Kryeministrja e Bangladeshit fajëson armiqtë politikë për dhunën

Kryeministrja e Bangladeshit fajëson armiqtë politikë për dhunën

10:17, 23/07/2024
A+ Aa A-

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, fajësoi kundërshtarët e saj politikë për trazirat vdekjeprurëse në këtë vend.

Për pasojë, tha ajo, “është detyruar” të vendosë shtetrrethim.

“Unë nuk e kam dashur këtë. Do ta heqim sapo të përmirësohet situata”, tha Hasina.

Komentet e saj vijnë një ditë pasi Gjykata e Lartë e Bangladeshit hoqi shumicën e kuotave për vendet e punës në Qeveri, të cilat shkaktuan përleshje të dhunshme në të gjithë vendin, tash e sa javë.

Më shumë se 150 persona humbën jetën në përleshjet mes protestuesve dhe policisë.

Protestuesit tani bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministres Hasina.

Por, ajo fajësoi Partinë Nacionaliste të Bangladeshit dhe atë Xhemat-e-Islami - të dyja në opozitë - duke u zotuar se Qeveria e saj do të punojë “për t’i shtypur militantët dhe për të krijuar një mjedis më të mirë”.

Përpara vendimit të gjykatës, Bangladeshi i kishte të rezervuara rreth 30% të punëve të tij qeveritare me pagesë të lartë për fëmijët e atyre që luftuan në luftën e Bangladeshit për pavarësi nga Pakistani, në vitin 1971.

Gjykata vendosi se vetëm 5% e këtyre pozitave mund të rezervohen për të afërmit e veteranëve.

Hasina është vajza e udhëheqësit themelues të Bangladeshit, Sheikh Mujibur Rahman./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco