Biden: 'E pamëshirshmja' Pelosi 'bëri atë që duhej të bënte' për të më larguar

Biden: 'E pamëshirshmja' Pelosi 'bëri atë që duhej të bënte' për të më larguar

13:15, 15/08/2024
A+ Aa A-

Joe Biden thuhet se ka pranuar se Nancy Pelosi "bëri atë që duhej të bënte" për ta larguar nga kandidimi për të mos lejuar Donald Trump-in të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti gradualisht po bën paqe me faktin se u detyrua të tërhiqet, por ende s'i ka dalë inati me rolin e luajtur nga ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve dhe aleatët e tjerë të vjetër për t'ia arritur kësaj, sipas Politico.

Biden, 81 vjeç, thuhet se ka respekt të përzier me mëri për zonjën Pelosi, e cila thuhet se i paraqiti atij një sondazh privat në korrik që tregonte se ai nuk mund ta mposhte Trump-in në zgjedhje.

Në të njëjtin muaj, ajo refuzoi të mbështeste publikisht kandidaturën e tij për rizgjedhje kur u pyet në shfaqjen televizive të preferuar të presidentit, Morning Joe – diçka që ndihmësit e zotit Biden besojnë se u dha dritën jeshile demokratëve dhe donatorëve të tjerë për të dalë kundër tij.

"Ajo bëri atë që duhej të bënte" në mënyrë që t'u jepte demokratëve shansin më të mirë për të fituar në nëntor, thuhet t'i ketë thënë Biden njërit prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Burimet në rrethin e brendshëm të zotit Biden i thanë atij një ditë para se të tërhiqej nga gara se ata besonin se zonja Pelosi, 84 vjeçe, do të ngrinte publikisht shqetësime për fushatën e tij – një veprim që do ta kishte poshtëruar aleatin e saj të vjetër.

Megjithëse zonja Pelosi kurrë nuk i bëri thirrje publikisht zotit Biden të largohej nga gara, por disa nga aleatët e saj.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Biden e sheh ish-kryetaren si "të pamëshirshme" dhe të gatshme për të lënë mënjanë marrëdhëniet afatgjata për të mbajtur demokratët në pushtet.

Të dielën, zoti Biden pranoi se presioni nga zonja Pelosi dhe demokratët e tjerë e kishin detyruar të tërhiqej nga zgjedhjet. Shqetësimi nga partia e tij ishte bërë një "shpërqendrim", tha ai. Karine Jean-Pierre, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, tha të nesërmen se zoti Biden "respekton" ish-kryetaren dhe këmbënguli se ai "nuk kishte hatërmbetje". Megjithatë, Politico raportoi se të dy nuk kanë folur që kur Biden i dha fund fushatës së tij.

Zonja Pelosi e ka minimizuar rolin e saj në largimin e presidentit nga gara, duke këmbëngulur se ajo nuk kishte telefonuar askënd për të nxitur kundërshtimin e kandidimit të Biden-it në nëntor. Megjithatë, ajo thuhet se mori telefonata të shumta nga demokratët e shqetësuar.

Zoti Biden thuhet gjithashtu se është i zhgënjyer nga Barack Obama, me të cilin ai shërbeu si zëvendëspresident, sepse ai nuk ia tha në sy se duhet të largohej nga gara.

Edhe pse ish-presidenti shprehu mbështetje për zotin Biden pas paraqitjes së tij katastrofike në debat në qershor, ai nuk u përpoq ta shtypte lëvizjen kundër tij. Të dy kanë një marrëdhënie të ndërlikuar dhe presidenti ka besuar prej kohësh se stafi i zotit Obama e shikonte me përçmim./ Telegraph/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco