'Ne nuk kemi Plan B nëse Ukraina humb' thotë Estonia

'Ne nuk kemi Plan B nëse Ukraina humb' thotë Estonia

10:20, 01/06/2024
A+ Aa A-

Estonia e konsideron veten një shtet të vijës së parë, një anëtar i NATO-s, ku rojet e saj kufitare shikojnë përtej lumit Narva, kështjellën ruse të Ivangorod.

Ky shtet i vogël baltik, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, është i bindur se sapo të ndalojë luftimet në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin do ta kthejë vëmendjen e tij drejt Balltikut, duke kërkuar të vërë vende si Estonia përsëri nën kontrollin e Moskës.

Për të ndihmuar në shmangien e kësaj mundësie, qeveria e Estonisë ka derdhur para dhe armë për përpjekjet luftarake të Ukrainës, duke dhuruar më shumë se 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit  në Kiev.

"Nëse çdo vend i NATO-s do ta bënte këtë," thotë kryeministrja e çeliktë e Estonisë Kaja Kallas, "Ukraina do të fitonte".

Por Ukraina nuk po fiton.

Pa artileri, municione, mbrojtje ajrore dhe mbi të gjitha, trupa, Ukraina po përpiqet të mbajë peshën e madhe të fuqisë së zjarrit ruse, bombave rrëshqitëse dhe sulmeve masive të këmbësorisë që shpesh kufizohen me ato vetëvrasëse.

Cili  është është plani B i Estonisë nëse Ukraina e humb këtë luftë dhe pushtimi i Rusisë përfundimisht ka sukses, e pyeti BBC,  kryeministren Kallas.

"Ne nuk kemi Plan B në rast të një fitoreje nga rusët," përgjigjet ajo, "sepse atëherë ne do të ndalonim së fokusuari në planin A" - duke ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë pushtimin rus.

"Ne nuk duhet t'i dorëzohemi pesimizmit. Fitorja në Ukrainë nuk ka të bëjë vetëm me territorin. Nëse Ukraina i bashkohet NATO-s, edhe pa ndonjë territor, atëherë kjo është një fitore sepse ajo do të vendoset nën ombrellën e NATO-s."

Kaja Kallas është kontroverse. Ajo nuk është liderja e parë kombëtare që është më e popullarizuar jashtë vendit se sa brenda.

Ka lindur si shtetase sovjetike dhe nëna dhe gjyshja e saj kanë qënë  internuar në Siberi.

Tani 46 vjeçe dhe kryeministre që nga viti 2021, ajo është një nga lideret më të ashpra në NATO kur bëhet fjalë për zbutjen e ambicieve të Kremlinit në Evropë.

Kjo ka frikësuar disa në Shtëpinë e Bardhë se ajo rrezikon ta tërheqë Perëndimin në konflikt të drejtpërdrejtë me Moskën.

Kërcënimi ekzistencial nga Rusia

Shumë estonezë janë gjithashtu më pak se të kënaqur me taksat që po rriten për të paguar për kontributin e tyre në mbrojtjen e Ukrainës. Por Kaja Kallas dëshiron që Perëndimi të zgjohet me atë që ajo e sheh si një kërcënim ekzistencial nga një Rusi e re agresive.

"Rusia dëshiron të mbjellë frikë në shoqëritë tona," na thotë ajo, e ulur në zyrën e kabinetit në Estoni me pamje nga majat e larta dhe muret antike të kështjellës së qytetit të vjetër të Talinit.

"Sulmet hibride", të njohura gjithashtu si lufta "nën-brez" ose "zona gri", janë veprime armiqësore që dyshohet se janë kryer nga një kundërshtar si Rusia, ku nuk ka të shtëna domosdoshmërisht, ku askush nuk vritet dhe shpesh fajtori vështirë të fiksohet - megjithatë dëmi mund të jetë i gjerë.

Një shembull, ende i pazgjidhur, do të ishin shpërthimet misterioze nënujore që hodhën në erë tubacionet e gazit Nordstream nën Detin Baltik në vitin 2022. Një shembull tjetër është pretendimi i fundit për ndërhyrje elektronike ruse në avionët që kalojnë pranë enklavës ruse të Kaliningradit në bregdetin Baltik.

Në raportin e tij të fundit vjetor, shërbimi i sigurisë së brendshme të Estonisë , "Kapo" citon shembullin e vjeshtës së kaluar, kur qindra shkollave në Estoni dhe shtete të tjera baltike iu dërguan emaile ku pretendohej se ishin vendosur bomba në ndërtesat e shkollave.

“Kërcënime të tilla”, thuhet në raport, “synojnë të krijojnë tension psikologjik dhe emocional duke synuar më të rrezikuarit – duke kërcënuar sigurinë e fëmijëve”./ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco