Ushtria izraelite njofton se ka shpëtuar një tjetër person të marrë peng nga Hamasi

Ushtria izraelite njofton se ka shpëtuar një tjetër person të marrë peng nga Hamasi

17:11, 27/08/2024
A+ Aa A-

 Ushtria izraelite tha të martën se ka shpëtuar një tjetër person të rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, që shkaktoi luftën në Gazë.

Shpëtimi i pengut solli një moment të rrallë gëzimi për izraelitët ndërsa vazhdojnë prej disa muajsh luftimet, por shërbeu edhe si një kujtesë tjetër e dhimbshme për personat e shumtë që vazhdojnë të mbahen në robëri, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi sipas të cilës ata do të liroheshin.

Ushtria izraelite tha se Qaid Farhan Alkadi u shpëtua "në një operacion kompleks në Rripin jugor të Gazës", pa dhënë detaje të mëtejshme.

52-vjeçari është nga pakica arabe beduine e Izraelit dhe punonte si roje në një fabrikë paketimi në Magen, një nga disa komunitetet bujqësore që u sulmuan më 7 tetor. Ai ka dy gra dhe është baba i 11 fëmijëve.

Kanali televiziv 12 i Izraelit tregoi pamje të familjarëve të zotit Alkadi duke vrapuar nëpër spitalin ku ai u soll pasi morën lajmin.

Militantët e udhëhequr nga Hamasi rrëmbyen rreth 250 persona në sulmin e 7 tetorit, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë.

Nga kundërpërgjigja ushtarake e Izraelit që pasoi, janë vrarë mbi 40,000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, të kontrolluar nga Hamasi, të cilët nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve. Luftimet kanë zhvendosur 90% të 2.3 milionë banorëve të Gazës nga shtëpitë e tyre dhe kanë sjellë shkatërrim në të gjithë territorin e rrethuar.

Hamasi vazhdon të mbajë rreth 110 pengje, gati një e treta e të cilëve mendohet të kenë vdekur. Pjesa më e madhe e të tjerëve u liruan, duke u shkëmbyer me palestinezë të burgosur nga Izraeli, gjatë një armëpushimi nëntorin e kaluar.

Izraeli ka shpëtuar gjithsej tetë pengje, përfshirë gjatë dy operacioneve që vranë shumë palestinezë. Hamasi thotë se disa pengje janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite dhe përpjekjet e dështuara të shpëtimit. Forcat izraelite vranë gabimisht tre izraelitë që i shpëtuan robërisë në dhjetor.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari janë përpjekur prej muajsh për të negociuar një marrëveshje sipas të cilës pengjet e mbetura do të liroheshin në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm. Këto bisedime po vazhdojnë në Egjipt këtë javë, por nuk ka ndonjë shenjë përparimi.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është përballur me kritika të ashpra nga familjet e pengjeve dhe publiku izraelit për shkak se nuk është arritur ende një marrëveshje me Hamasin për t'i sjellë ata në atdhe.

Hamasi shpreson t’i përdorë pengjet për arritjen e një armëpushimi të zgjatur, tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe lirimin e një numri të madh të burgosurish palestinezë, ndër ta edhe militantë të rëndësishëm./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco