Mbyten dhjetë emigrantë në lumin midis Serbisë dhe Bosnjes, mes tyre një nënë me foshnjen

Mbyten dhjetë emigrantë në lumin midis Serbisë dhe Bosnjes, mes tyre një nënë me foshnjen

07:54, 23/08/2024
A+ Aa A-

Së paku 10 persona janë mbytur në lumin Drina, pasi anija me të cilën lundronin disa migrantë, u fundos natën e shkuar gjatë përpjekjeve për të kaluar nga Serbia në Bosnje e Hercegovinë.

Ekipet e shpëtimit i gjetën 18 persona të gjallë, përfshirë tre fëmijë, të cilët ia kishin arritur të dilnin në breg, tha ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Dhjetë trupa, përfshirë një foshnje nëntëmuajshe dhe nëna e saj, kanë nxjerrë nga uji, tha Daçiq, sipas REL.

Ai tha se ekipet e shpëtimit i nxorën trupat e gjashtë burrave nga uji. Trupat e dy burrave të tjerë janë lokalizuar nga pjesëtarët e policisë së Republikës Sërpska, tha Daçiq, duke shtuar se kërkimet po vazhdojnë edhe pas orës 18:00.

Më herët, drejtori i Administratës Republikane për Mbrojtjen Civile në Republikën Sërpska, Boris Tërniniq, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se anija u përmbyt pranë qytetit Tegara në komunën e Bratunacit në Bosnje e Hercegovinë.

“Një pjesë e migrantëve shpëtuan, dolën në breg, ndërsa pjesa tjetër jo”, tha ai.

Lajmi për përmbytjen e anijes u dha fillimisht nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Menjëherë pas raportimit, në vendngjarje u dërguan pjesëtarë të Policisë dhe të Departamentit për Situata Emergjente të Serbisë.

Në kërkimet në lum dhe në brigje, aktualisht, janë duke marrë pjesë shërbimet e të dyja shteteve.

“Sipas migrantëve që kanë arritur në breg, në anije kanë qenë rreth 25 persona, ndërsa policia dhe shpëtimtarët kanë gjetur 18 persona në breg - tre prej të cilëve fëmijë”, tha Ministria e Brendshme e Serbisë.

Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë mori nga Departamenti i Policisë së Zvornikut në Bosnje e Hercegovinë, bëhet fjalë për migrantë nga Maroku.

Migrantët u ndaluan në Departamentin e Policisë së Zvornikut, ku edhe u intervistuan.

Policia kufitare e Bosnje e Hercegovinës tha po ashtu për REL-in se personat që tentuan t’i kontrabandonin migrantët, aktualisht, nuk dihet se kush janë.

“Për të gjitha është njoftuar prokurori i Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës dhe, aktualisht, po bëhet gjithçka, për t’i vërtetuar faktet dhe për t’i marrë të gjitha masat dhe veprimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, thuhet në deklaratën e policisë kufitare të Bosnjës.

Serbia është pjesë e “rrugës ballkanike” përmes së cilës kalojnë migrantët, gjatë rrugëtimit të tyre drejt Evropës Perëndimore.

Në dhjetë vjetët e fundit, në lumin Drina kanë humbur jetën së paku 40 migrantë që kanë bërë përpjekje ta kalojnë atë.

Sipas të dhënave nga Komisariati Serb për Refugjatë dhe Migrim (KIRS), vitin e kaluar, nëpër Serbi kanë kaluar më shumë se 100.000 migrantë, që është mbi 12 për qind më pak se në vitin 2022.

Numri në rënie i kalimeve të migrantëve ka vazhduar edhe në vitin 2024.

Komisionarja serbe për Refugjatët dhe Migracionin, Natasha Stanisavleviq, ka deklaruar më 2 gusht se numri i migrantëve ka qenë 80 për qind më i ulët se në vitin 2023 dhe se, për rrjedhojë, disa qendra pritëse janë duke u mbyllur përgjithmonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco