Gjenden të 62 trupat pas rrëzimit të avionit në Brazil, pritet t’u dorëzohen familjeve pas identifikimit

Gjenden të 62 trupat pas rrëzimit të avionit në Brazil, pritet t’u dorëzohen familjeve pas identifikimit

09:35, 11/08/2024
A+ Aa A-

Pas rrëzimit të avionit me 62 viktima në Brazil, të gjithë trupat janë nxjerrë nga avioni fatkeq. Eshtrat e 34 burrave dhe 28 grave "u dërguan në morgun në San Paulo për identifikim dhe dorëzim te familjet e tyre", njoftoi qeveria rajonale të shtunën në mbrëmje (me orën lokale).

Ndërkohë, ekspertët filluan të analizojnë të dhënat e regjistruesit të fluturimit për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

Siç njoftoi kryebashkiaku i Vinhedo, Dario Pacheco, dy nga viktimat tashmë janë identifikuar përmes gjurmëve të gishtërinjve. Sipas tij, ata janë piloti dhe bashkëpiloti.

Sipas kreut të Agjencisë së Hetimit dhe Parandalimit të Aksidenteve të Aviacionit të Brazilit (Cenipa), Marcelo Moreno, dy kuti të zeza të gjetura nga rrënojat përmbanin regjistrime të bisedave në kabinën dhe të dhënat e fluturimit. Sipas Forcave Ajrore Braziliane, gjetjet fillestare nga hetimi priten brenda 30 ditëve.

Avioni i prodhuesit francezo-italian të avionëve ART, ishte duke u nisur nga Cascavel në shtetin jugor të Paranës për në aeroportin ndërkombëtar të Guarulhos pranë San Paulo në juglindje të premten, kur u rrëzua në qytetin e vogël Vinhedo, 80 kilometra në veriperëndim të San Paulo.

Në aksident nuk kishte të mbijetuar. Sipas linjës ajrore Voepass, në bordin e aeroplanit të aksidentit ishin gjithsej 62 persona.

Sipas faqes së internetit Flightradar 24, avioni fluturoi në një lartësi prej rreth 5,000 metrash për rreth një orë, derisa humbi papritmas lartësinë rreth orës 13:21 (ora lokale; 18:21 CEST). Sipas Forcave Ajrore, kontakti i radios me aeroplanin u humb në orën 13:22.  Forcat ajrore thanë se ekuipazhi "në asnjë moment nuk shpalli gjendje emergjente, ose u gjend në kushte të pafavorshme moti".

Presidenti Luiz Lula da Silva urdhëroi tre ditë zie kombëtare. Guvernatori i Sno Paulos, Tarcísio de Freitas, premtoi të gjithë mbështetjen e nevojshme.

Sipas raportimeve të mediave, aksidenti është një nga më vdekjeprurësit në historinë e aviacionit brazilian. Shumë njerëz kujtojnë një aksident më 28 nëntor 2016, kur avioni që i përkiste klubit të futbollit brazilian Chapecoense u rrëzua në Kolumbi, rrugës për në Medellín për ndeshjen e parë të finales së Copa Sudamericana, Kupën e Amerikës së Jugut. Në atë kohë, 71 njerëz vdiqën, duke përfshirë pothuajse të gjithë lojtarët, si dhe mbikëqyrësit, trajnerët dhe gazetarët shoqërues. Vetëm 6 pasagjerë arritën të mbijetonin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco