Biden e mbështet për presidente/ Kamala Harris ndjehet e nderuar: Ne do të fitojmë

Biden e mbështet për presidente/ Kamala Harris ndjehet e nderuar: Ne do të fitojmë

22:21, 21/07/2024
A+ Aa A-

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë se është e nderuar që gëzon mbështetjen e presidentit aktual, Joe Biden për t’i hyrë garës presidenciale të nëntorit dhe që synon fitoren.

“Do të bëj gjithçka që mundem për të bashkuar Partinë Demokratike – për të bashkuar kombin tonë – për të mposhtur Donald Trumpin dhe agjendën e tij ekstreme Projekti 2025”, ka shkuar Harris.

Ajo e ka bërë këtë deklaratë, pak pasi Biden ka thënë se beson që tërheqja nga gara është në të mirë të Shteteve të Bashkuara.

Ky vendim vjen pas thirrjeve në rritje për largim të Bidenit nga gara për zgjedhjet e nëntorit, sidomos pas një debati që ka zhvilluar me kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump, në të cilin nuk ka pasur performancë të mirë.

“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si president”, ka thënë Biden, duke paralajmëruar që do të flasë më shumë gjatë javës lidhur me këtë vendim.

Biden, 81-vjeçar është infektuar më herët gjatë javës me koronavirus dhe është në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer.

Biden u ka rezistuar me javë thirrjeve për t’u tërhequr nga gara, duke thënë se është personi më i mirë për të mposhtur Trumpin, 78-vjeçar.

Biden e ka mposhtur Trumpin më 2020, duke garantuar fitore në shtetet kritike si Pensilvania, Uiskonsin dhe Miçigan.

Konventa e Demokratëve, në të cilën emërohet zyrtarisht kandidati për president, do të mbahet më 19-22 gusht në Çikago, Illinois.

Nëse zgjidhet si kandidate demokrate, Harris, 59-vjeçare, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë, do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për presidente./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco