Përse fituesi i zgjedhjeve në Venezuelë u arratis për në Spanjë?

Përse fituesi i zgjedhjeve në Venezuelë u arratis për në Spanjë?

12:05, 09/09/2024
A+ Aa A-

Edmundo González Urrutia ishte fituesi i mundshëm i zgjedhjeve në Venezuelë dy muaj më parë. Por tani, ndërsa vendin e kanë kapluar trazirat politike, lideri i opozitës është arratisur në Spanjë, ku do t'i jepet azil.

75-vjeçari u largua nga Venezuela të shtunën (7 shtator), pasi kishte kaluar javë të tëra duke u fshehur në ambasadën spanjolle në Karakas. Një aeroplan i Forcave Ajrore Spanjolle, që mbante González dhe gruan e tij, u ul në bazën ushtarake Torrejón de Ardoz pranë Madridit të dielën (8 shtator).

Pra, çfarë po ndodh në Venezuelë që detyroi fituesin e zgjedhjeve të saj të arratisej?

González ishte pothuajse një figurë e panjohur në Venezuelë deri pesë muaj më parë. Ai u bë kandidati i minutës së fundit të aleancës opozitare pasi Maria Corina Machado, fituese e primareve të tetorit, u ndalua që të garojë me akuzën për mashtrim të supozuar, të cilën ajo e mohon.

Para kësaj, González shërbeu si ambasador në Argjentinë ndërmjet viteve 1999 dhe 2002, kur mentori i presidentit të Venezuelës Nicolás Maduro, Hugo Chavez, ishte në pushtet. Ai njihet për përdorimin e toneve diplomatike në fjalimet e tij të shkurtra.

Në prill, pasi një grup prej 10 partish zgjodhën González-in, jeta mori një kthesë të re për diplomatin dhe gjyshin e pensionuar pak të njohur. Brenda natës, ai u bë një emër i njohur, dikush mbi të cilin miliona njerëz vendosën shpresat e tyre për t'i dhënë fund më shumë se dy dekadave të sundimit të një partie.

Zgjedhjet presidenciale u mbajtën në Venezuelë më 28 korrik. Këshilli zgjedhor shtetëror dhe gjykata më e lartë e vendit, e mbushur me besnikë të qeverisë, deklaruan se Maduro fitoi një mandat të tretë. Megjithatë, votat e publikuara nga opozita treguan se González fitoi. Opozita mblodhi gjithashtu prova që tregonin se diplomati në pension fitoi me një diferencë votash 2 me 1.

Qeveritë e huaja dënuan rezultatet zyrtare. Edhe disa aleatë të majtë të Maduros nuk pranuan njohjen e zgjedhjeve.

Ekspertët nga Kombet e Bashkuara dhe Qendra Carter, të cilët vëzhguan zgjedhjet me ftesë të qeverisë së Maduro-s, përcaktuan se rezultatet e shpallura nga autoritetet zgjedhore nuk kishin besueshmëri. Në një deklaratë kritike për zgjedhjet, ekspertët e OKB-së nuk e vërtetuan pretendimin e opozitës për fitore, por ata thanë se të dhënat e votimit që publikoi opozita në internet, duket se shfaqin të gjitha tiparet origjinale të sigurisë.

Shtetet e Bashkuara njohën gjithashtu González-in si fituesin e zgjedhjeve të diskutueshme të Venezuelës, duke pretenduar se kishte prova "të shumta" të humbjes së Maduros.

Pas zgjedhjeve, si Machado, ashtu edhe González u fshehën mes një goditjeje brutale që çoi në më shumë se 2000 arrestime dhe vdekjen e të paktën 24 personave nga duart e forcave të sigurisë.

Ndërsa González mbajti një profil të ulët, Machado doli në publik disa herë për të udhëhequr protestat anti-Maduro. Të dy përdorën mediat sociale për të shpallur fitoren e González-it me 67 përqind të votave të hedhura, sipas një numërimi të opozitës.

Megjithatë, të dielën, ajo tha se Gonzalez u largua në Spanjë pasi "jeta e tij ishte në rrezik".

Para largimit të tij, një urdhër-arresti ishte lëshuar në Venezuelë, me qeverinë që akuzonte González-in për komplot dhe për falsifikim dokumentesh, raporton BBC.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco