Kandidati konservator tërhiqet nga gara për president të Iranit

Kandidati konservator tërhiqet nga gara për president të Iranit

11:17, 27/06/2024
A+ Aa A-

Amirhossein Qazizadeh Hashemi, njëri nga kandidatët për president të Iranit, është tërhequr nga gara në mënyrë që ta mbështesë një kandidat tjetër të krahut të ashpër konservator.

Irani mban zgjedhje presidenciale më 28 qershor, për ta zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili e humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit në maj.

Qazizadeh Hashemi, njëri prej zëvendësve të Raisit, njoftoi tërheqjen nga gara mbrëmjen e 26 qershorit, duke thënë se vendimi i tij ka për qëllim “ruajtjen e unitetit për forcat e revolucionit”.

Raisi dhe zyrtarë të tjerë të lartë humbën jetën më 19 maj, kur helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua rrugës duke u kthyer nga Azerbajxhani.

Tani kanë mbetur pesë kandidatë në garën për president, përfshirë Masud Pezeshkian, reformistin e vetëm të moderuar.

Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran - vend me rreth 88 milionë banorë - kishte pjesëmarrje rekorde të ulët.

Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të marsit ishte rreth 41 për qind, megjithëse kritikët thanë se numri real ishte edhe më i ulët.

Ekspertët thonë se rënia e pjesëmarrjes nënkupton hendek në rritje midis klerikëve në pushtet dhe popullsisë së re të Iranit - pjesa më e madhe e së cilës kërkon liri më të mëdha sociale dhe politike.

“Unë dyshoj se shoqëria do të kthehet në kutitë e votimit. Besoj se trendi i shmangies së tyre do të vazhdojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mohammad Mohebi, komentues politik me bazë në Iran./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco