A po refuzon akoma 'Ledi MakBiden' ta bindë Joe-në të tërhiqet sepse i pëlqen shumë të jetë Zonja e Parë?

A po refuzon akoma 'Ledi MakBiden' ta bindë Joe-në të tërhiqet sepse i pëlqen shumë të jetë Zonja e Parë?

12:47, 09/07/2024
A+ Aa A-

Jill Biden po "turfullonte pranë pishinës". Ishte viti 2003 dhe brenda shtëpisë në Delaware, demokratë të lartë po përpiqeshin të bindnin bashkëshortin e saj Joe-në të kandidonte për president. Joe e dinte se ajo nuk e donte këtë.

Ajo vendosi të imponohej në këtë çështje. Duke shkruaj "JO" me shkronja të mëdha në bark me një lapustil të zi, ish-modelja me kohë të pjesshme hyri me bikini në dhomën ku po takoheshin ata.

Biden-i e mori mesazhin - ai nuk kandidoi atë vit, megjithëse Jill ndryshoi mendje me kalimin e kohës, me burrin e saj që më në fund fitoi presidencën në vitin 2020 pasi mposhti Donald Trump-in.

Image

Por mes shqetësimit të përshkallëzuar për aftësisë mendore të presidentit dhe deklaratës së tij dje se ai ishte "i përkushtuar fort" për të kandiduar për t'u rizgjedhur, sa shumë do të donin demokratët që Zonja e Parë të shkruante të njëjtin udhëzim sërish në barkun e saj - nëse kjo është ajo që nevojitet për të bindur Joe Biden-in të tërhiqet.

Njerëzit e brendshëm thonë se ajo mbetet personi i vetëm që mund të ndikojë realisht te tetëdhjetëvjeçari e rrëgjuar, ndërsa demokratët përpiqen të shmangin humbjen në nëntor dhe skenarin e tyre të rëndë të Donald Trump-it sërish në Shtëpinë e Bardhë.

Image

Zonja e Parë 73-vjeçare, me pasionin e saj për t'u mësuar anglisht emigrantëve dhe për të postuar receta të thjeshta në internet - si "parmixhani i saj me pulë" - shihej dikur si një pasuri e madhe për demokratët. Tani ajo konsiderohet si një peshë e vdekur që zvogëlon shanset e tyre për të mposhtur Trump-in.

Duket se vaniteti dhe arroganca e Joe Biden-it në refuzimin për t'u përballur me faktet në lidhje me dobësinë e tij mendore ndahet - mbase edhe tejkalohet - nga gruaja e tij e dytë, të cilën një faqe interneti konservatore, duke iu referuar ligësisë intrigante të Shekspirit, e ka quajtur "Ledi MakBiden".

Ndërsa demokratët i bëjnë thirrje në mënyrë të përsëritur Zonjës së Parë që ta shkundë komandantin e përgjithshëm të plakur që t'i vijë mendja në vend (jo shumë fort, sigurisht), njerëzit e brendshëm të Uashingtonit thonë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë, sepse ajo është pikërisht personi që e nxit atë të vazhdojë.

Image

NBC News raportoi disa ditë më parë se ajo dhe djali i saj i turpëruar Hunter - në pritje të dënimit në tetor për blerjen e një arme ndërsa ishte përdorues droge - i kanë kërkuar presidentit të shkarkojë stafin që nuk ka qenë mjaftueshëm optimist për perspektivat e tij zgjedhore.

Ndërkohë, ndjenja e unitetit mes burrit dhe gruas nuk mungoi në komentet e Ledi Mak-B-së për American Vogue në vazhdën e debatit katastrofik televiziv me Donald Trump-in: "Ne do të vazhdojmë të luftojmë", tha ajo për revistën.

Dr. Biden - një titull për të cilin ajo këmbëngul, pavarësisht se ka një doktoraturë në arsim dhe jo si mjeke - shfaqet në kopertinën e numrit të gushtit me një fustan smoking 3900 sterlina të Ralph Lauren-it dhe vathë me çmim të ngjashëm.

Image

Kopertina mbante titullin arrogant "Të ardhmen tonë do ta vendosim ne". Në mbrojtje të dr. Biden-it, ajo po fliste për gratë, jo për fushatën e burrit të saj, por koha e profilit lajkatues, i cili u publikua në javët para debatit, nuk mund të kishte qenë më i papërshtatshëm.

Sot, Zonja e Parë duket shumë larg gruas që Michelle Obama dikur përshëndetej si me këmbë në tokë dhe "pa asnjë grimcë shtirjeje". Por, pavarësisht posturës së saj presidenciale, dr. Biden nuk i ka lënë tërësisht pas sjelljet e saj prej mësueseje.

Duke e nxjerrë me kujdes nxënësin e saj jashtë skenës nga debati 12 ditë më parë, ajo i tha atij disa fjalë të shpejta inkurajuese tamam si në kopsht. "Joe, ke bërë një punë të mrekullueshme!" tha ajo plot entuziazëm para kamerave. "Iu përgjigje çdo pyetjeje, i dije të gjitha faktet!"

Ishte jashtëzakonisht e qartë për shikuesit që ishte krejt e kundërta, por Jill vazhdon me guxim të mohojë të dukshmen. "Joe nuk është personi i duhur për këtë punë. Ai është i vetmi person për këtë punë", tha ajo në një aktivitet për mbledhjen e fondeve në Nju Jork të nesërmen.

Megjithatë, burri i saj vazhdon të ketë probleme. Ndonëse iu dhanë pyetjet para një interviste në radio të enjten, lideri i botës së lirë arriti të mburrej çuditshëm se ishte "gruaja e parë me ngjyrë që shërbeu me një president me ngjyrë".

Zbulimi të dielën se punonjësit e tij i ofrojnë atij fotografi dhe udhëzime me shkronja të mëdha se si të hyjë dhe të dalë nga aktivitetet - me një udhëzim si "shko drejt podiumit" - do të bëjë pak për të shuar shqetësimet se presidentit duhet t'i jepet edhe informacioni më i thjeshtë në një mënyrë shumë të detajuar dhe të drejtpërdrejtë.

Pra, a po bën Jill Biden gruan besnike, duke brohoritur për vendimet e burrit të saj; apo, në fakt, komandën a ka ajo? Joe shpesh flet pas Jill-it në mitingje dhe e hap me: "Unë quhem Joe dhe jam burri i Jill-it". Disa besojnë se ai nuk e thotë këtë plotësisht me shaka.

Pjesa më e madhe e Zonjave të Para pranojnë se janë një aksesor i pazgjedhur i bashkëshortit të tyre, por dr. Biden e merr veten shumë seriozisht. Në vitin 2021, për shembull, ajo postoi një foto të saj duke u hedhur një sy manualeve informuese në tryezën e presidentit në Air Force One. Në mbishkrim shkruhej: "Duke u përgatitur për G7-ën".

Sigurisht, ajo e njeh veten, siç e bën të qartë veprimi i saj me lapustil në vitin 2003. Megjithatë, krahasimet që po bëhen tani me Nancy Reagan-in - prania dominuese e së cilës e bëri atë fuqinë që qëndronte pas fronit të bashkëshortit Ronald në vitet 1980 - nuk dukeshin të mundshme kur Biden-ët hynë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021.

Pas bisedave të ashpra për tradhtitë e vazhdueshme dhe kontratat cinike paramartesore që rrethuan martesën e presidentit të mëparshëm Donald Trump dhe Melanias, marrëdhënia midis Jill-it dhe Joe-së dukej e ëmbël dhe jo-transaksionale. Ata dukeshin vërtet të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit.

Është një martesë e dytë për të dy. E lindur Jill Jacobs në vitin 1951, më e madhja nga pesë vajzat e një arkëtari bankar, ajo u rrit në New Jersey dhe Pennsylvania para se të martohej vetëm 18 vjeçe me Bill Stevenson-in, një ish-futbollist universitar, të cilin e njohur verën para se të mbaronte shkollën e mesme.

Nga fundi i vitit 1974, romanca kishte përfunduar dhe Bill-i dhe Jill-i u divorcuan pranverën e ardhshme. Po atë vit ajo u takua me Biden-in, i cili rastësisht, siç tregon ai, e kishte parë duke pozuar si modele në një reklamë. Vëllai i tij Frank kishte qenë mik i Jill-it në Universitetin e Delaware-it dhe i dha atij numrin e saj të telefonit.

"Ajo do të të pëlqejë, Joe", thuhet se i tha Frank-u vëllait të tij. "Asaj s'i intereson politika."

Gruaja e parë e Joe-së, Neilia Hunter, kishte vdekur bashkë me vajzën e tyre të mitur tre vjet më parë në një aksident automobilistik, vetëm disa javë pasi ai kishte fituar një fushatë triumfuese për t'u bërë senator për Delaware. Jill kujtoi se ishte ulur në makinën e saj pasi kishte marrë provimet përfundimtare dhe kishte dëgjuar lajmet për aksidentin tragjik në radio.

Që në takimin e tyre të parë, Joe u mrekullua menjëherë, duke thënë më vonë: "Ajo më ktheu jetën time. Ajo më bëri të ndihem përsëri normal." Jill fillimisht kishte menduar se Joe, nëntë vjet më i madh se ajo, ishte shumë i vjetër për të, dhe kur ai mbërriti për takimin e tyre të parë me kostum dhe këpucë të lëmuara, ajo pranoi se reagimi i saj i parë ishte që mendoi: "Falë Zotit është vetëm një takim."

Megjithatë, të dy patën pëlqim reciprok dhe ajo u befasua nga korrektësia e tij kur ai e çoi në shtëpi dhe i tha natën e mirë duke i shtrënguar dorën.

"Gjatë viteve 1970, zakonisht meshkujt të fusnin duart te dera. U befasova aq shumë sa vrapova lart dhe i telefonova mamasë sime - ishte ora një e mëngjesit - dhe i thashë: "Mami, më në fund gjeta një zotëri," kujton ajo.

Biden tha se iu desh duhej ta pyeste pesë herë para se ajo të pranonte të martohej me të, duke premtuar përfundimisht se nuk do të kandidonte për rizgjedhje në Senat nëse ajo thoshte 'Po'.

Ai shkoi aq larg sa i telefonoi një gazetari për të bërë të ditur qëllimin e tij, por Jill e ndërpreu telefonatën me gishtin e madh, duke thënë - sipas tregimit zyrtar të familjes Biden - se ajo nuk mund të hynte mes tij dhe ëndrrave të tij.

"Mbi të gjitha u dashurova me djemtë," tha dr. Biden për dy djemtë e vegjël të Joe-së - të ndjerin Beau dhe Hunter - të cilët i kishin mbijetuar aksidentit që u mori jetën nënës dhe motrës së tyre. Hunter, i cili ka luftuar për vite me varësinë ndaj kokainës, ka qenë më pak komplimentues.

 

Në një mesazh drejtuar xhaxhait të tij në vitin 2018, Hunter thuhet se e quajti njerkën e tij një "hajvane hakmarrëse" dhe në mesazhet që i dërgonte të vesë së vëllait të tij, me të cilën ai ishte në një lidhje në atë kohë, i referohej dr. Biden-it si një "shushkë egoiste" dhe tha se duhet "të pirdhet", pasi e nxiti të shkonte në rehabilitim.

Image

Më tej, ai iu mburr xhaxhait të tij se ishte më inteligjent se ajo: "Në gjendjen time më të dehur, jam shumë më i zgjuar se ti, dhe je mësuese gjuhe".

Joe dhe Jill bënë një vajzë Ashley-in në vitin 1981, katër vjet pasi u martuan. Disa nga detajet e jetës së tyre shtëpiake janë shumë të ëmbla dhe sentimentale - ajo thotë se luante këngën e tyre të preferuar, Have I Told You Lately (That I Love You) kur ai kthehej në shtëpi nga Senati.

Por, me gjithë reputacionin e saj tani si person me ndikim, në dekadat e para të martesës së tyre, Jill ishte një grua politike ngurruese e cila e bëri të qartë se asgjë nuk do ta ndalonte që ajo të jepte mësim. "Të qenët mësuese nuk është puna ime, por qenia ime", ka thënë ajo.

Ajo madje korrigjonte detyrat e nxënësve ndërsa udhëtonte në Air Force Two kur Joe ishte zëvendëspresident, dhe një herë "veshi një fustan mbrëmjeje dhe këpucë me taka" në një tualet shkolle për të shkuar në një pritje në Shtëpinë e Bardhë.

Image

Zonja e parë e parë që ka një punë me pagesë jashtë Shtëpisë së Bardhë, ajo ende jep mësim në kolegjin modest të Komunitetit të Virxhinias së Veriut, i cili ka kampuse në periferi të Washington DC. Disa nga studentët e saj (nga të cilët shumë janë emigrantë të sapoardhur) pranuan këtë muaj se nuk e dinin që gruaja që ata e njohin si "dr. B" është e martuar me presidentin e SHBA-së.

 

Njerëzit e brendshëm të Shtëpisë së Bardhë thonë se dr. Biden, e cila para se të bëhej Zonjë e Parë, vraponte 8 km në ditë, pesë ditë në javë, mund të jetë jashtëzakonisht protektive ndaj burrit të saj dhe zemërohet me çdo sugjerim se aftësitë e tij mendore janë në rënie. Në një tubim të Biden-it në vitin 2020, kur dy militantë veganë u hodhën në skenë me pankartat "Let Dairy Die", ajo u fut në çast mes tyre dhe burrit të saj.

Muaj më vonë, ajo botoi një libër për fëmijë, Joey: The Story Of Joe Biden, që portretizonte kandidatin presidencial duke kapërcyer me guxim marrjen e gojës në fëmijëri për të cilën ai ishte bullizuar.

Kur, në vitin e shkuar, të paktën shtatë gra e akuzuan burrin e saj se i kishte prekur fizikisht në një mënyrë që i bënte të ndiheshin jo rehat, Jill u hodh në mbrojtje të tij, duke e bërë atë të dukej thuajse si Krishti: "Ajo që nuk kuptoni është se Joe-së i afrohen shumë njerëz. Burra e gra, duke kërkuar rehati ose ndjeshmëri."

Image

Ajo gjithashtu ka pasur përvojë të konsiderueshme në rregullimin e katrahurave të tij verbale, megjithëse, duke pasur parasysh vetëpërshkrimin e tij si një "makinë gafash", më parë nuk i ka rënë alarmit që po i bie tani.

Kur Joe filloi të fliste për ndalimin e "katër viteve të tjera me George' [Bush-in] në një intervistë vetëm disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2020, buzët e dr. Biden-it u panë duke lëvizur dy herë ndërsa ajo dukej se e shtynte atë të thoshte fjalën "Trump".

Në fjalime, ajo ende u kërkon amerikanëve të përpiqen të shohin shpirtin fisnik me të cilin u martua dhe të shpërfillin gafat apo titujt kritikë. "Dua që të dëgjoni fjalët e Joe-së. Por mbi të gjitha dua që të dëgjoni zemrën e tij", ka thënë ajo.

Njerëzit e brendshëm kanë thënë se ajo e ka nxitur atë të kërkonte rizgjedhjen, pasi ishte komode me jetën në Shtëpinë e Bardhë dhe – ndryshe nga Melania Trump – e shijoi rolin e saj si Zonjë e Parë.

Ajo ka qenë e pranishme vazhdimisht në takimet e fushatës. "Ajo është zakonisht në dhomë kur stafi i lartë i fushatës po i prezanton strategjinë burrit të saj. Ajo bën pyetje. Por kurrë nuk jep mendime për vendimin", tha një ish-ndihmës i Biden-it për faqen Politico vitin e shkuar. Këshilltari shtoi: "Ajo është gjithmonë personi i fundit me të cilin ai konsultohet për një vendim përfundimtar, duke u mbështetur në intuitën dhe gjykimin e saj."

Por burimet thonë se ai ndonjëherë duket shumë i varur pas saj, duke kërkuar gjithmonë mendimin e saj në takime, ku ajo ulet duke mbajtur shënime. Ndihmësit e Biden-it e kanë quajtur atë "përmbyllësja" - një shoqe e ngushtë në këshillat e pazbukuruara të së cilës ai mbështetet para se të marrë një vendim përfundimtar.

Pasojat nuk mund të ishin më të larta tani. Jill Biden duhet të pyesë veten nëse "besnikëria e saj e admirueshme" ndaj burrit të saj do t'u shërbejë interesave më të mira të vendit të saj, shkruan një komentator i shquar politik amerikan [William Galston], duke shtuar: "Fati i ka dhënë zonjës Biden fuqinë për të formësuar historinë. E përdortë me mençuri.'

Presidenti do të kishte mjaft nevojë për disa këshilla të pazbukuruara nga Zonja e Parë tani. Dhe nëse ajo dëshiron kaq dëshpërimisht të ruajë kthetrat e pushtetit, dr. Biden gjithnjë e më shumë presidenciale mund të ndjekë hapat e Hillary Clinton-it dhe të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë.

Vetëm 73 vjeçe, krahasuar me dy kandidatët aktualë, ajo do të ishte si një vajzë e re./ Daily Mail – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco