Görlach Global: Kina nuk dëshiron paqe në Ukrainë

Görlach Global: Kina nuk dëshiron paqe në Ukrainë

09:11, 20/06/2024
A+ Aa A-

Konferenca e paqes për Ukrainën e mbajtur në Zvicër nuk solli ndonjë përparim. Sigurisht, një komunikatë përfundimtare e nënshkruar nga rreth 80 nga më shumë se 90 shtetet pjesëmarrëse mund të konsiderohet një sukses i vogël. Por njerëzit në Ukrainë nuk do të krijojnë nga kjo shpresë se lufta do të përfundojë së shpejti.

Në takim nuk ishte ftuar agresori, Rusia. Kjo ishte një arsye më tepër që shpresat të mbështeteteshin te Pekini. I besuari kryesor i të fortit të Kremlinit, diktatori kinez Xi Jinping, mund të ndikonte te Vladimir Putini, kjo ishte shpresa. Por Pekini refuzoi të marrë pjesë, sepse Moska nuk ishte aty.

Sido që të jetë,Kina nuk ka kontribuar asgjë thelbësore për një marrëveshje paqeje në më shumë se dy vjet që nga pushtimi rus i Ukrainës. Në përvjetorin e parë të pushtimit, Pekini publikoi një plan me dhjetë pika që pasqyronte në thelb kërkesat e Kremlinit: një partishmëri e njëanshme, me të cilën Kina nuk mund të pretendonte rolin e ndërmjetësit neutral.

Ndoshta ka edhe arsye të tjera pse Kina nuk ishte tani e pranishme në Zvicër. Në situatën aktuale, ajo nuk do të ishte në gjendje e vetme të niste dhe të moderonte një nismë diplomatike, që do të duhej të pajtonte kaq shumë interesa të ndryshme afërsisht si në Lindjen e Mesme. Për Pekinin, megjithatë, nuk është me interes të ndërmjetësojë në një skenar në të cilin në fund SHBA dhe aleatët e saj të thonë se u takojnë meritat e suksesit.

Pekini mbështet Putinin - Pekini mosbesues ndaj Putinit

Dhe ka një aspekt tjetër në marrëdhëniet Pekin-Moskë: sundimtari rus Putin takohet me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Nga njëra anë, Pekini nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se është aleat me të dyja vendet. Nga ana tjetër, ai dëshiron të jetë i informuar se çfarë po planifikojnë të dyja vendet së bashku. Jo më kot, të treja – Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut – shihen ndërkohë si bosht i së keqes. Në të njëjtën kohë, ata të tre nuk i besojnë plotësisht njëri-tjetrit.

Ky mosbesim do të vazhdojë të drejtojë politikën e Pekinit në lidhje me aleancën me Putinin. Pekini është i interesuar të vazhdojë luftën në Ukrainë, pasi kjo komprometon burimet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Nëse Xi do të përshkallëzonte një konflikt në Azi, qoftë me Tajvanin apo Filipinet, ushtrisë amerikane mund t'i duhet më shumë kohë për të ndërhyrë në rajonin e Paqësorit.

Pak shpresë: boshti i Kinës dhe Arabisë Saudite

Ka shpresë se një tjetër samit i paqes për Ukrainën mund të mbahet në Arabinë Saudite. Mbretëria ruan marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, por edhe me Kinën. Dhe një nga sukseset e pakta diplomatike, në të cilat Pekini ka marrë pjesë i referohet Arabisë Saudite. Pranverën e kaluar, Pekini ndihmoi në normalizimin e marrëdhënieve midis sauditëve dhe Iranit.

Pra, ndoshta princi i kurorës Mohammed bin Salman mund të bindë sundimtarin dhe aleatin e Kinës, Xi Jinping, të përfshihet në Ukrainë kundër Rusisë. Nuk ka shumë arsye për shpresë, por në fund të fundit duhet provuar gjithçka për të ndaluar vrasjen./DW/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco