Izraeli thotë se ka gjetur trupat e 5 pengjeve që mbaheshin në Gazë

Izraeli thotë se ka gjetur trupat e 5 pengjeve që mbaheshin në Gazë

20:30, 25/07/2024
A+ Aa A-

Izraeli tha të enjten se gjeti trupat e pesë pengjeve të vrarë gjatë sulmit të Hamasit në tetor të vitit të kaluar.

Ushtria izraelite e identifikoi një nga pengjet si 56 vjeçaren Maya Goren, edukatore kopshti, e cila u vra gjatë sulmit të Hamasit në Nir Oz, një nga komunitetet më të goditura gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izraelin jugor, që shkaktoi luftën shkatërrimtare në Gazë.

Ushtria tha se katër pengjet e tjera ishin ushtarë izraelitë të vrarë në luftime gjatë sulmit. Ata u identifikuan si Oren Goldin, Tomer Ahimas, Major Ravid Aryeh Katz dhe Kiril Brodski.

Hamasi vrau rreth 1200 veta dhe mori peng 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit. Rreth 110 pengje ende mbahen në Gaza dhe autoritetet izraelite kanë thënë se rreth një e treta e tyre besohet të jenë të vdekur.

Kundërsulmi i Izraelit që synon shkatërrimin e Hamasit, ka lënë të vrarë më shumë se 39,100 njerëz, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Ministria nuk bën dallim midis militantëve dhe civilëve në të dhënat e saj.

Ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz, u shprehu ngushëllime familjeve të të gjeturve dhe tha se kthimi i pengjeve të mbetura, qofshin të gjallë apo të vdekur, është një detyrim.

Muaj negociatash të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari nuk kanë arritur të sigurojnë një marrëveshje mbi një propozim armëpushimi, që do të përfshinte lirimin e pengjeve nga Gaza, lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli dhe shtimin e ndihmave humanitare në Gaza.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, do të diskutojë mbi negociatat të enjten me presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë. Përpara takimit, një zyrtar amerikan tha se negociatat janë përqendruar në zbatimin e planit të armëpushimit dhe se ka çështje për t'u zgjidhur me Izraelin dhe Hamasin, për të arritur një marrëveshje.

Ushtria izraelite tha të enjten gjithashtu se po kryente operacione në pjesën qendrore dhe atë jugore të Rripit të Gazës dhe se forcat e saj kishin shkatërruar rreth 50 objektiva infrastrukturore të Hamasit ditët e fundit në Khan Younis.

Ushtria tha se sulmet ajrore izraelite goditën gjithashtu Libanin jugor, duke synuar ndërtesat e shfrytëzuara nga grupi militant Hezbollah i mbështetur nga Irani.

*Disa pjesë të këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco