Dhoma e Përfaqësuesve: Kryeprokurori Garland shpërfilli Kongresin duke mos dorëzuar audion e Joe Biden Kapitoli, selia e Kongresit të Shteteve të Bashkuara

Dhoma e Përfaqësuesve: Kryeprokurori Garland shpërfilli Kongresin duke mos dorëzuar audion e Joe Biden

07:12, 13/06/2024
A+ Aa A-

UASHINGTON – Dhoma e Përfaqësuesve votoi të mërkurën se prokurori i përgjithshëm Merrick Garland ka mospërfillur Kongresin duke mos dorëzuar një regjistrim zanor të intervistës së presidentit Joe Biden, për çështjen e dokumentave të klasifikuara. Ky është hapi më i fortë dhe më i fundit i ndërmarrë nga ligjvënësit republikanë ndaj Departamentit të Drejtësisë, ndërsa debati partiak në lidhje me çështjet e funksionimit të shtetit ligjor mbizotëron zgjedhjet presidenciale të këtij viti, shkruan Zëri i Amerikës.

Votimi 216 pro dhe 207 kundër u bë përgjithësisht sipas linjave partiake, ndërsa ligjvënësit republikanë e mbështetën iniciativën megjithë rezervat e shprehura më herët nga disa prej tyre. Vetëm një ligjvënës republikan votoi kundër – ligjvënësi David Joyce nga shteti Ohajo.

Prokurori i përgjithshëm Garland bëri një deklaratë të mërkurën vonë, duke u shprehur se “është thellësisht zhgënjyese që Dhoma e Përfaqësuesve e ka shndërruar një autoritet serioz të Kongresit në një mjet politik. Votimi i sotshëm neglizhon ndarjen e pushteteve, Departamenti i Drejtësisë duhet të mbrojë hetuesit e tij, si dhe sasinë e madhe të informacionit që u kemi dhënë komisioneve të Kongresit”.

Ai shtoi se do ta ngrejë gjithnjë zërin “në mbrojtje të Departamentit, punonjësve dhe misionit jetik në mbrojtje të demokracisë sonë”.

Zoti Garland bëhet kështu prokurori i tretë i përgjithshëm që shpallet në mospërfillje të Kongresit. Por, ka shumë pak gjasa që ndaj zotit Garland të ngrihen akuza nga Departamenti i Drejtësisë, të drejtuar nga ai vetë. Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të përdorur imunitetin e ekzekutivit për të mos dorëzuar regjistrimin zanor në Kongres, do ta bënte shumë të vështirë ngritjen e një çështjeje penale ndaj zotit Garland.

Megjithatë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson e mbrojti vendimin për të vazhduar me votimin që tashmë duket më shumë si një masë simbolike.

“Ne e bëmë punën tonë për ta shpallur në mospërfillje të Kongresit dhe mendoj se kjo dërgon një mesazh të rëndësishëm”, tha kryetari Johnson. “Do të shohim se ç’do të ndodhë në vazhdim, por Dhoma e Përfaqësuesve duhet të bëjë punën e saj dhe jam i kënaqur me rezultatin e sotshëm”.

Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit demokratë kanë kritikuar motivimin e republikanëve për të ndjekur këtë procedurë dhe i kanë hedhur poshtë si thjesht politike përpjekjet për të marrë regjistrimin zanor të bisedës së presidentit.

Prokurori i Përgjithshëm Garland ka mbrojtur Departamentin e Drejtësisë, duke thënë se zyrtarët e tij kanë bërë përpjekje maksimale për të ofruar informacionin e kërkuar nga komisionet e Kongresit në lidhje me hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Hur për dokumentat e klasifikuara, përfshirë edhe një transkript të bisedës së prokurorit me presidentin Biden.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco