Washington Post: Kamala Harris nuk mund të përdorë fondet e fushatës zgjedhore të Biden-it

Washington Post: Kamala Harris nuk mund të përdorë fondet e fushatës zgjedhore të Biden-it

11:39, 23/07/2024
A+ Aa A-

Zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila është mbështetur nga presidenti amerikan Joe Biden për të kandiduar në vend të tij, nuk ka autoritet të kontrollojë fondet e mbledhura nga shtabi i tij elektoral, raporton Washington Post, duke cituar avokatët e financave për Partinë Republikane.

Një përpjekje për të përdorur paratë mund të rezultojë në një padi, shton botimi.

Pasi njoftoi tërheqjen e tij nga gara për zgjedhjet presidenciale të SHBA të dielën, Biden mbështeti Harris-in, kandidaten e tij, për ta zëvendësuar atë në fletëvotim. Komiteti i tij i shtabit elektoral orëzoi shpejt dokumentet në Komisionin Federal të Zgjedhjeve (FEC) që fushata të riemërohej si "Harris për presidente".

Sipas WaPo, avokatët dhe operativët demokratë kanë argumentuar se emërimi i Harris-it si kandidate ishte zgjidhja më e lehtë për partinë, pasi emri i saj është tashmë në dokumente dhe paratë u mblodhën për Harris-in, së bashku me Biden-in, që do të thotë se ajo lejohet t'i përdorë. Nga fundi i qershorit, shtabi elektoral i Biden-it raportoi se kishte 95 milionë dollarë në arkat e tij.

Një tjetër opsion sipas legjislacionit të fushatës do të ishte rimbursimi i parave për donatorët. Çdo kandidat i ri presidencial do të duhet të nisë fushatat e tyre për mbledhjen e fondeve nga e para, pasi kanë mbetur pak më shumë se tre muaj deri në zgjedhje.

Sipas avokatëve të financimit të fushatës të lidhur me Partinë Republikane, fushata e Biden-it nuk ka autoritetin ligjor për të emëruar Harris-in dhe për t'i dhënë asaj kontrollin e fondeve. Ky hap "është i sigurt" që do të kundërshtohet përpara FEC-it ose në gjykatë, argumentojnë ata, siç citohet nga WaPo.

Avokati i shquar i financave të fushatës së republikanëve, Charlie Spies, tha se si Biden ashtu edhe Harris do të duhej të ishin emëruar zyrtarisht nga Partia Demokratike në konventën e saj muajin e ardhshëm para se të ndodhte çdo lloj transferimi i fondeve.

Vetëm në atë situatë, ligji për financimin e fushatës lejon një kandidat për zëvendëspresident të marrë kontrollin e parave të fushatës nëse kandidati presidencial tërhiqet, vuri në dukje ai.

"Biden nuk mund t'i transferojë paratë e tij te Harris sepse ato janë mbledhur në emrin e tij dhe nuk ka asnjë mekanizëm ligjor që ato të jenë mbledhur së bashku me Harris-in para se ata të ishin të emëruarit e partisë së tyre," tha Spies.

"Një shtab elektoral nuk mund të mbajë para për zgjedhjet në të cilat kandidati nuk kandidon." Craig Engle, një ish-avokat për një komision të FEC-it tha për CNN.

Paneli prej gjashtë anëtarësh i FEC-it që do të vendoste për çështje të tilla ka qenë prej kohësh i ndarë në mënyrë të barabartë midis republikanëve dhe demokratëve, vëren WaPo. Ndarja partizane do të thotë që komisionerët mund të bllokojnë këtë çështje, duke çuar potencialisht në procese gjyqësore në gjykatë.

Sipas Sean Cooksey, një republikan që mban postin e kryetarit të FEC-it, situata është e paprecedentë sipas ligjit aktual të financimit të fushatës dhe "ngre një mori pyetjesh të hapura nëse është e ligjshme, çfarë kufijsh zbatohen dhe cilat janë të drejtat e kontribuesve."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco