Rusia ndërmerr një tjetër sulm në rrjetin elektrik të Ukrainës

Rusia ndërmerr një tjetër sulm në rrjetin elektrik të Ukrainës

18:53, 22/06/2024
A+ Aa A-

Objektet energjetike të Ukrainës janë nën një sulm masiv nga Rusia, në sulmin e fundit që synon rrjetin elektrik të vendit, thonë zyrtarët.

Është hera e tetë që Rusia ka nisur një sulm ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike në tre muajt e fundit, tha ministria e energjisë e Ukrainës.

Bëhet e ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase rrëzuan 12 nga 16 raketat dhe të 13 dronët e lëshuar nga Rusia në disa rajone, kanë njoftuar forcat ajrore ukrainase.

 

Ndërkohë, zyrtarët në Kharkiv thanë se tre persona janë vrarë dhe 18 janë plagosur nga bombat ruse, me të paktën katër shpërthime në qytet.

Sulmet plagosën edhe dy punëtorë të energjisë në rajonin qendror Zaporizhzhia dhe dëmtuan pajisjet në qytetin perëndimor të Lviv.

Në rajonin jugperëndimor të Ivano-Frankivsk, autoritetet raportuan gjithashtu dëme në shtëpi dhe një kopsht fëmijësh, shkruan BBC.

Ndryshe, Rusia ka intensifikuar fushatën e saj të sulmeve ndaj objektivave të energjisë ukrainase gjatë pranverës dhe fillimit të verës, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta në të gjithë vendin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, së fundmi tha se Moska ka shkatërruar gjysmën e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike të vendit të tij, që kur ajo filloi të godasë objektet energjetike në fund të marsit.

Siç raportohet, Ukraina po blen energji nga Bashkimi Evropian, megjithatë, kjo nuk mjafton për të kompensuar deficitin.

Kjo do të thotë se shumica e ditëve përfshijnë një ndërprerje të planifikuar mbarëkombëtare për të mbrojtur infrastrukturën kritike si spitalet dhe objektet ushtarake.

“Ne duhet urgjentisht të mbyllim qiejt tanë ose Ukraina do të përballet me një krizë serioze këtë dimër”, tha shefi ekzekutiv i DTEK, i një prej kompanive më të mëdha private të energjisë në Ukrainë, Maxim Timchenko.

Zelensky u ka bërë vazhdimisht thirrje aleatëve të Ukrainës që të dërgojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.

Ai ka kërkuar në mënyrë specifike shtatë sisteme të sofistikuara të mbrojtjes ajrore Patriot nga SHBA-ja. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco