Gatishmëri e lartë në Tel Aviv, shpërthen droni afër ambasadës amerikane, një i vdekur e disa të plagosur

Gatishmëri e lartë në Tel Aviv, shpërthen droni afër ambasadës amerikane, një i vdekur e disa të plagosur

08:14, 19/07/2024
A+ Aa A-

Një dron goditi qendrën e Tel Avivit duke vrarë një person dhe duke plagosur disa të tjerë disa metra larg ambasadës amerikane, ndërsa sirenat e alarmit nuk ranë. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit konfirmuan se një 'objektiv ajror' ka shpërthyer në Tel Aviv.

Një zëdhënës i forcave të armatosura Houthi tha në një postim në mediat sociale të premten se grupi me bazë në Jemen kishte "shënjestruar 'Tel Aviv' në Palestinën e pushtuar".

Kryebashkiaku i Tel Avivit Ron Huldai tha se qyteti ishte në gatishmëri të lartë pas sulmit me dron në të cilin një person mbeti i vrarë.

"Lufta është ende e ashpër dhe e dhimbshme. Forcat e zbatimit të ligjit mbërritën shpejt në vend dhe ne jemi të përgatitur për çdo zhvillim. Unë i bëj thirrje publikut që t'i bindet udhëzimeve", tha ai.

Forcat Ajrore izraelite, pavarësisht se e kishin identifikuar dronin mbi Tel Aviv, nuk e rrëzuan atë "për shkak të gabimit njerëzor", bëri të ditur zëdhënësi ushtarak. Ai  tha se Forca Ajrore merr përgjegjësinë e plotë, si mbrojtëse e qiejve të vendit.

“Droni goditi drejtpërdrejt një apartament pasi hyri në qytet nga deti. Origjina e dronit është ende nën hetim”, tha ai.

Departamenti Amerikan tha se nuk ka lëndime apo dëmtime në ambasadën e Tel Avivit nga sulmi.

Ambasada amerikane, e cila është një degë e asaj zyrtare në Jerusalem, ndodhet jo shumë larg vendit të shpërthimit që shkaktoi një të vdekur dhe disa të plagosur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco