Pas fundosjes së jahteve/ Ekspertët: Mesdheu po bëhet më i rrezikshëm

Pas fundosjes së jahteve/ Ekspertët: Mesdheu po bëhet më i rrezikshëm

17:29, 20/08/2024
A+ Aa A-

Mbytja e një jahti luksoz të ankoruar në brigjet e Siçilisë është shenja më e fundit se Mesdheu po bëhet një det më i rrezikshëm për të lundruar, thonë ekspertët e klimës dhe kapitenët.

Një burrë vdiq dhe gjahstë persona janë ende të zhdukur, duke përfshirë sipërmarrësin britanik të teknologjisë, Mike Lynch, pasi Bayesian, një varkë me vela 56 metra e gjatë, u godit nga një stuhi e egër të hënën, duke u fundosur në pak sekondaa.

Klimatologët thonë se ngrohja globale po i bën më të shpeshta stuhitë e tilla të dhunshme dhe të papritura në një det që përdoret si shesh lojërash verore për miliona turistë, duke përfshirë disa të pasur që lundrojnë në ujërat e tij me superjahte.

Luca Mercalli, president i shoqërisë meteorologjike të Italisë, tha se temperatura e sipërfaqes së detit rreth Sicilisë në ditët para mbytjes së anijes ishte rreth 30 gradë Celsius (86 gradë Fahrenheit), pothuajse tre gradë më shumë se normalja.

"Kjo krijon një burim të madh energjie që kontribuon në këto stuhi," tha ai për Reuters.

Ndryshimet në "Mare Nostrum" (Deti ynë), siç e quanin romakët e lashtë Mesdheun, po vihen re edhe nga kapitenët me përvojë si Massimo Aramu, i cili drejton shkollën e lundrimit Akua në bregdetin pranë kryeqytetit italian.

Aktualisht duke lundruar rreth Greqisë, Aramu tha se nuk i pëlqente lundrimi në bregdetin Tirren të Italisë rreth Siçilisë ose ishujve Balearik spanjollë, sepse ka "shpesh situata kritike me pak paralajmërim".

Javën e kaluar, një stuhi e ngjashme me atë që fundosi Bayesian goditi arkipelagun Balearik, i cili përfshin ishujt Ibiza dhe Mallorca, duke lënë disa jahte të shkatërruara në breg.

Giuliano Gallo, një ish kapiten që kapërceu Atlantikun dhe ka shkruar disa libra mbi lundrimin, tha se Mesdheu po i ngjante Karaibeve, i cili ka zona nga të cilat shumë varka shmangen në periudha të caktuara të vitit.

"Por gjërat janë më pak të parashikueshme në Mesdhe," tha ai.

Një tjetër shenjë e motit më të paqëndrueshëm në Mesdhe u pa një vit më parë, kur mijëra njerëz u vranë në Libi nga përmbytjet e shpejta të shkaktuara nga një i ashtuquajtur medicane - një stuhi mesdhetare e mbingarkuar e nxitur nga detet më të ngrohta.

Karsten Borner, kapiteni i një varke që ishte ankoruar pranë Bayesian, por i shpëtoi dëmtimit, tha se stuhia e së hënës kishte qenë "shumë e dhunshme, shumë intensive, shumë ujë dhe mendoj se një sistem rrotullimi si një tornado".

Ai gjithashtu fajësoi episodet më të shpeshta të nxehtësisë intensive gjatë muajve të verës për të luajtur një rol në shkaktimin e stuhive të tilla.

"Uji është ... shumë i nxehtë për Mesdheun dhe kjo shkakton me siguri stuhi të forta, siç patëm një javë më parë në Balearics, si dy vjet më parë në Korsikë e kështu me radhë," tha ai./ Reuters.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco