Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Shtetet e BE-së 's’po hetojnë siç duhet' raportet e shkeljeve të të drejtave në kufij

Shtetet e BE-së 's’po hetojnë siç duhet' raportet e shkeljeve të të drejtave në kufij

11:48, 30/07/2024
A+ Aa A-

Autoritetet në vendet anëtare të BE-së nuk po bëjnë mjaftueshëm për të hetuar raportet e besueshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut, përfshirë vdekjet, në kufijtë e tyre, ka thënë një organ i BE-së për të drejtat e njeriut.

Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore (FRA), tha se agjencitë e të drejtave të njeriut dhe OJQ-të po raportonin "shkelje serioze, të përsëritura dhe të përhapura të të drejtave kundër migrantëve dhe refugjatëve gjatë menaxhimit të kufirit", por pavarësisht raporteve "të besueshme" shumë prej tyre nuk u hetuan, shkruan The Guardian.

Një numër në rritje çështjesh po shkojnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke ngritur pyetje në lidhje me menaxhimin e kufijve në të paktën tre vende, tha ai.

“Autoritetet kombëtare në Greqi, Kroaci dhe Hungari nuk hetuan në mënyrë efektive incidentet e keqtrajtimit dhe humbjes së jetëve gjatë menaxhimit të kufirit.

Shembujt përfshijnë përpjekjet e pamjaftueshme për të gjetur dhe dëgjuar viktimat dhe dëshmitarët, pengimin e avokatëve në punën e tyre, dhe mungesën e aksesit në provat kryesore (p.sh. pamjet nga mbikëqyrja e kufirit).

Politikat e migracionit të Greqisë kanë qenë në qendër të vëmendjes që kur Adriana, një anije peshkimi e mbipopulluar, u mbyt në qershor të vitit të kaluar me humbjen e rreth 500-650 jetëve.

FRA përmendi pesë shembuj që nënvizojnë atë që ajo e konsideronte një qasje të gabuar ndaj humbjes së jetëve, dhe pretendimeve për dhunë në të gjithë shtetet kufitare të Evropës. Në një nga rastet më flagrante, ajo përmendi zbulimin e një fëmije të pashoqëruar, i cili u gjet pa ndjenja me një kafkë të thyer dhe buzë të fryrë në Francë nga vullnetarë.

Fëmija ishte kapur nga policia, pasi ishte fshehur në një kamion të destinuar për në Mbretërinë e Bashkuar. Rasti dhe pretendimet për përfshirje të mundshme të policisë, iu raportuan prokurorit publik në Boulogne-sur-Mer, por fëmija nuk mund të gjendej më vonë.

Në vitin 2020, policia kroate përgjoi katër afganë, të cilët hynë në vend në mënyrë të parregullt. Sipas agjencisë për të drejtat e njeriut, ata u mbajtën për dy ditë, u poshtëruan dhe u rrahën. Ngjarja është duke u hetuar por sipas avokatit të viktimave, autorët nuk janë identifikuar.

Në prill të vitit 2020, autoritetet malteze udhëzuan një anije peshkimi ,që të merrte një varkë në rrezik për në Libi. Në gjashtë ditë në det, 12 njerëz vdiqën ose u zhdukën. Një gjykatës arriti në përfundimin se nuk kishte prova për akuza penale, tha FRA.

Në qershor 2022, dy palestinezë të njohur nga Greqia si refugjatë, dyshohet se iu nënshtruan abuzimit fizik dhe seksual dhe u braktisën në një gomone në det, pasi u ndaluan nga policia në Kos. Rojet bregdetare turke i shpëtoi dhe një ankesë zyrtare është ende në pritje pranë prokurorit publik grek.

Drejtoresha e FRA, Sirpa Rautio, tha: “Ka shumë akuza për shkelje të të drejtave të njeriut në kufijtë e BE-së. Evropa ka për detyrë t'i trajtojë të gjithë në kufi me drejtësi, respekt dhe në përputhje të plotë me ligjin për të drejtat e njeriut.

Agjencia ka hartuar një plan me 10 pika, duke përfshirë udhëzime dhe trajnime të rregullta për prokurorët dhe hetuesit vendas se si të mbrohen viktimat dhe si të mblidhen dhe ruhen provat, duke përfshirë të dhënat e telefonit celular.

Lehtësimi i pjesëmarrjes së viktimave në procedurat penale dhe mbrojtja e tyre ishte parësore, thuhet në raport.

Raporti shton se: “Autoritetet hetuese duhet të kërkojnë të dhënat e mbikqyrjes kufitare dhe kamerave trupore, sistemet e pozicionit global, regjistrimet e makinave të patrullës dhe telefonat e oficerëve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco