Editorialisti i Fox News: Donald Trump do të dënohet me burg në shtator për të ndihmuar...

Editorialisti i Fox News: Donald Trump do të dënohet me burg në shtator për të ndihmuar...

17:10, 15/08/2024
A+ Aa A-

Donald Trump do të urdhërohet të bëjë burg kur të dënohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit në shtator, ka thënë një editorialist i Fox News.

Andrew McCarthy, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Kombëtar të Rishikimit dhe ish-zv/prokuror i distriktit jugor të Nju Jorkut, tha se Trump në fakt nuk do të burgoset edhe nëse i jepet një dënim me burg me 18 shtator, pasi ish-presidenti ka të ngjarë të dalë në lirimin me kusht.

Nga ana tjetër, McCarthy tha se gjykatësi Juan Merchan, i cili drejtoi gjyqin për blerjen e heshtjes dhe do të japë dënimin e Trump-it muajin e ardhshëm, do të ndihmojë zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe "kompleksin media-demokrat" për të etiketuar Trump-in si një kriminel të dënuar me burg vetëm disa javë para ditës së zgjedhjeve në nëntor.

Trump u bë presidenti i parë amerikan që u dënua për një krim pasi një juri e Nju Jorkut e shpalli fajtor për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit në maj. Ai i kishte mohuar të gjitha akuzat dhe tha se ishte viktimë e persekutimit politik. Ai ka të ngjarë të apelojë.

Data e dënimit ishte caktuar më parë për me 11 korrik, por u shty deri më 18 shtator, pasi Merchan po shqyrton nëse vendimi i Gjykatës së Lartë që i jep Trump-it disa imunitete presidenciale për aktet zyrtare të kryera në detyrë, ndikon në çështjen e blerjes së heshtjes.

Duke shkruar për Fox News, McCarthy tha "siç duken bathët" Merchan ka të ngjarë të mohojë apelimin e imunitetit nga ekipi ligjor i Trump-it.

"Ai tha se ka në plan të vendosë për pretendimin e imunitetit të Trump-it deri me 16 gusht", shtoi McCarthy.

Avokatët e ish-presidentit argumentuan se provat e paraqitura gjatë gjyqit për blerjen e heshtjes, si postime në Twitter dhe komunikime të tjera, mund të jenë shembuj të akteve zyrtare për të cilat Gjykata e Lartë tha se Trump nuk mund të ndiqet penalisht ose të përdoret si provë.

"Merchan ka vendosur tashmë se ai do të mohojë mocionin e imunitetit të Trump-it. Për më tepër, ka shumë gjasa që ai të vendosë një dënim me burg ndaj Trump-it menjëherë pas kësaj," tha McCarthy.

"Ndjekja penale e Trump-it në Nju Jork ishte politikë, jo drejtësi. Kjo është arsyeja pse ne e quajmë "luftë juridike". Prokurorët dhe gjyqtari nuk janë të shqetësuar nëse dënimet zhvlerësohen nga apeli.

"Dhe nuk është se Merchan-i do ta fusë vërtet Trump-in në burg; është praktikisht e sigurt që Trump-i do të lirohet me kusht në pritje të apelit, kështu që Merchan-i mund të duket se vendos një dënim të ashpër burgimi pa ndonjë burgim të vërtetë - të paktën për momentin, dhe ndoshta përgjithmonë", shtoi ai.

McCarthy tha se "qëllimi" i Merchan-it është të ndihmojë Harrisin, rivalen demokrate të Trump-it në vitin 2024, t'i referohet republikanit si "një kriminel i dënuar me burg" nga 18 shtatori, një kohë kur "amerikanët tashmë do të kenë filluar të votojnë në shumë shtete, sidomos në fushëbetejën vendimtare të Pensilvanisë."

"Përgatituni që Merchan-i të refuzojë pretendimin për imunitet të Trump-it ... dhe të kërkojë një dënimin me 18 shtator," shkroi McCarthy.

Ekspertë të tjerë ligjorë kanë sugjeruar se Trump-i nuk do të dënohet me burg me 18 shtator.

"Një dënim me burg nuk ka gjasa për një krim të parë jo të dhunshëm të kategorisë E," tha më parë profesori i drejtësisë në Universitetin e Sirakuzës, Gregory Germain për Newsweek.

"Çdo i pandehur tjetër do të lirohej me kusht dhe mendoj se do të jetë shumë e vështirë për gjyqtarin të justifikojë një dënim me burg për shkelje të dhënash."

Germain shtoi se burgosja e një kandidati presidencial javë para zgjedhjeve do të krijonte një "krizë kushtetuese dhe unë do të prisja mocione urgjente për të pezulluar dënimin në pritje të apelit"./NewsWeek - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco