Gaza/ Samiti CIA-Mossad-Katar-Egjipt mblidhet të dielën

Gaza/ Samiti CIA-Mossad-Katar-Egjipt mblidhet të dielën

19:09, 26/07/2024
A+ Aa A-

Shefi i Mossad-it, David Barnea pritet të takohet me drejtorin e CIA-s, Ëilliam Burns, kryeministrin e Katarit, Mohammed Bin Abdel Rahman Al-Thani dhe shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamal, të dielën në Romë, për të diskutuar mbi marrëveshjen e pengjeve. Lajmi konfirmohet nga mediat ndërkombëtare, që citojnë burime izraelite dhe amerikane, sipas të cilave kryeministri Benjamin Netanyahu ka ngurtësuar qëndrimet e tij dhe për këtë arsye nuk pritet një pikë kthese në negociata.

Netanyahu, siç dihet, kërkon krijimin e një mekanizmi për të monitoruar lëvizjen e armëve dhe militantëve palestinezë nga jugu i Rripit të Gazës në veri dhe mbajtjen e kontrollit izraelit të 'korridorit të Filadelfisë' , brezit të tokës midis Gazës dhe Egjiptit.

Siç raportohet nga uebfaqja izraelite Walla, takimi i së dielës "nuk duhet të përfshijë negociata të detajuara mbi boshllëqet e mbetura, por kryesisht të fokusohet në strategjinë që duhet ndjekur".

Nuk pritet që kreu i Mossad, Barnea në këtë fazë të mbështetet nga kreu i Shin Bet Ronen Bar dhe as nga kreu i ekipit që merret me pengjet, gjenerali Nitzan Alon. Një zyrtar izraelit, i cituar sërish nga Walla, përjashtoi mundësinë e arritjes së një pikë kthese në Romë.

Sipas tij, nuk ka shenja se presioni i Bidenit ndaj Netanyahut e ka bindur kryeministrin që të zbusë kërkesat e tij të reja. "Netanyahu - shpjegoi ai - dëshiron një marrëveshje që nuk mund të arrihet. Për momentin ai nuk është gati të lëvizë, kështu që ne mund të përfundojmë në një krizë në negociata dhe jo në një marrëveshje".

Ndërkohë edhe drejtori i CIA-s, Bill Burns pritet të takohet në Romë të dielën me zyrtarë të lartë izraelitë, katar dhe egjiptianë në një përpjekje për të finalizuar marrëveshjen e pengjeve dhe armëpushimin në Gaza, thanë zyrtarët amerikanë dhe izraelitë, të cituar nga gazeta amerikane e lajmeve Axios.

Burns do të takohet me kryeministrin e Katarit, Mohammed Bin Abdul Rahman al-Thani, drejtorin e Mossad-it, David Barnea dhe shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, nga ku do të shqyrtojnë një strategji për të kënaqur kërkesat nga palët e përfshira.

Presidenti Biden, i cili e sheh lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës në Gaza si çelësin e trashëgimisë së tij, u tha familjeve të pengjeve amerikane të enjten se ai do të vazhdojë të këmbëngulë për një marrëveshje. Netanyahu forcoi pozicionin e tij mbi marrëveshjen dhe shtoi kërkesa të reja, si krijimi i një mekanizmi për të monitoruar lëvizjen e armëve dhe militantëve palestinezë nga Gaza jugore në veri dhe mbajtja e kontrollit izraelit të kufirit Gaza-Egjipt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco