Lajmi i fundit

LIVE/ Tubimi qytetar në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Petraeus: SHBA do t’i shkatërronte trupat ruse nëse Putin përdor armë bërthamore në Ukrainë

Petraeus: SHBA do t’i shkatërronte trupat ruse nëse Putin përdor armë bërthamore në Ukrainë

08:42, 03/10/2022
A+ Aa A-

Ish-drejtori i CIA-s dhe gjenerali i ushtrisë në pension thotë se lideri i Moskës është "i dëshpëruar" dhe "realiteti i fushëbetejës me të cilin po përballet nuk mund të përmbyset".

SHBA dhe aleatët e saj do t’i shkatërronin trupat dhe pajisjet e Rusisë në Ukrainë – si dhe do ta fundosnin flotën e saj në Detin e Zi – nëse Presidenti rus Vladimir Putin përdor armë bërthamore në vend, paralajmëroi të dielën ish-drejtori i CIA-s dhe gjenerali i ushtrisë me katër yje në pension, David Petraeus, sipas The Guardian.

Petreaus tha se ai nuk kishte folur me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan për reagimin e mundshëm të SHBA ndaj përshkallëzimit bërthamor nga Rusia, për të cilën zyrtarët e administratës kanë thënë se i është komunikuar vazhdimisht Moskës.

Ai i tha ABC News: “Sa për t'ju dhënë një hipotezë, ne do të kundërpërgjigjeshim duke udhëhequr një përpjekje kolektive të NATO-s që do të nxirrte jashtë çdo forcë tradicionale ruse që shohim dhe identifikojmë në fushën e betejës në Ukrainë e në Krime dhe çdo anije në Detin e Zi”.

Por, Petreaus paralajmëroi, se “mund të bëhet akoma më keq për Putinin dhe Rusinë. Madje edhe përdorimi i armëve bërthamore taktike në fushën e betejës nuk do ta ndryshojë aspak këtë.” Megjithatë, ai shtoi se "duhet ta merrni seriozisht kërcënimin".

Senatori Marco Rubio, anëtari republikan i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit i tha CNN se Putini ishte mes dy zgjedhjesh: të vendoste linja mbrojtëse ose të tërhiqej dhe të humbiste territorin.

Rubio tha se ai besonte se ishte "shumë e mundur" që Putini të godiste pikat e shpërndarjes nga ku furnizimet e SHBA dhe të aleatëve po hyjnë në Ukrainë, përfshirë dhe brenda Polonisë.

Senatori e pranoi kërcënimin bërthamor, por ai tha se më shumë shqetësoheshin për "një sulm rus brenda territorit të NATO-s, për shembull, duke vënë në shenjestër aeroportin në Poloni ose ndonjë pikë tjetër shpërndarjeje".

“NATO do të duhet t'i përgjigjet kësaj,” tha ai. "Si do të përgjigjet, mendoj se shumë do të varet nga natyra e sulmit dhe shkalla dhe shtrirja e tij."

Por, si një senator i informuar për raportet e Pentagonit, Rubio i rezistoi pyetjes nëse  kishte parë prova se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore kundër Ukrainës.

"Sigurisht, rreziku është ndoshta më i lartë sot se sa ishte një muaj më parë," tha Rubio, duke parashikuar se Rusia ndoshta do të ndërmerrte një hap të ndërmjetëm.

“Ajo mund të godasë një nga këto pika logjistike. Dhe kjo pikë logjistike mund të mos jetë brenda … Ukrainës. Për mua, kjo është fusha në të cilën fokusohem më shumë, sepse ka një aspekt taktik. Dhe unë mendoj se ajo ndoshta e sheh atë si më pak shkallëzuese. Kurse NATO-ja, mundet që jo.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco