që ishte dëshmitar i të shtënave.

Ushtria tha se hetimi i saj “gjeti se ka shumë gjasa që ajo është qëlluar indirekt dhe pa dashje nga ushtria izraelite, e cila nuk e kishte atë në shënjestër, por një nxitës të trazirave”.

Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga vrasja e Eygi, e cila po ashtu kishte shtetësi turke, dhe i kërkoi Izraelit të hetonte se çfarë ishte ndodhur.

Pollak i tha Associated Press se të shtënat ndodhën gjysmë ore pasi kishin përfunduar përleshjet mes palestinezëve dhe forcave izraelite.

Eygi, vullnetare në grupin e aktivistëve, Lëvizja Ndërkombëtare e Solidaritetit, po merrte pjesë në protestën kundër zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

Vrasja e saj ndodhi në kohën kur në Bregun Perëndimor është rritur dhuna që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në tetor të vitit të kaluar. Që atëherë, më shumë se 690 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco