Pheniani paralajmëron për kundërpërgjigje pas transmetimeve me megafon të Seulit

Pheniani paralajmëron për kundërpërgjigje pas transmetimeve me megafon të Seulit

19:46, 10/06/2024
A+ Aa A-

Motra me ndikim e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un paralajmëroi për kundërpërgjigje ndaj Koresë së Jugut nëse Seuli vazhdon me transmetimet me altoparlantë që Pheniani i quan propagandistike, si edhe shpërndarjen e fletëpalosjeve me përmbajtje kundër Phenianit.

"Nëse vazhdohet nga ROK me shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe provokimet përmes transmetimeve propagandistike me altoparlantë në kufi, padyshim që do të përballen me kundër reagim nga DPRK", tha Kim Yo Jong në një deklaratë të dielën vonë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, duke përdorur emrat zyrtarë të Koresë së Jugut dhe të Veriut.

Koreja e Jugut rifilloi transmetimet me altoparlantë drejtuar Koresë së Veriut të dielën, sipas një njoftimi të ushtrisë e saj, pas paralajamërimeve se do ta ndërmerrte këtë hap nëse Pheniani vazhdonte të dërgonte balona me mbeturina në Jug.

Koreja e Veriut lëshoi të shtunën rreth 330 balona me plehra, rreth 80 prej tyre ranë mbi kufi, tha ushtria e Koresë së Jugut. Të hënën Koreja e Jugut tha se ishin lëshuar 310 balona të tjera.

Koreja e Veriut ka thënë se lëshimi i balonave u bë në kundërpërgjigje të një fushate nga kritikë dhe aktivistë të Koresë së Jugut që dërguan nga ana tjetër e kufirit balona që mbanin fletëpalosje kundër Phenianit, si edhe USB me përmbajtje të ndryshme muzikore, televizive, filmike apo letrare të Koresë së Jugut.

“Seuli nuk dëshiron tensione ushtarake në kufirin ndër-Korean dhe Pheniani nuk dëshiron që informacione të dërguara nga jashtë të kërcënojnë legjitimitetin e regjimit të Kim”, thotë Leif-Eric Easley, një profesor në Universitetin Ewha në Seul. “Për të dyja palët kjo është një situatë e rrezikshme”.

Koreja e Jugut i hoqi megafonët nga zonat kufitare në vitin 2018, pas nënshkrimit të një marrëvesheje nga udhëheqësit e dy Koreve, por tensionet janë rikthyer qëkurse Phenani ka çuar përpara zhvillimin e armëve./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco