Siguria në kufirin SHBA-Meksikë, çështje e rëndësishme për votuesit në Arizona

Siguria në kufirin SHBA-Meksikë, çështje e rëndësishme për votuesit në Arizona

07:33, 01/09/2024
A+ Aa A-

Emigracioni është një nga çështjet kryesore për votuesit amerikanë në zgjedhjet e nëntorit, në të cilat do të zgjidhet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Dallimi në politikat mbi këtë çështje mes dy kandidatëve presidencialë është i madh. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti nga një zonë e Arizonës në kufirin me Meksikën, votuesit janë të shqetësuar nga kalimet e paligjshme të kufirit.

Dikur një qytet i pasur me miniera ari në qarkun Koçiz të Arizonës, tani ky është një qytet fantazmë.

Patti Burris, që jeton në këtë zonë kufitare të Arizonës, thotë se është e lodhur nga emigrantët pa dokumente që kalojnë fshehurazi nëpër pronën e saj nga kufiri meksikan. Ajo thotë se do të votojë për ish-presidentin Donald Trump.

“Ai do t’i dëbojë ata! Unë e mbështes atë për këtë arsye. Absolutisht, ata duhen dëbuar. Ai mund ta bëjë këtë”, thotë ajo.

Kur ishte president, republikani Donald Trump urdhëroi që të ndërtohej një mur 740 kilometra i gjatë në kufirin jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën, një pjesë e të cilit shtrihet në këtë pjesë të Arizonës. Në ditën e tij të parë në detyrë, demokrati Joe Biden e ndaloi ndërtimin e murit.

“Ne mund ta kishim përfunduar murin brenda tre javësh.”

Donald Trumpi vizitoi një pjesë të murit kufitar në Arizona javën e kaluar, megjithëse gazeta The Washington Post njoftoi se pjesa e murit, që ai vizitoi, ishte ndërtuar para se ai të bëhej president.

“Nuk ka pasur kurrë një kufi si ky në botë, ku kalojnë kaq shumë njerëz. Miliona kriminelë po kalojnë kufirin”, tha ai. Votuesit demokratë në kuvendin e tyre kombëtar thanë se partia e tyre është më tolerante.

“Emigrantët janë pjesë e komunitetit tonë. Ne kujdesemi për fqinjët dhe për njëri-tjetrin. Këtu bëhet fjalë për kujdesin ndaj njëri-tjetrit”, thotë votuesja demokrate Sandra Kano.

Nëse zgjidhet, Nënpresidenja Kamala Harris ka premtuar se do të mbështesë një rrugë drejt shtetësisë dhe kthimin për votim të një projektligji dypartiak të imigracionit, që është bllokuar në Kongres.

“Patrulla Kufitare e mbështeti atë. Por Donald Trumpi beson se një projektligj për zgjidhjen e problemeve në kufi do të dëmtonte fushatën e tij. Pra, ai urdhëroi aleatët e tij në Kongres që të bllokonin projektligjin”, tha ajo.

Por, votuesja nga Arizona Patti Burris nuk ka një vlerësim të mirë për demokraten Kamala Harris. “Nuk besoj asnjë fjalë që ajo thotë. Ku ka qenë ajo në katër vitet e fundit?”, thotë ajo.

Askush nuk ndalon më në këtë qytet të vjetër dhe të braktisur të Arizonës. Zonja Burris thotë se do të dëshironte të kthehej në kohën kur qyteti kishte më shumë turistë se sa emigrantë./VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco