Kryediplomati francez, Sejourne: Armëpushimi në Gaza, i nevojshëm për paqen rajonale

Kryediplomati francez, Sejourne: Armëpushimi në Gaza, i nevojshëm për paqen rajonale

16:48, 15/08/2024
A+ Aa A-

Ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne, tha të enjten nga Bejruti se një armëpushim në Gaza ishte "i nevojshëm" për paqen në rajon, përfshirë Libanin, ndërsa bisedimet rifilluan në Katar me synimin për t'i dhënë fund konfliktit, raportojnë mediat atje.

"Ne të gjithë jemi të shqetësuar për situatën rajonale," tha Sejourne pas takimit me kryetarin e parlamentit Nabih Berri, një aleat i grupit Hezbollah të Libanit.

Franca “mbështet Libanin dhe në këtë kontekst dhe në kontekstin e paqes rajonale, ne shpresojmë për armëpushimin... në Rripin e Gazës, i cili... do të jetë i nevojshëm për të garantuar paqen në rajon,” tha ai.

Hezbollahu ka shkëmbyer zjarr, thuajse çdo ditë me ushtrinë izraelite, që kur sulmi i grupit militant palestinez Hamas mbi Izraelin më 7 tetor shkaktoi luftën në Gaza.

Frika për një konflikt të gjithanshëm është rritur që kur një sulm izraelit vrau një komandant të lartë të Hezbollahut muajin e kaluar.

Disa orë më vonë, një sulm i Izraelit vrau liderin politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran, duke bërë që si Hezbollahu ashtu edhe Irani të zotoheshin për hakmarrje.

Para mbërritjes së tij, Sejourne tha në një deklaratë në X se vizita e tij kishte për qëllim "të mbështeste përpjekjet e vazhdueshme diplomatike drejt de-përshkallëzimit në rajon".

Udhëtimi i tij vjen një ditë pasi i dërguari i SHBA, Amos Hochstein vizitoi Bejrutin dhe tha se nuk kishte më kohë për të humbur për një armëpushim në Gaza, duke vënë në dukje se kjo do të "ndihmonte gjithashtu në një zgjidhje diplomatike" në Liban dhe në parandalimin e një lufte më të gjerë.

Në Bejrut, Sejourne u takua me zyrtarë të tjerë të lartë, duke përfshirë kryeministrin Najib Mikati dhe ministrin e jashtëm Abdallah Bou Habib.

Ai tha se mbante një mesazh “shumë të thjeshtë” të de-përshkallëzimit drejtuar autoriteteve libaneze, “dhe i cili do t'u drejtohet gjithashtu vendeve të tjera në rajon”.

Sejourne shprehu gjithashtu mbështetje për Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban, duke thënë se Franca po punonte për të "përforcuar dhe siguruar një mandat" për paqeruajtësit për 12 muajt e ardhshëm, ndërsa skadimi i saj afrohet në fund të gushtit.

Ai tha gjithashtu se Franca mbështet "përforcimin e ushtrisë libaneze" në jug të vendit.

Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i dha fund një konflikti të vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe bëri thirrje që ushtria libaneze dhe paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara të ishin të vetmet forca të armatosura të dislokuara në Libanin jugor.

Janë shtuar thirrjet për zbatimin e plotë të rezolutës si një mënyrë për t'i dhënë fund dhunës aktuale.


Përleshjet ndërkufitare që nga tetori kanë vrarë rreth 570 njerëz në Liban, shumica prej të cilëve luftëtarë të Hezbollahut, por gjithashtu duke përfshirë të paktën 118 civilë, sipas një raporti të AFP.

Nga ana izraelite, duke përfshirë në lartësitë e aneksuara të Golanit, sipas shifrave të ushtrisë janë vrarë 22 ushtarë dhe 26 civilë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco