Sulmet izraelite në Siri vrasin të paktën 14 persona, 43 të plagosur

Sulmet izraelite në Siri vrasin të paktën 14 persona, 43 të plagosur

10:35, 09/09/2024
A+ Aa A-

Të paktën 14 persona u vranë vonë të dielën në sulmet e shumta izraelite, që synonin afërsinë e Masyaf, një qytet në provincën Hama të Sirisë, njoftoi të hënën agjencia shtetërore e lajmeve siriane.

Dy burime rajonale të inteligjencës thanë se një qendër e madhe kërkimore ushtarake për prodhimin e armëve kimike e vendosur pranë Misyafit, ishte goditur disa herë. Besohet se strehon një ekip ekspertësh ushtarakë iranianë, të përfshirë në prodhimin e armëve.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli, i cili zakonisht nuk komenton mbi raportet specifike të sulmeve në Siri.

Që nga sulmet e 7 tetorit nga Hamasi ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë, Izraeli ka përshkallëzuar sulmet e tij ndaj objektivave të milicisë të mbështetur nga Irani në Siri dhe ka goditur gjithashtu mbrojtjen ajrore të ushtrisë siriane dhe disa forca siriane.

"Rreth orës 23:20 të së dielës në mbrëmje, armiku izraelit nisi një agresion ajror nga drejtimi i Libanit veriperëndimor, duke synuar një numër vendesh ushtarake në rajonin qendror (të Sirisë)", tha një burim ushtarak për agjencinë e lajmeve SANA.

 “Sistemet tona të mbrojtjes ajrore u përballën me raketat e agresionit dhe rrëzuan disa prej tyre”, shtoi burimi, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Një zyrtar lokal shëndetësor i cituar nga SANA tha se 43 persona ishin plagosur, duke përfshirë disa në gjendje kritike, nga sulmet.

Media shtetërore e Sirisë raportoi gjithashtu se sulmet shkaktuan dy zjarre, të cilat zjarrfikësit po punonin për t'i shuar.

Në sulmin më të profilit të lartë në Siri që nga fillimi i luftës në Gaza, avionët luftarakë të dyshuar izraelitë bombarduan ambasadën e Iranit në prill, një sulm që Irani tha se vrau shtatë këshilltarë ushtarakë, duke përfshirë tre komandantë të lartë./ Reuters,

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco