Putini kërkon ndihmën e Kinës, Shtëpia e Bardhë e shqetësuar

Putini kërkon ndihmën e Kinës, Shtëpia e Bardhë e shqetësuar

10:40, 14/03/2022
A+ Aa A-

BILD

Me mbi 2 milionë ushtarë, Republika Popullore e Kinës ka ushtrinë më të madhe në botë, është e armatosur rëndë, ka më shumë anije luftarake se çdo vend dhe armë të shumta bërthamore. Deri më tani, perandoria gjigante ka qëndruar larg konfliktit të Ukrainës.

Por tani Rusia i ka kërkuar fqinjëve të saj ndihmë ekonomike dhe ushtarake. Kjo raportohet nga Financial Times, që i referohet zyrtarëve të qeverisë amerikane.

Kjo kërkesë thuhet se ka ngritur shqetësime në Shtëpinë e Bardhë, e cila druhet se Pekini mund të minojë përpjekjet e Perëndimit për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës.

Jake Sullivan, këshilltar për sigurinë i presidentit Joe Biden, paralajmëroi Kinën në CNN: “Ne komunikojmë direkt me Pekinin dhe do ketë pasoja në çdo rast nëse përpiqen që të anashkalojnë sanksionet”.

Sullivan pritet të takohet me këshilltarin e lartë kinez Yang Jiechi në Romë. Në tryezën e bisedimeve do jetë edhe agresioni rus në Ukrainë. Diplomati Jiechi ka qenë ambasador i Kinës në SHBA për disa vite.

Deri më tani nuk ka pasur një deklaratë zyrtare se çfarë armësh apo municionesh shpreson Moska të marrë nga Pekini. Përveç kësaj, Rusia ka kërkuar ndihmë ekonomike për të kufizuar dëmin e sanksioneve.

Po ashtu është e paqartë se si do reagojë Kina ndaj kërkesës së Rusisë. Ambasada kineze në Uashington pretendon se nuk ka dëgjuar kurrë për një kërkesë të tillë. Një zëdhënës pretendon se Kina do mbështesë një zgjidhje paqësore. Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment.

Qeveria amerikane paralajmëroi Kinën dhe kompanitë kineze para pak ditësh që të mos anashkalojnë sanksionet ndaj Rusisë. Në rast të kundërt, kompanitë kineze do jenë subjekt i masave ndëshkimore nga SHBA.

“Ne do të sigurohemi që as Kina dhe askush tjetër të mos e kompensojë Rusinë për humbjet,” tha Sullivan.

‘New York Times’ raporton se zyrtarët amerikanë besojnë se është e mundur që ta largojnë Pekinin nga mbështetja për Moskën. Lidershipi kinez mund të mjaftohet vetëm me mbështetjen retorike ndaj Putinit.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Sullivan beson se Kina e dinte për pushtimin- por shtoi se Pekini mund të mos e ketë ditur shtrirjen e plotë të planeve të diktatorit rus. “Është shumë e mundur që Putini t’i ketë gënjyer ata, njësoj si evropianët dhe gjithë të tjerët”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco