Largimi gradual i Bidenit nga politika - Nata e parë e Konventës së demokratëve Presidenti amerikan, Joe Biden e ka çimentuar mbështetjen për nënpresidenten, Kamala Harris, teksa garon në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Largimi gradual i Bidenit nga politika - Nata e parë e Konventës së demokratëve

09:03, 20/08/2024
A+ Aa A-

Në natën e parë të Konventës Kombëtare Demokratike janë mbajtur fjalime prej demokrates së fundit që ka humbur në garën kundër ish-presidentit republikan, Donald Trump, e deri te ai që ka arritur ta mposhtë, shkruan Associated Press

Hillary Clinton ka folur me shpresën që më në fund do të largohen të gjitha barrierat dhe Shtetet e Bashkuara të kenë një grua presidente.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka folur për Trumpin, por edhe i ka pranuar shqetësimet e protestuesve – të mbledhur jashtë sallës së Konventës – kundër luftës në Gazë.

Biden nis largimin gradual prej politikës

Presidenti Biden ka qenë në krye të natës hapëse të Konventës, duke nisur kështu një lamtumirë graduale prej politikës.

Përgjatë fjalimit, ai ka folur për trashëgiminë e tij në politikë, por edhe ka dhënë sinjale se është gati që t’ia japë kontrollin e partisë, nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, njëherësh e nominuar e demokratëve në garën presidenciale të nëntorit.

Ai ka dalë në skenë teksa është pritur me brohoritje dhe fjalë të ëmbla, “Ne të duam Joe”, ndërsa ai në kthim ka thënë, “Ju dua!”

Ndonëse në nisje ishte fjalim emocional, Biden ka folur përgjatë 50 minutave edhe me tone kritike për Trumpin, duke iu rikthyer temës së zgjedhjeve në të cilat ai nuk do të garojë.

Biden ka përmendur një mori arritjesh të administratës së tij, përfshirë një pako masive për punë publike, programin për klimën, dhe për të gjitha ka thënë se janë kryer bashkë me Harrisin.

Ai ka thënë se e ka marrë vendimin më të mirë ndonjëherë kur e ka zgjedhur Harrisin për pozitën e nënpresidentes, dhe ka premtuar se do të jetë “vullnetari më i mirë” që Harris dhe kandidati për nënpresident, Tim Walz, kanë parë ndonjëherë.

Në mesazhet përmbyllëse ai u është drejtuar Shteteve të Bashkuara: “E kam dhënë më të mirën për ju për 50 vjet”.

Paraqitja e befasishme e Harrisit

Nënpresidentja e ka bërë një paraqitje të paplanifikuar, për të falëndëruar Bidenin, para se ai të niste fjalimin. Ajo e ka falënderuar presidentin për “udhëheqësinë historike, për shërbimin jetësor ndaj kombit, për atë që vazhdon të bësh”.

“Ne jemi gjithmonë falënderues ndaj jush”, i ka thënë ajo Bidenit.

Protesta fiton pak vëmendje brenda sallës – përveç përmendjes nga Bideni

Mijëra persona janë mbledhur nëpër rrugët e Çikagos duke protestuar kundër mbështetjes amerikane për Izraelin në luftën në Gazë.

Mirëpo brenda sallës, për protesta nuk është dëgjuar, derisa Biden nuk ka dalë para mikrofonit.

Anëtarja e Kongresit, Alexandra Ocasio-Cortez, ka fituar mbështetje kur e ka falëndëruar Harrisin për “punën e palodhshme për të arritur një armëpushim në Gazë dhe për kthim të pengjeve në shtëpi".

Disa delegatë, që ende nuk janë të përcaktuar se kë do ta mbështetshin në zgjedhje, kanë protestuar rreth qëndrimit të Bidenit për luftën, dhe janë parë me një mbishkrim në duar, “Mos e armatosni Izraelin”.

Vetë Biden ka thënë se do të vazhdojë të punojë “për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe për të sjellë paqe dhe siguri në Lindje të Mesme”.

“Këta protestues nëpër rrugë e kanë një logjikë”, ka thënë Biden. “Shumë njerëz të pafajshëm po vriten, në të dyja anët”.

Turma ka duartokitur dhe për një moment është krijuar përshtypja që lufta nuk është duke ndarë aspak partinë.

Clinton flet për rëndësinë e heqjes së pengesave

Hillary Clinton është pritur me duartrokitje të vazhdueshme që kanë zgjatur më shumë se dy minuta. Ajo ka thënë se shpreson shumë që Harris të mund të bëjë atë që ajo nuk ka mundur – të bëhet gruaja e parë presidente, duke e mposhtur Trumpin.

Clinton ka përmendur edhe një herë gjërat që i ka adresuar gjatë garës më 2016, më saktësisht, ka folur për rëndësinë e heqjes së të gjitha barrierave që një grua të jetë presidente e SHBA-së.

Ajo e ka përmbyllur fjalimin e saj duke thënë se “dua që nipat dhe mbesat e mia dhe nipat dhe mbesat e tyre ta dinë që kam qenë këtu në këtë moment. Që kemi qenë këtu me Kamala Harrisin në çdo hap të rrugës”.

Ajo e ka përmendur edhe Trumpin në fjalimin e saj, duke u tallur me historikun e tij penal. Kjo deklaratë e saj ka nxitur thirrjet “mbylleni” – thirrje që patën bërë mbështetësit e Trumpit për Clintonin më 2016.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është zyrtarisht i nominuari i republikanëve në këtë garë.

Trump e ka përzgjedhur senatorin amerikan, J.D. Vance si kandidat për nënpresident.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco