Qëndron Ukraina pas sabotimit të gazsjellësit Nord Stream, pretendon artikulli

Qëndron Ukraina pas sabotimit të gazsjellësit Nord Stream, pretendon artikulli

14:15, 15/08/2024
A+ Aa A-

Një artikull i gazetës amerikane Wall Street Journal me titullin "Të dehur atë natë, një jaht me qira: Historia e vërtetë e sabotimit të gazsjellësit Nord Stream", pretendon se ishte Kievi që e përgatiti planin për të hedhur në erë tubacionin që çon gazin rus në Gjermani në maj të vitit 2022, duke cituar katër burime anonime ushtarake ukrainase. 

Një ekuipazh i vogël ukrainas i maskuar si për lundrim me varkë për qejf qendron pas sabotimit të tubacioneve Nord Stream, shkruan Euronews, duke komentuar një shkrim të Wall Street Journal.

Operacioni u sajua gjatë një nate dehjeje në maj 2022, tek oficerët ukrainas festonin ndalimin e pushtimit të plotë të vendit nga Rusia dhe po kërkonin t'i jepnin një goditje tjetër Moskës, shkruante gazeta, duke cituar katër burime anonime të njohur me planin.

Nord Stream është një rrjet tubacionesh që kalojnë nën detin Baltik nga Rusia për në Gjermani për të furnizuar Evropën Perëndimore me gaz natyror, që do të thotë se ka çuar miliarda në arkën e Kremlinit.

Plani thuhet se kushtonte rreth 300,000 dollarë (ose 273,000 euro) dhe përfshinte një ekuipazh prej gjashtë anëtarësh në një jaht të vogël të marrë me qira.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy fillimisht e miratoi atë përpara se agjencia amerikane e inteligjencës CIA ta nuhaste dhe t'i kërkonte atij ta ndalonte.

Presidenti ukrainas urdhëroi një ndalesë, por komandanti i tij i përgjithshëm, Valeriy Zaluzhniy, e vazhdoi operacionin gjithsesi, vijonte WSJ.

Gazeta thoshte se kishte folur me katër zyrtarë të lartë ukrainas të mbrojtjes dhe sigurisë, të cilët ose morën pjesë ose kishin dijeni të drejtpërdrejta për komplotin dhe se të gjithë ata i konsideronin tubacionet si një objektiv legjitim.

Por Euronews nuk mundi t'i verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet e bëra nga këto burime.

Gjermania dhe Polonia dyshojnë në përfshirjen e Ukrainës

Wall Street Journal thoshte gjithashtu se një pjesë e dëshmive të burimeve ishin vërtetuar nga një hetim gjerman për këtë çështje.

Megjithatë, zyrtarët e inteligjencës gjermane kanë thënë se ata dyshojnë që Ukraina të jetë me të vërtetë pas sabotazhit dhe se është e mundur që ai të ishte një operacion "flamur i rremë" nga Rusia.

Kjo është mbështetur nga autoritetet polake, të cilat i dërguan emrat e të dyshuarve rusë në shërbimin e inteligjencës gjermane.

Artikulli i Wall Street Journal vjen pasi media gjermane raportoi se prokurorët kishin lëshuar urdhrin e parë të arrestit në hetimin e tyre për sulmin në Nord Stream.

Raporti e identifikoi burrin si Volodymyr Z, pa cituar burime, dhe sugjeroi se ai ishte kthyer së fundmi në Ukrainë.

Autoritetet polake që atëherë kanë zbuluar se kanë tentuar të arrestojnë Volodymyr Z në adresën e tij në një qytet afër Varshavës në korrik, por se ai tashmë ishte kthyer në vendin e tij të lindjes.

Ai nuk u ndalua në kufirin polako-ukrainas sepse autoritetet gjermane nuk arritën ta fusin emrin e tij në bazën e të dhënave të të kërkuarve, tha të mërkurën zyra e prokurorit polak.

Raportet gjermane përmendën gjithashtu dy të dyshuar të tjerë: çiftin e martuar Svitlana dhe Yevhen Uspenska, të cilët drejtojnë një shkollë zhytjeje në Ukrainë.

Po ata të dy kanë mohuar të jenë përfshirë në sulm, pasi thellësia maksimale e zhytjes së tyre është 30 metra, krahasuar me rreth 80 metra në të cilat ndodhën shpërthimet./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco