Kamala Harris: Trashëgimia e Biden, e pakrahasueshme në historinë moderne

Kamala Harris: Trashëgimia e Biden, e pakrahasueshme në historinë moderne

08:25, 23/07/2024
A+ Aa A-

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, gjatë paraqitjes së parë publike që kur hyri në garën presidenciale, pas tërheqjes së presidentit Joe Biden, tha se trashëgimia e presdentit amerikan është “e pakrahasueshme”.

Biden, 81 vjeç, më 21 korrik njoftoi se po tërhiqej nga gara për rizgjedhje. Pas kësaj, ai mbështeti Harris për sigurimin e nominimit nga demokratët për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Trashëgimia e Joe Bidenit gjatë tre vjetëve të fundit është e pakrahasueshme në historinë moderne”, tha Harris, gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, që u organizuar për nderimin e atletëve amerikanë.

Një ditë më herët, Harris u zotua se do të punojë për të bashkuar Partinë Demokratike “për të mposhtur Donald Trumpin” – kandidatin republikan për president, shkruan REL.

Ndërkaq, në një njoftim të ndarë, Shtëpia e Bardhë tha se Harris do të udhëtojë më 22 korrik për në Uilmington të Dellauerit, për t’u takuar me stafin e fushatës së saj.

Në Dellauer gjendet edhe presidenti Biden, i cili gjendet i izoluar në shtëpinë e tij atje, pasi është infektuar me koronavirus.

Biden u kishte rezistuar me javë thirrjeve për t’u tërhequr nga gara, duke thënë se është personi më i mirë për të mposhtur Trumpin, 78-vjeçar.

Partia Demokratike do të mbajë Kuvendin nga 19 deri më 22 gusht në Çikago, ku do të emërohet zyrtarisht edhe kandidati i partisë për president.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco