Vazhdojnë sulmet në Rafah, thellohet kriza humanitare në Rripin e Gazës

Vazhdojnë sulmet në Rafah, thellohet kriza humanitare në Rripin e Gazës

17:26, 21/06/2024
A+ Aa A-

Forcat izraelite goditën sot qytetin e Rafahut me sulme ajrore dhe tokësore në përpjekje për të shtrirë kontrollin në këtë qytet në jug të Rripit të Gazës. Luftime u raportuan edhe në pjesë të tjera të Gazës ndërmjet ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit, ndërkohë që zyrtarët shëndetësorë thanë se bllokada e ndihmave ka rënduar situatën humanitare dhe qindra fëmijë po vuajnë nga pasojat e të kequshqyerit.

Zyrtarët e Katarit, që po ndërmjetësojnë përpjekjet për armëpushim, njoftuan se është bërë pak përparim në negociata, ndërkohë që listës së shteteve që njohin shtetin palestinez iu shtua edhe Armenia.

Ushtria izraelite njoftoi të premten se po kryen operacione në qytetin e Rafahut dhe se në bazë të burimeve të zbulimit ka identifikuar tunelet që shfrytëzohen nga militantët e Hamasit.

Sipas banorëve të Rafahut, gjatë dy ditëve të fundit operacionet izraelite janë intensifikuar.

Gjatë në takimi të enjten me zyrtarët e agjencisë së brendshme të zbulimit Shin Bet, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se Izraeli do të vazhdojë ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës.

“Nuk do të largohemi nga Rripi i Gazës deri në kthimin e të gjitha pengjeve – të gjallë dhe të vdekur. Po e ndërmarrim këtë mision dhe shumë misione të tjera, për të cilat është më mirë të mos flasim,” deklaroi ai.

Ministri i Jashtëm i Katarit, që krahas Shteteve të Bashkuara dhe Egjiptit është angazhuar për të ndërmjetësuar një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

“Ka patur disa zhvillime dhe bazuar në reagimin e Hamasit kemi përshtypjen që ekzistojnë ende mosmarrëveshje ndërmjet asaj që është propozuar dhe përgjigjes së Hamasit. Dhe kjo është normale në negociata: njëra palë nuk mund të detyrojë palën tjetër të pranojë pikëpamjen e tyre. Dyja palët duhet të bëjnë sakrifica,” deklaroi Ministri Mohammed bin Abdulrahman al-Thani.

Luftimet në Gazë kanë thelluar edhe më tej krizën humanitare në këtë territor. Vetëm në një spital në pjesën veriore të Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë, rreth 250 fëmijë janë trajtuar nga pasojat e kequshqyerjes, numër ky që po rritet në baza ditore për shkak të mungesës së vazhdueshme të ndihmave megjithë premtimet e ushtrisë izraelite se do të mundësojë hapjen e një korridori humanitar.

Sipas punonjësve të ndihmave, mungesa e rendit dhe grupet e armatosura palestineze që po bllokojnë autokolonat, kanë vështirësuar transportimin e ndihmave tek të zhvendosurit, duke bllokuar përpjekjet për shpërndarjen e ndihmave në brendësi të Gazës.

Një sasi ndihmash të enjten u shkarkuan përmes portit të përkohshëm të ushtrisë amerikane, që është përballur me probleme të shumta për shkak të detit të trazuar./VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco