Zgjedhjet presidenciale në SHBA, me rëndësi kritike në sytë e izraelitëve

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, me rëndësi kritike në sytë e izraelitëve

07:24, 23/07/2024
A+ Aa A-

Izraelitët po e ndjekin me vëmendje fushatën për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Jeruzalem, Linda Gradstein, ata i konsiderojnë rezultatet e tyre me rëndësi kritike lidhur me përpjekjet për arritjen e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve, si dhe për planet për të krijuar një qeveri të re në Gazë.

Izraelitët po e ndjekin me vëmendje fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, rezultati i të cilave pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve, si edhe në planet për të krijuar një qeveri të re në Gazë.

Disa anketa në Izrael tregojnë se opinioni publik në Izrael ka ndryshuar, sidomos gjatë vitit të fundit.

“Sulmi i 7 tetorit i zhvendosi izraelitët më shumë djathtas. Ata shohin në politikën amerikane apo kudo tjetër, ndasitë tek e majta dhe e djathta. Dhe ata në përgjithësi po anojnë nga krahu me të cilin identifikohen më shumë dhe në këtë rast ai krah është ai i (ish-presidentit) Donald Trump,” deklaroi profesori i historisë amerikane Eli Cook pranë Universitetit të Haifës.

Mbi 20,000 qytetarë me shtetësi izraelite dhe amerikane jetojnë në Izrael dhe shumë prej tyre planifikojnë të votojnë në zgjedhjet amerikane.

Për një kohë të gjatë shteti hebraik ka gëzuar një marrëdhënie të veçantë me Uashingtonin dhe që nga fillimi i luftës kundër Hamasit në tetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara miratuan ligje përmes të cilave Izraelit i janë dërguar ndihma ushtarake në vlerë prej 12.5 miliardë dollarësh.

Sipas analistit të institutit “Shalom Hartman” dhe të gazetës “Jerusalem Post”, Amotz Asa-El, shumë izraelitë i mbajnë mend qëndrimet e prera të ish Presidentit Trump në mbështetje të Izraelit gjatë mandatit të tij të parë.

“Njerëzit thonë: ‘Ai e zhvendosi ambasadën amerikanë në Jerusalem, ai njohu sovranitetin e Izraelit mbi Golanin, përkrahu Izraelin në kohët më të vështira, në veçanti përsa i përket tensioneve me Iranin. Pra ekziston një ndjenjë mirënjohjeje”, tha ai.

Analistët thanë se shumë izraelitë janë mirënjohës edhe për përkrahjen që Presidenti Biden ka treguar që prej sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor megjithë kundërshtimet e disa pjesëtarëve të partisë së tij.

Presidenti Biden vizitoi Izraelin vetëm disa ditë pas sulmit të 7 tetorit, miratoi ndihma dhe luajti rol thelbësor në mbrojtjen e Izraelit kundër qindra raketave iraniane që u lëshuan ndaj Izraelit në prill, duke u siguruar që sulmi të mos shndërrohej në një luftë rajonale.

Por vendimi i administratës së zotit Biden për të mos i dërguar Izraelit një pjesë të dërgesave të armatimit amerikan, për shkak të shqetësimeve se përdorimi i tyre në Gazën e stërpopulluar do të shkaktonte shumë vdekje civilësh, ndezi tensione me qeverinë e kryeministrit Netanyahu dhe ndikoi që ta kthejë kundër tij opinionin publik izraelit.

“Joe Biden i ka dhënë Izraelit liri të madhe veprimi – jemi në luftë për më shumë se nëntë muaj dhe në asnjë pikë ai nuk ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm. Ai e frenoi dërgimin e disa bombave 900 kilogramëshe për të cilat mendoi se do të përdoreshin në zonat urbane e që nuk dëshironte t’i lejojë. Por në përgjithësi ai e mbajti rrjedhën e armëve të vazhdueshme,” thotë analisti Daniel Gordis nga Instituti Shalem në Jeruzalem.

Ndërkohë që anketat sugjerojnë që izraelitët duan që zoti Trump të fitojë zgjedhjet amerikane, disa analistë izraelitë e shohin fitoren e zotit Trump si një arsye për t’u shqetësuar.

“Nuk jam aspak i bindur që qëndrimi i përgjithshëm pro-izraelit i Trumpit dhe deklarimet e tij thonë shumë për të ardhmen. Ai mund të ndryshojë shpejt qëndrim”, deklaroi zoti Asa-El.

Kryeministri Netanyahu do ta vizitojë Uashingtonin këtë javë. Ai planifikon të mbajë një fjalim në një seancë të përbashkët në Kongresin amerikan me ftesë të republikanëve. Disa e konsiderojnë si veprim partiak të zotit Netanyahu, diçka të ngjashme me fjalimet që ai kishte mbajtur në Kongres në vitin 2011 dhe 2015, megjithë kundërshtimin e presidentit të atëhershëm Barack Obama dhe zotit Biden që në atë kohë ishte nënpresident.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco