10 viktima dhe 50 të zhdukur/ Mbyten dy anije pranë brigjeve italiane

10 viktima dhe 50 të zhdukur/ Mbyten dy anije pranë brigjeve italiane

18:50, 17/06/2024
A+ Aa A-
Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe dhjetëra rezultojnë të zhdukur pas mbytjes së dy mjeteve lundruese, në episode të veçanta, pranë brigjeve italiane, thanë ekipet e shpëtimit. Dhjetë trupa u gjetën të hënën në kuvertën e poshtme të një varke druri në Mesdheun qendror nga ekipet e shpëtimit të një anije, që operon si pjesë e  organizatës bamirëse gjermane ResQship. Organizata bamirëse tha se shpëtoi  51 persona që ishin në bordin e anijes që po fundosej, e cila besohet se ishte nisur nga Tunizia.Alarm Phone, një shërbim i linjës telefonike për njerëzit në vështirësi gjatë kalimit të Mesdheut, tha në X: “Ne u lajmëruam për një varkë në rrezik, me rreth 60 persona. Jo autoritetet e BE-së, por ‘Nadiri i vogël’ ofroi ndihmë. Fatkeqësisht, ata shkuan shumë vonë për 10 personat që vdiqën në kuvertën e poshtme. Kufijtë e BE-së vazhdojnë të vrasin!”

Mbytja e anijes ndodhi rreth 40 milje në jug të ishullit italian të Lampedusa, raportoi Rai News. Ndërkohë 50 persona u raportuan të zhdukur pasditen e së hënës në një anije të mbytur në detin Jon, rreth 100 milje larg brigjeve të Kalabrisë në Italinë jugore.

Dymbëdhjetë persona, përfshirë një grua shtatzënë, u shpëtuan nga një anije tregtare dhe u dërguan në portin Roccella Ionica.  Ata ishin duke udhëtuar me një varkë me vela që ishte nisur nga Turqia ditët e fundit, sipas raportimeve në shtypin italian. Në bord kishte njerëz të kombësisë iraniane, irakiane dhe siriane. Gjatë natës të së dielës, 173 persona mbërritën me tre varka në Lampedusa, duke përfshirë tre të mitur. Anijet ishin larguar nga Zawia në Libi dhe po transportonin njerëz nga Bangladeshi, Sudani, Siria dhe Egjipti. Në fillim të këtij muaji, 11 trupa u gjetën në brigjet e Libisë.

Italia është një nga pikat kryesore të zbarkimit për njerëzit që përpiqen të arrijnë Evropën, me rrugën qendrore të Mesdheut që konsiderohet si një nga më të rrezikshmet në botë. OKB-ja ka regjistruar më shumë se 20,000 vdekje dhe zhdukje përgjatë rrugës që nga viti 2014.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco