Ukraina pritet të furnizohet me tanke të reja suedeze

Ukraina pritet të furnizohet me tanke të reja suedeze

22:55, 22/06/2024
A+ Aa A-

Holanda po investon më shumë se 420 milionë dollarë për të prodhuar automjete luftarake të dizajnuara nga Suedia për Ukrainën.

Sipas portalit “Defense News”, ky lloj tanku tashmë po përdoret në mënyrë efektive nga ushtarët ukrainas në vijën e frontit. Tanket e reja pritet t’i dorëzohen Ukrainës deri në vitin 2026.

Me tanket CV90 u furnizua Brigada e 21-të e ushtrisë së Ukrainës në verën e vitit 2023. Drejtuesi i këtij automjeti, i cili pranoi të identifikohej me pseudonimin “Kipish”, punonte në ndërtim në Poloni përpara se Rusia të fillonte sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës. Ai thotë se nevoja për të mbrojtur vajzën e tij të vogël e nxiti atë të kthehej në vend.

“Kur pashë në internet që armiku filloi të na bombardonte, mora në telefon vajzën time, njeriun më të çmuar në jetën time. Dhe ajo tha: “Babi, ata po na qëllojnë!”, tha ai.

Bëhet e ditur se automjeti “CV90” mund të përdoret nga forcat e këmbësorisë për transportimin e trupave dhe për të sulmuar tanket e armikut.

Në fillim të qershorit, Holanda ra dakord të shpenzonte më shumë se 420 milionë dollarë për të prodhuar “disa dhjetëra” tanke suedeze për Ukrainën, njoftoi ministri holandez i mbrojtjes

Shefi i batalionit të Brigadës së 21-të , i cili e identifikoi veten me pseudonimin “Samurai”, thotë se automjete suedeze janë efektive përballë sulmeve të armikut me artileri të rëndë dhe dronë

“Është e manovrueshme në fushën e betejës dhe ofron mbrojtje të mirë nga sulmet e armikut. Ushtarët thonë se CV90 është shumë e qëndrueshme ndaj sulmeve me artileri dhe dronë.”

Siç raportohet, 21-vjeçari “Samurai”, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Odesës, thotë se tanku “CV90” ofron siguri dhe është më i rehatshëm për trupat gjatë lëvizjeve nga një vend në tjetrin.

“Gjashtë ushtarë mund të ulen këtu dhe ka vend të mjaftueshëm edhe për pajisjet dhe ushqimin e tyre gjatë transferimit në pozicionet e tyre”, thotë ai.

Ky mjet luftarak suedez është i pajisur me një kamerë termike, që ndihmon ekuipazhin ta drejtojë atë me lehtësi edhe gjatë natës. Automjeti është vështirë të zbulohet nga armiku falë teknologjisë së pakësimit të nxehtësisë.

Portali “Defense News” thotë se ministria holandeze e mbrojtjes pritet t’ia dorëzojë tanket e reja “CV90” Ukrainës deri në vitin 2026. /VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco